Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Zonja Kryetare e Parlamentit,
Zotërinj deputetë,
Zonja deputete,
Në këtë takim unë dëshiroj t’ju informoj mbi zhvillimet në procesin e përzgjedhjes dhe bërjes së vendit me Presidentin e ri. Siç keni marrë vesh, kryesia e Partisë Demokratike mandatoi për të përfaqësuar në negociata me partitë e tjera parlamentare, kryetarin e Partisë Demokratike, nënkryetarin e saj z. Patozi dhe anëtarin e kryesisë z. Edmond Spaho.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Kryesia e Partisë Demokratike dhe Partia Demokratike është dhe mbetet e mendimit të palëkundur se procesi i përzgjedhjes dhe zgjedhjes së Presidentit të Republikës është procesi më serioz midis dy zgjedhjeve të përgjithshme, është procesi më i rëndësishëm midis zgjedhjeve për qytetarët shqiptarë. Duke e konsideruar të tillë, ne jemi të bindur se procesi më dinjitoz, procesi më serioz dhe më transparent është ai proces, që respekton plotësisht librin themelor të shtetit, ligjin mbi të cilën ndërtohen të gjitha ligjet e tjera, mbi të cilën ndërtohen të gjitha institucionet e vendit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Qëndrimi ynë është dhe do të mbetet kryekëput kushtetues. Asgjë nuk mund të na spostojë nga respekti i plotë dhe total i ligjit themelor të shtetit. Dua t’ju informoj ose t’ju rikujtoj se në Marrëveshjen e datës 2 shtator 2009, në faqen 3 të kësaj Marrëveshjeje, thuhet: “Zgjedhja e Presidenti të Republikës do të bëhet mbi bazën e konsensusit midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim”. Ky është përcaktimi kontraktual midis dy forcave kryesore të koalicionit qeverisës.
Në përputhje me mandatin që dha kryesia dhe në afatin e përcaktuar nga Kushtetuta, ne nisëm menjëherë serinë e konsultimeve dhe negociatave, natyrisht, së pari me aleatët tanë. Mund t’ju them se takimi me aleatët, takimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim ishte një takim, i cili u karakterizua nga: identitet i plotë i mendimit dhe pikëpamjeve, vendosmëria e plotë për t’i qëndruar Marrëveshjes dhe vlerësim i madh për marrëveshjen qeverisëse që ekziston midis dy forcave tona politike; referim i qartë në nenin e marrëveshjes që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës; vullnet i plotë bashkëpunimi në procesin e zgjedhjeve. Diskutim i gjerë u bë edhe me dy aleatët e tjerë të koalicionit qeveritar, Partinë Republikane dhe PDIU-në, të cilat janë dy aleatë të çmuar të koalicionit qeveritar dhe me to ndamë mendime të njëjta për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Zonja deputete dhe zotërinj deputetë,
Në rrethin e parë të konsultimeve dhe takimeve që u zhvilluan me aleatët, spikati në mënyrën më të kristaltë, vendosmëria e koalicionit qeveritar për të nderuar plotësisht dhe respektuar Kushtetutën e vendit, e cila parashikon në 3 raundet e para votimin e Presidentit të Republikës me 3/5. Pra, ndonëse ka një Marrëveshje, e cila autorizon ose përcakton zgjedhjen e Presidentit të Republikës si konsensus midis PD dhe LSI-së, të dy forcat politike ranë plotësisht dakord të punojnë me përkushtim që Presidenti i Republikës të zgjidhet me 3/5 dhe më shumë po të jetë e mundur, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e vendit.
Në takime u konsiderua shumë e rëndësishme për vendin të përzgjidhet në postin më të lartë të shtetit një person me kredenciale të larta, brenda dhe jashtë vendit, i cili di të ngrihet mbi palët, i cili di dhe ka të gjithë integritetin politik për t’ju përmbajtur frymës së Kushtetutës, si simbol i unitetit të kombit. Dhe duhet të them se është e vetëkuptueshme, person që shkëput të gjitha lidhjet me partitë, nga e cila do të jetë. Natyrisht, edhe me pronat dhe problemet e tjera, nuk shkon në gjyqe dhe me familjarët e tij për prona, përsa kohë ai është President i Republikës. I mbyll disa dosje, disa kapituj dhe qëndron në pozicionin dinjitoz të kreut shqiptar, me një orientim të qartë euroatlantik, me atdhetarizëm të padiskutueshëm. Pra, preokupimi ynë dhe i aleatëve tanë është t’i japim vendit, jo një President pazaresh, një produkt të pazareve aprincipiale, por, përkundrazi, një personalitet të besuar dhe me kredenciale të larta, të besuar nga shqiptarët. Vendosmëria jonë mbetet e plotë për të punuar sëbashku me të gjitha forcat politike për të gjetur, bazuar në këto veti, personin, burrë apo grua, që do të nderojë karrigen, postin e lartë që merr.
Të nderur deputetë,
Mbi këtë bazë e me këto qëllime, ne iu drejtuam Partisë Socialiste dhe z. Patozi i bëri një letër, një ftesë me shkrim z. Ruçi, që të takohen dhe të bisedojnë për këtë çështje themelore të vendit dhe të shqiptarëve. Për t’u takuar dhe biseduar jashtë çdo lloj paragjykimi apo tendence për ta shndërruar kandidaturën e Presidentit në një plaçkë tregu, përkundrazi, për të bërë vendin me kandidatin më dinjitoz, më përfaqësues, më të pranueshëm, më euro-atlantik në orientimet e tij. Por në vend të përgjigjes me shkrim, Edi Rama nisi editorialin e radhës, në të cilin betohet solemnisht se do të rrëzojë këtë qeveri më çdo kusht dhe se rrëzimi dhe vetëm rrëzimi i qeverisë është problemi kryesor i këtij vendi dhe i Edi Ramës, sipas tij dhe se zgjedhja e Presidentit dhe çdo gjë duhet të jetë në funksion të rrëzimit të qeverisë. Ky editorial erdhi pas një vetë - interviste që z. Rama botoi, duke i vënë emrin e Ruçit. Këtë mënyrë ai e përdor kur do të nxjerrë në media, të gjitha fjalët e kazanit. Ka blerë një gazetar të një gjysëm gazete, që herë botohet, herë zhduket, i ka dhënë atij një rrogë që të pranojë t’i japë emrin dhe kur do të vërë një maskë politike, përdor Gramozin, por këto janë punë të tyre. Në këtë vetë - intervistë që i bënte vetes, qartësonte katërçipërisht dhe tërësisht se ata nuk do të marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes së Presidentit. Megjithatë, pardje vonë njoftuan që z. Ruçi do të kthehej nga takimet që kishte dhe u fiksua takimi në orën 11:00.
Zonja deputete dhe zotërinj deputete,
Një javë më parë, z. Rama direkt vetë, me z. Ruçi në parlament dhe me Gjiknurin e tij, se kishte hall se nuk po dëgjohej vetëm njeri, akuzuan para shqiptarëve Sali Berishën se ai po përdor bllokimin e reformave për t’i lidhur me zgjedhjen e Presidentin! Kjo ishte një përrallë nga ato që ju tregohen fëmijëve pa hyrë në shkollë. Më duhet kandari, por mos kujto se po peshoj para, thotë përralla. Dje, pas akuzave që bënë javë më parë se z. Berisha po i bllokon reformat, sepse do t’i lidhë me zgjedhjen e Presidentit, dorëzuan ultimatumin me katër kushte. Ftesës sonë për të negociuar për zgjedhjen e Presidentit, iu përgjigjën me një ultimatum me katër kushte. Plotësimi i të cilave, sipas tij, ishte i domosdoshëm që Partia Socialiste të heqë dorë nga politikat e saj bllokuese.
Përfaqësuesit tanë, para kryesisë së Partisë Demokratike dhe para shqiptarëve, u mandatuan për të negociuar për Presidentin e Republikës. Tani, z. Rama, dërgoi dokumentin, në të cilën fakton se ai do të përdorë procesin e zgjedhjes së Presidentit në funksion të editorialit që shkroi, të platformës ose të rrëzimit të qeverisë që nuk ia del dot, por të bllokimit të statusit. Kjo është filozofia e neo-bllokmenëve. E tëra e tyre!
Z. Rama, pasi bllokoi për dy vite me radhë statusin e vendit kandidat, pasi organizoi sulmin me dhunë ndaj kryeministrisë dhe përpjekjen për përmbysjen e qeverisë me dhunë, pasi bëri fushatë në gjithë vendin, “hap kutitë që të marrim vizat” dhe loboi fuqishëm kundër marrjes së vizave, pasi pranoi në tetor të vitit të kaluar, nga leksioni që i dhanë zgjedhësit, pikë për pikë ato që i ishin ofruar dy vite me radhë, tani dëshmon se ka vetëm një qëllim madhor: rrëzimin e qeverisë, po pati mundësi, por që nuk e realizon dot, se e është tërësisht i dështuar. Ka dy vjet që i mashtron bashkëpunëtorët e tij se rrushi do të piqet në pranverë, do të piqet në verë, do të piqet në vjeshtë, por rrushi i tyre mbeti i papjekur.
Tani vijmë tek reforma.
Te nderuar deputetë,
Pas katër muaj punë intensive, në të cilën të dy forcat politike punuan, socialistët sollën çdo propozim, ndërkohë që ne, ashtu siç u zotuam, shqyrtuam vetëm propozimet e tyre, reforma zgjedhore ka marrë pothuajse absolutisht formën përfundimtare. Ajo është bllokuar në pikat me të cilat z. Rama kërkon ose të dënojë zgjedhjet, ose të shkatërrojë zgjedhjet. Pika e parë është elektronika. Gjatë debatit për vendosjen e saj, të bindur se ajo përbente një rrezik për zgjedhjet, por duke ditur fobinë e tij të tmerrshme ndaj komisionarëve, pasi, në asnjë mënyrë, ai nuk mund t’u besojë komisionerëve të PS-së, ndaj vendosi sistem elektronik, të atillë që sipas ODIHR-it nuk mund të instalohet të paktën pa u praktikuar 24 deri në 36 muaj, sepse kërcënon seriozisht zgjedhjet, me defektet që mund të pësojë, ne e pranuam. Zoti Rama thotë që ne e pranuam këtë. Ne kemi deklaruar që në nisje se do pranojmë vetëm ato propozime, për të cilat ODIHR-i jep opinion pozitiv, sepse zgjedhjet janë kombëtare dhe ndërkombëtare. Nëse merr përsipër t’i thuash “plaç” ODIHR-it, i cili është garant i standardit, sipas ligjit, edhe ai nuk ka përse t’i vëzhgojë zgjedhjet e tua, por ka 100 motive t’i dënojë ato, sepse së pari, ti përdor praktika të bllokuara, të cilat shkatërrojnë procesin zgjedhor, së dyti përdor praktika që jo vetëm nuk e hapin sistemin ndaj zgjedhësit, por, përkundrazi, ndikojnë në rritjen e pamundësisë për të votuar të atyre që janë në vështirësi, në nevojë, në stade të ndryshme. Pra, ke përdorur praktika, të cilat ODIHR-i, Kodi i Venecias për zgjedhje të lira, Kodi i IFES për zgjedhje të lira, nuk i pranojnë kurrsesi. Edhe gjykatat, sa herë që janë marrë në gjykim këto praktika, i kanë hedhur poshtë.
Zoti Rama kërkon takim me mua. Unë nuk jam ODIHR-i. Këtë pikë, zoti Rama e ka të zgjidhur përfundimisht me ne, në qoftë se ai merr një opinion tjetër nga ODIHR-i. Por ne nuk mund të dalim në kundërshtim me udhëzimet me shkrim të ODIHR-it. Këtë nuk e bëjmë për hir të askujt. ODIHR ka qenë shumë i prerë lidhur me përdorimin e praktikës elektronike, në masën që ishte diskutuar. ODIHR sugjeron që të përdoret, por vetëm me një projekt të vetëm pilot, që edhe po dështoi nuk sjell përsëritje të të gjithë zgjedhjeve, por vetëm në atë zonë, ku u pilotua.
Pra, Rama kërkesën për takim e ka për bllokim e jo për zhbllokim. Duhet ta kuptojmë këtë. Këto janë çështje që nuk i ka në dorë PD. Kemi të bëjmë me përcaktime te qarta të atij institucioni të besimit të lirë, i pranuar në gjithë hapësirën e OSBE-së si vlerësuesi ndërkombëtar i zgjedhjeve, i pranuar gjithashtu nga unë e zoti Rama. ODIHR nuk hyn kurrë në dhënie mendimesh dhe asistencë në qoftë se nuk e pranojnë të dy palët paraprakisht. ODIHR e ka kusht këtë. Tani ne i themi: “Të zgjodhëm plak, por tani do të të rruajmë mjekrën”. Kjo mund t’i ndodhë Klosit, - por jo ODIHR -, pasi ai mjekërohet sa herë i thotë kryetari.
Kërkesa e dytë e zotit Rama është e bazuar përsëri në mosbesimin total ndaj 20 mijë komisionerëve. Cili është dallimi në vendimmarrje i këtij projekt- Kodi që është formuluar me 4 muaj punë, në krahasim me të mëparshmin, që edhe ai ishte 100 për qind konsensual? Dallimi është ky: këtu, me kërkesë të PS-së, 80 për qind e vendimeve të KZAZ-ve, KQZ, e të gjitha me radhë, janë bërë 5 me 2. Kërkuat minorancë bllokuese, ne e pranuam. Kjo është sigurisht e vështirë, sepse nëse keqpërdoret ajo ka pasoja, por sërish, për hir të kompromisit, ne e pranuam. Kjo për një sistem që është 50-50 në çdo gjë, 50 për qind me 50 për qind.
Tani na del e paimagjinueshmja. Kërkon që dy militantë të partisë së tij, ose qoftë edhe të partisë sime, të kenë tagrin ligjor që në KQZ, të hapin nga e para të gjithë procesin. Por, kur bën një kërkesë të tillë, a e kupton që kjo është shkatërrimtare për procesin zgjedhor? Kjo është absolutisht më e dëmshme për opozitën sesa për qeverinë, pasi opozita mund të plotësojë këtë dyshe për ta kërkuar një herë këtë gjë, por qeveria mund ta kërkojë 2 herë, sepse ka katër komisionerë. Atëherë, çfarë do të bëjmë ne? Të krijojmë mekanizmin e degjenerimit dhe degradimit të procesit zgjedhor, duke e shtyrë atë në kalendat e Edi Ramës, apo të atij që i intereson të mos ketë rezultate, qoftë dhe vet qeverisë? A mund të ketë logjikë njerëzore që dy persona, dy partiakë, pa qenë gjykatës, - pasi gjykatësit e kanë këtë të drejtë, pasi është politika dhe Kushtetuta në mbarë botën që u ka dhënë fuqinë e pavarur-, por a ka mundësi që dy partiakë të kenë në dorë procesin zgjedhor, të përmbysin të gjitha vendimet, sepse ngushtohet rrethi? Ai beson se mund të gjejë dy besnikë të vetët për të zbatuar urdhrat që do u japë atyre. Kjo nuk mund të pranohet.
Nga ana tjetër, a ka zgjedhje në këtë pikë? Po, ka zgjidhje të plotë. Ka një vendim të Gjykatës së Apelit, pikërisht për këtë çështje. Në respektimin e vendimit ne duhet të jemi të bashkuar. Nëse zoti Rama mendon dhe beson se do të dalë ndonjëherë kundër vendimeve të gjykatave, ta ketë të qartë se kjo kurrë nuk mund të ndodhë. Edhe unë mund të mos i pëlqej ato, por as një njeri i lirë këtë nuk mund ta bëjë. Zgjidhja është që ekspertët dhe përfaqësuesit tanë, që e njohin doktrinën elektorale 5 herë më mirë se zoti Rama, por edhe se unë, sepse janë njerëz që janë marrë dhe merren me këtë fushë, të ulen dhe të inkorporojnë, në mënyrën më të saktë, përcaktimet e vendimit të gjykatës. Nuk them ta heqim, por nëse kjo ndodh, le të ndodhë mbi bazën e kritereve që respektojnë plotësisht vendimin e gjykatës. Kjo është plotësisht e mundshme. Zoti Rama thotë; le të takohemi njëherë se e zgjidhim unë e ti. Por si ta zgjidhim ne këtë gjë? Ne kemi njerëzit tanë që e njohin fushën dhe do ta zgjidhin ata, sepse ata e njohin më mirë atë. Unë e prisja zotin Rama që të thoshte që, nëse është e mundur, të ftohen edhe gjykatësit, në interpretimin e këtij vendimi. Por, thjesht se ti je kryetar partie, nuk mund të kërkosh këtë. A ju kujtohet si thoshte Enver Hoxha? “Ma thotë kjo mendja ime se në këtë trekëndëshin këtu apo aty gjendet nafta”. Por kjo gjë ka marrë fund. Nuk mund të ma thotë mendja ime mua, dhe as e atij nuk duhet ta thotë. Kemi specialistët, kemi ekspertët që i njohin parimet, i njohin normat dhe ne duhet t’u japim atyre mundësinë që ata ta zgjidhin.
Çështja tjetër, ose kushti ultimativ i tij, është reforma parlamentare. Në këtë reformë janë vendosur të gjitha çfarë ju keni dashur. Tani ju kërkoni ndryshimin e Kushtetutës. Kontrollo zotëri kushtetutat evropiane të kontinentit dhe më gjej një të tillë dhe, me qenë se unë jam kryeministër, do ta pranoj edhe këtë kusht. Por që, unë të pranoj që të bëj një Kushtetutë për kryetarin e opozitës, këtë nuk e bëj kurrë, as për kryeministrin. Ata kanë anëtarët e tyre në komisionin e ligjeve, kanë zyrën juridike në partinë e tyre, le të bëjnë një kontroll të të gjitha kushtetutave dhe le të vijnë e të thonë pastaj. Por ata kanë një problem të brendshëm. Problem i brendshëm është se ata, siç ju e keni vënë re, në një seancë parlamentare dalin 3 kryeministra, kështu që, më mirë e mbajnë peng zgjidhjen sesa e vendosin, në qoftë se ajo ekziston në ndonjë kushtetutë tjetër. Por, që të shkruajmë një Kushtetutë vetëm për Edi Ramë, këtë nuk mund ta bëjmë.
Lidhur me çështjen e imunitetit. Historia, të dashur qytetarë, është kjo: ne, sapo kemi ardhur në pushte në 2005, por edhe para se të vinim në pushtet, për të gjithë ata që kanë memorie politike e parlamentare, PD ka dorëzuar në parlament ligjin për kufizimin e imunitetit për deputetë, gjykatësit e të tjerë. Qeveria e asaj kohe e refuzoi në mënyrë të vendosur. Më vonë u bëmë qeveri dhe përsëri dorëzuam ligjin. Komisioni i Venecias, pas ekspertizës, me shumë të drejtë theksoi se heqja e imunitetit mund të bëhet duke ndryshuar ligjet organike të institucioneve, edhe për parlamentin me 3 të 5-at dhe ligje të tjera. Ne ishim dakord plotësisht, por opozita kundërshtoi dhe deklaroi jo. Kjo mund të bëhet vetëm me ndryshim të Kushtetutës. Para rreth një viti, në Tiranë u organizua një seminar për heqjen e imunitetit. Specialistë të Këshillit të Evropës deklaruan se heqja e imunitetit duhet të bëhet me ndryshim të Kushtetutës. Ne, pavarësisht se e kishim kundërshtuar, u shprehëm plotësisht dakord. Le të zgjedhë opozita cilën formë të dojë dhe ne do ta votojmë. Grupi ynë i punës u angazhua seriozisht në këtë çështje. U vendos që të bëhej një seminar me dy faza, kjo me sponsorizim të BE-së. Faza e parë do të ishte nga data 27-28 prill dhe faza e dytë dhjetëditëshin e parë të majit. Faza e dytë do të ishte shkrimi i amendamentit, përgatitja e projektit. Por ato nuk u bënë as në fund të prillit, as në fund të majit, sepse zotin Rama nuk e lanë “bosët” që e rrethojnë të prekte imunitetin. Kjo është e vërteta. Thuaja Fidelit nëse mund t’ia prekësh imunitetin atij, apo grupit të biznesmenëve të tjerë të tij. Gjeni ndonjë gjykatës militant që thotë; jo, është i parakohshëm heqja e imunitetit. Më duhet t’ju them se, burime të sigurta na thonë se ata nuk kanë ndërmend. Ndaj u shty konferenca. Tani nuk flitet më për konferencë. Zoti Rama nuk e ka çështjen për vete, sepse vet nuk ka imunitet, por atë nuk e lë Fideli, nuk e le Tomë Doshi, nuk e le ai kështjellari që ka në Petrelë një imitim kështjelle. Atyre u duhet imuniteti. Pra, ai nuk e ka problemin me Sali Berishën, e ka me “klubin” e miliarderëve të PS-së. Nuk pranon dot Sadri Abazi të heqë imunitetin. Ai është i gatshëm të japë 2/3 e pasurisë dhe të mbajë imunitetin. Kjo është e vërteta. Pastaj zoti Rama bën hipokrizi dhe thotë që të mblidhemi bashkë në një tryezë dhe t’i zgjidhim të gjitha këto. Përse kjo tryezë? A ramë dakord që të mblidhemi në një seminar, ta zgjidhim këtë çështje në 2 workshop-e, në praninë ndërkombëtare të Këshillit të Evropës? Por ti, tjetër axhendë bën me faktorin ndërkombëtarë dhe tjetër axhendë bën me miliarderët e tu.
Ky është vetëm qëndrim bllokues. Apeli im është shumë i sinqertë: I bëj apel zotit Rama, në interesin më të mirë të vendit, le të angazhohemi për t’i dhënë Shqipërisë një president të besueshëm, një president i cili u fakton shqiptarëve se di të qëndrojë mbi forcat politike, se di, me respektimin e frymës dhe germës së Kushtetutës, të faktohet një president simbol i unitetit të shqiptarëve, që di të jetë një avokat dinjitoz i interesit kombëtar kudo që shkon dhe kudo që ndodhet.
Ofertat ime dhe e koalicionit qeverisës është shumë e sinqertë dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në negociatat më serioze dhe jo në kurthe meskine si këto dhe ultimatume, vetëm e vetëm për të bllokuar. Ke tre vjet që i mban me injeksione ata që të rrethojnë, se do e rrëzojmë sot e do e rrëzojmë nesër këtë qeveri, përgatitu se me këtë politikë që ndjek, edhe në vitin 2017 do të kesh po këtë qeveri. Ti këmbëngul të takohemi për të diskutuar për çështjen e elektronikës në zgjedhje. Ti nuk i ke gjërat me mua, por zgjidhe me ODIHR këtë çështje. Unë të kam thënë “po”, për hir të kompromisit, por del një faktor tjetër që thotë; jo, nuk është standard ky, pasi nuk jeni të përgatitur për këtë gjë, e kështu me radhë.
Duke përfunduar, ju garantoj se do të bëjmë përpjekjet më serioze dhe se dëshira dhe vullneti ynë është i hekurt që të paraqesim kandidat që ditën e mërkurë dhe ta votojmë atë në mënyrën më të gjerë, më të fuqishme të mundshme. Ky vend ka një praktikë, ky vend ka një ecuri, ka një potencial të plotë që mund ta bëjë këtë. Faleminderit”.
28/05/2012