E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, Ahmad Al-Sadoun

27 maj 2012
Kuvajt Siti, Shteti i Kuvajtit

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetin e Kuvajtit, po sot pasdite, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi një takim me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, Ahmad Al-Sadoun.

Pasi i uroi Presidentit Topi mirëseardhjen në Shtetin e Kuvajtit, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, Ahmad Al-Sadoun vlerësoi si mjaft të rëndësishme takimin me Kreun e Shtetit shqiptar, duke u shprehur se takime të tilla nxisin zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësojnë shtimin e bashkëpunimit në mjaft drejtime me interes për të dy vendet tona. Kreu i Parlamentit të Shtetit të Kuvajtit vuri në pah rëndësinë e shtimit të kontakteve dypalëshe, sidomos bashkëpunimin mes institucioneve parlamentare shqiptare me ato kuvajtiane duke theksuar rëndësinë në këtë drejtim të Komisionit të Miqësisë Ndërparlamentare.

Në këtë kuadër, zoti Ahmad Al-Sadoun garantoi mbështetjen në vijueshmëri të Shtetit të Kuvajtit, në të gjitha hapat dhe projektet e së ardhmes së Shqipërisë, duke synuar forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat dhe në veçanti të rritjes së shkëmbimeve tregtare-ekonomike dhe shtimit të investimeve kuvajtiane në vendin tonë.

Presidenti Topi, nga ana e tij, pasi falënderoi Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, Ahmad Al-Sadoun, për të gjitha konsideratat dhe përkrahjen ligjore që i jep Shqipërisë, shprehu bindjen në vazhdimin e shkëmbimit të përvojave dhe rritjes së komunikimit mes strukturave të ndryshme institucionale, sidomos mes strukturave përkatëse parlamentare.

Në të njëjtën kohë, Kryetari i Shtetit Shqiptar dhe Kryeparlamentari kuvajtian vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, duke nënvizuar bindjen për mbështetje reciproke në mjaft drejtime dhe bashkëpunim intensiv edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Në këtë pikë Presidenti Topi, pasi shprehu mirënjohjen për njohjen nga ana e Shtetit të Kuvajtit të pavarësisë së Kosovës duke theksuar se "do të promovojmë së bashku vazhdimin e njohjeve të reja edhe nga vende të tjera", mori garancitë e Kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Al-Sadoun se: "Kuvajti do të planifikojë dhe nxisë Komisionin parlamentar për të punuar sa më shumë në drejtim të rritjes së numrit të vendeve që do ta njohin shtetin e ri multietnik, por të ngritur mbi bazën e standardeve bashkëkohore të Kosovës".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›