E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Kosovë

Kryeministri Sali Berisha do të nisë nesër një vizitë dy ditore në Kosovë, vizita e parë që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në ditën e parë të vizitës, Kryeministri Berisha do të takohet dhe ketë bisedime me Kryeministrin e Kosovës, z. Hashim Thaçi, me të cilin do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Pas takimit, në prani të dy kryeministrave, do të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Kosovës Z. Fatmir Sejdiu dhe Kryetarin e Kuvendit, Z. Jakup Krasniqi.

Kryeministri Berisha do t’i drejtohet më pas, me një fjalë Kuvendit të Kosovës.   

Pasdite, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me përfaqësues të partive politike, me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të minoriteteve.

Kryeministri Berisha do të zhvillojë gjithashtu, homazhe në varrin e Presidentit Ibrahim Rrugova dhe një vizitë në familjen e tij.

Në ditën e dytë të vizitës, Kryeministri Berisha do të udhëtojë në Prekaz, ku do të zhvillojë homazhe në memorialin e Adem Jasharit dhe do të kryejë një vizitë në familjen Jashari.   

Axhenda e Kryeministrit do të vijojë më pas me takime të veçanta me përfaqësuesin e Bashkimit Europian, Z. Pieter Feith dhe Komandantin e KFOR-it, Lieutenant Gjeneral Markus Bentler.   

Kryeministri Berisha do të vizitojë në Prishtinë edhe monumentin “New Born”.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministrit Berisha do t’i jepen edhe titujt “Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës dhe “Qytetar nderi” i Prizrenit.


05/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›