Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miraton tre projektligje
Në mbledhjen e datës 19 janar 2009 Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik mori në shqyrtim tre projektligjet e mëposhtme:
- Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella;
- Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella;
- Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella.
Këto marrëveshje u diskutuan në prani të Kryetarit të Komitetit Shtetëror të Kulteve, Rasim Hasani, dhe specialistes juriste të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Qëllimi i nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe komuniteteve fetare që veprojnë në Shqipëri është rregullimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet tyre; garantimi dhe respektimi i të drejtave të sanksionuara në Kushtetutë, për lirinë e ndërgjegjes dhe të ushtrimit të fesë; njohja dhe garantimi i paprekshmërisë së tyre, për aq sa kjo veprimtari nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi; garantimi i së drejtës së individit për të zgjedhur vetë institucionet fetare; garantimi i bashkëjetesës fetare nga shteti.
Pas pyetjeve sqaruese lidhur me nene të veçanta të marrëveshjeve, Komisioni u shpreh dakord për kalimin e këtyre projektligjeve për miratim në seancë plenare të Kuvendit.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 22 78 296).