E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në seancën parlamentare për diskutimin e projekt-buxhetit të vitit 2013

“Zonja Kryetare e Parlamentit,

Zonja deputete,

Zotërinj deputetë

Të dashur qytetarë shqiptarë që ndiqni sot këtë seancë të Parlamentit, në të cilin diskutohet buxheti i 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, ditëlindjes së Shqipërisë, në të cilin diskutohet buxheti për vitin 2013, buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, buxhet që arrin vlerën prej rreth 410 miliardë lekë, buxhet i cili ka si synim më madhor rritjen e mirëqenies suaj, të dashur qytetarë e qytetare shqiptar.

Buxheti synon rritjen e kësaj mirëqenieje, duke sjellë të ardhura direkt në xhepat, portofolat dhe kontot tuaja, për 820 mijë familje shqiptare, duke ndikuar në mënyrë thelbësore në shkollimin e fëmijëve tuaj, në shërbime shëndetësore, në rrugë, rrugica, kanalizime, ujësjellës, të familjeve shqiptare, buxhet i cili ka si objektiv madhor investime vendimtare për Shqipërinë, si vend i zhvilluar brenda vitit 2017.

Të dashur qytetarë shqiptarë,

Ky buxhet është hartuar në kushtet e një krize të pa precedent në historinë e kontinentit tonë, që nga viti 1930. Buxheti hartohet kur një krizë e thellë, e shumanshme, ka prekur monedhën e zonës më të zhvilluar të Evropës, ka prekur financat e vendeve më të zhvilluara, ka prekur prodhimin e vendeve më të zhvilluara të botës, ka vendosur në vështirësi të jashtëzakonshme shumë nga këto vende, në të cilat është 2-3 - fishuar papunësia, në të cilat janë ulur rrogat e pensionet deri në 40-50 për qind, në të cilat ka rënie dramatike të rritjes ekonomike. Kriza, jo vetë ka bllokuar rritjen, por ka shkaktuar ulje të ndjeshme të saj. Jo një, por disa vende, ende ndodhen në tunel, ku akoma nuk shohin rrezet e dritës. Kjo është një krizë shumë planëshe, është krizë e euros, e asaj monedhe e cila u konsiderua një nga mrekullitë e shekullit e të kohërave, është krizë e borxheve të marra jo për investime. 

Natyrisht, unë e pres sot reagimin e opozitë, sepse më së fundi, kryetari juaj bëri zbulimin gjenial dhe gjeti metrin e të vërtetës. Por me metrin e tij, nga Damiani te Proletari, që të gjithë mbeteni në klasë, sepse ai tha se i vërtetë është vetëm ai që, së bashku me këpucët, është 2 metra i gjatë. Pasi mashtroi, tani thotë që më besoni mua, sepse unë jam i gjatë. Unë nuk kisha dëgjuar kurrë një gjë të tillë.  Prandaj,  përveç Fidelit të partisë, ju të tjerët, absolutisht “puthuni me Milon” për sa u përket listave zgjedhore që vijnë. Pra, unë e pres këtë reagim sot nga ju, sepse kryetari tha se të vërteta janë vetëm ato të cilat dalin nga 2 metra gjatësi, së bashku me këpucët.

Unë e kuptoj që sot është dita e sikletit më të madh të vitit për ju, unë e kuptoj që sot është dita e shpërthimit madhor të zilisë në këtë sallë, unë e kuptoj se ju do të donit një buxhet të kundërt me këtë që paraqitet, unë e kuptoj se ju, për të thënë të vërtetat 2 metra të gjata, bashkë me këpucët, duhej që ne të thoshim se do ulim rrogat 40 për qind, duhej që ne të thoshim se të ardhurat ulen me 30 për qind, se papunësia do rritet me 25 për qind. Vetëm atëherë ju do të më duartrokisnit mua. Por unë nuk mund t’i them këto, sepse realiteti është krejtësisht tjetër. Ky është buxheti më i madh i këtij shekulli, ky është buxheti më i fuqishëm, ky është buxheti i cili, në kurbën e rritjes në vazhdimësi, nga viti në vit, shënon rritjen më të madhe prej vitit 2012, në vitin 2013, rritje e paprecedentë. Kjo është rritje prej 28 miliardë lekë. Duke e krahasuar me vitin 2004, vit në të cilin ju (opozita e sotme) keni fituar të ardhura të mëdha nga privatizimi i Bankës etj., duke siguruar të ardhura totale gjithsej 184 miliardë lekë, ky buxhet që ne ju paraqesim këtu, është buxheti i cili realizon të ardhura totale, pasi ka përgjysmuar e stër-përgjysmuar taksat, 360.6 miliardë lekë. Sigurisht ky është dyfishimi i ekonomisë, me gjysmën e nivelit të taksave që vendosnit ju. Kjo do të thotë se po kaq e më shumë, i mbeten biznesit shqiptar për t’u zhvilluar. Këtu qëndron e vërteta e madhe se përse ekonomia shqiptare gjeneron gjithnjë vende pune, se përse ju nuk gjeni dot atë që kërkoni çdo ditë, rritjen e papunësisë, por konstatoni uljen e saj, ulje të cilën e certifikoi edhe Komisioni Evropian, me të vërtetën e madhe që shpalli se, Shqipëria është vendi i vetëm në të cilin papunësia ka pësuar rënie progresive. Ju duhet të dini se, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në një hark kohor tre-vjeçar, prodhimi i brendshëm për banorë, i indeksuar për paritetin e fuqisë blerëse, në Shqipëri është rritur me 13.4 për qind, ndërkohë që në vende të tjera të Evropës Qendrore, është rritur me 7.4 për qind.

Kur unë deklaroja, në mënyrë të përsëritur, se Shqipëria qëndronte në krye të rritjes ekonomike në Evropë, ju e përcillnit atë me sarkazëm të pamerituar. Fakti është që tani del Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilit ju i jeni referuar gjithnjë, i cili pohon se rritja e GDP-së për banorë, e indeksuar me paritetin e fuqisë blerëse, është rritur 2 herë më shumë se mesatarja e Evropës së zhvilluar. Është rritur mbi 4 herë më shumë se në vendet e rajonit, është rritur sa në asnjë vend tjetër të kontinentit.

Kjo rritje ka bërë të mundur që kjo qeveri të ecë e vendosur në objektivat e saj dhe objektivi nr. 1 i qeverisë sonë ka qenë dhe mbetet rritja e rrogave dhe pensioneve.  Ne i qëndrojmë këtij objektivi, sepse ne besojmë se me rritjen e rrogave dhe pensioneve, ne përmbushim, së pari, dimensionin social, fytyrën njerëzore të qeverisjes. Ne rrisim rrogat dhe pensionet, sepse besojmë se investimi në mendjen, në burimet njerëzore, është më i rëndësishëm se të gjitha investimet e tjera. Por ne vijmë krenar këtu, para shqiptarëve, sepse ne, ndonëse jemi ata të cilët në harkun kohor më të shkurtër, nga 2006 deri në 2012, kemi rritur rrogat e arsimtarëve nga 140 deri në 150 për qind, sipas kategorive, kemi rritur rrogat e mjekëve dhe infermierëve nga 130 deri në 150 për qind, sipas kategorive, këtë vit i rrisim përsëri me një rritje e cila shkon rreth  5 për qind, që  është dy herë më shumë sesa indeksi i inflacionit, është një dopio indeksim. Ne kemi rritur pensionet, nga 34 dollarë që jepnit ju (opozita e sotme) për të gjithë ata të cilët shkrinë jetën e tyre në skllavërinë e kooperativave bujqësore, në  78 dollarë sot dhe do të rriten me mbi 5 për qind.

Kemi rritur dhe 2-3 fishuar, sipas kategorive të invalidëve, pensionet e tyre dhe mbështetjen për ta. Kemi rritur me mbi 2 herë ndihmën ekonomike për qytetarët shqiptarë, kemi rritur në mënyrë të ndjeshme të gjitha kategoritë e pensioneve për 540 mijë pensionistë të vendit dhe që do t’i rrisim sërish këtë vit.

Pra, të gjitha këto u realizuan duke ulur në mënyrë progresive barrën fiskale për biznesin shqiptar, duke bërë që ato të disponojnë fonde të mëdha për investime dhe punësim.

Zonja e zotërinj deputetë,

Ndonjëri prej jush që merr për të vërtetë statistikat, edhe mund të pyesë: “kjo rritje e madhe e rrogave dhe pensioneve, rritje të cilën nuk e ka bërë asnjë vend tjetër, rritje me të cilën Shqipëria ka tejkaluar tregje në 4 vende, për rrogën mesatare dhe, të gjitha vendet e tjera për rritjen e rrogave, a nuk përbën kjo një barrë të madhe për sektorin privat? Por kjo është mrekullia e politikave ekonomike. Me të gjitha këto rritje, Shqipëria, në sajë të politikave që ndoqi, shpenzoi në fondin e pagave 5.2 për qind të GDP-së, ndërkohë që për qeveritë e vogla niveli është 6 për qind e GDP-së.  E them këtë para shqiptarëve sepse, kur këta zotërinj ishin në pushtet, për rrogat shpenzonin rreth 7 apo 8 për qind të GDP-së dhe e fundosën sektorin privat, sepse e shndërruan administratën në shtojcë të partisë. Mund t’ju jap vetëm një shembull, bashkinë e mëparshme të Tiranës. Ne ia trefishuam fondet, por çfarë ndodhi me fondet që ne çuam për rrugët e rrugicat e Tiranës. Nuk mbeti asnjë qindarkë për to, të gjitha u bënë rroga partie. Të bëheshin rroga të partisë “hallall”, në një farë mënyrë, por ato u bënë rroga të 99-shave, të cilët të gjithë ndërtuan sistemin e vilave nga më modernet. Por imagjinoni ju se si një njeri, që nuk ka punuar 1 ditë, mund të ndërtojë vilë 3-katëshe. Këta janë ata të cilët, njëri pas tjetrit, po marrin funksione në partinë tuaj. Përse nuk e keni ndërtuar dot ju të tjerët një vilë?. Sepse nuk ishit 99-ësh, sepse të ndërtoje një vilë duhej të ishe 99-ësh. Por këto gjëra i zgjidh muaji qershor.

 Ky është buxheti i mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, buxhet familjar, i cili jo vetëm do të përballojë indeksin e rritjes së çmimeve, por  do shoqërohet me një rritje 2 herë më të madhe. Nga kjo përjashtohen rrogat më të larta, që do të kenë një rritje vetëm prej 1 për qind, pa indeksim. Sepse kjo është në politikën tonë. Kur unë shkoj vizita nëpër shkolla dhe u deklaroj mësuesve para nxënësve se; në vitin 2005 diferenca midis rrogës së Kryeministrit dhe rrogës së mësuesit ishte 9 herë dhe tashmë, në vitin 2012, ka zbritur në 4.5 herë dhe do të zbresë edhe më tutje, vetëkuptohet që ne nuk mund të rrisim rrogat e larta, vetëkuptohet që do rrisim rrogat e mesme dhe ato të ulëta. Kjo është një politikë e cila diktohet nga vlerat dhe vlerësimi i punonjësve të administratës dhe jo nga kultet e krijuara, siç bëtë ju në 8 vitet të qeverisjes.

Zonja e zotërinj,

Ky është buxheti i mirëqenies së qytetarëve shqiptare, sepse është buxheti i ndërtimit dhe përfundimit, gjatë vitit që vjen, të 2 mijë km rrugë të tjera. Në një hark kohor të shkurtër, ne ndërtuam 10 mijë km rrugë e autostrada.  A ju kujtohet, të nderuar qytetarë, kur ne deklaruam për herë të parë se do të ndërtojmë 6 mijë km rrugë dhe eksponentë kryesorë dhe ish ministra të qeverisë socialiste, përqeshën në media se në Shqipëri nuk ka aq km rrugë, se kjo është një trillim, një fantazi, në një kohë kur mjaftonte të klikonin në google dhe do të gjenin Shqipërinë me 18 mijë e 400 km rrugë. Natyrisht, për ata nuk ekzistonin kaq kilometra sepse ata shëtitjen e bënin, nga bulevardi në Durrës, maksimumi në Vlorë dhe në qendrat e qyteteve, por kurrë në zonat e thella. Njëherë shkoi kryetari i tyre në Kala të Dodës dhe “rrahu gjoksin” më shumë se ekipi që u ngjit në Everest. Bëri filmin e radhës, ishte veshur me triko e me xhup, për të treguar se sa i vështirë ishte udhëtimi për në Kala të Dodës. Por shkoni tani atje me makinë, maksimumi për gjysmë ore nga Kukësi apo Peshkopia, jeni në qendër të Kalasë. Meqenëse zotëria thotë për Beratin, duhet të dini se në qarkun e Beratit janë ndërtuar 400 km rrugë, në të katër anët e qarkut, përfshi edhe fshatin e Edi Ramës, në Mbreshtan, ku nuk kishte ndërtuar asnjë km rrugë, pra përfshi edhe fshatin e tij. Sigurisht, të gjitha rrugët përnjëherë nuk ndërtohen, por në Berat po investohet më shumë se në çdo qytet tjetër. Por këtë të vërtetë do t’jua tregojë Berati kur t’u nxjerrë “me këpucë në kuqe” në  23 qershor. (ndërhyrje nga deputet në sallë) Shko në Qereshnik, sepse je mësuar të shkosh ose të Kullat, ose në Sheraton, apo në kazino, por shko njëherë në Qereshnik dhe shih se si e kishin qëndisur atje me ullishte, ndërkohë që ne rrugën e çuam deri në krye të fshatit. Rrugën e Kanioneve kush po e ndërton, rrugën Skrapar –Përmet kush po e ndërton. Shko dhe shikoji. Ti je në Tiranë, nuk je në Skrapar, ti je miliarderi i PS-së në kupolë. Unë e kuptoj reagimin tuaj dhe e keni të vështirë të dëgjoni. Unë ua thashë që në fillim se  sot ishte dita e zilisë suaj, isha i sigurt se këtë gjë do të bënit nga zilia. Por çfarëdo që të bëni ju, gjatë vitit që vjen do të ndërtohen  2 mijë km rrugë.

Ndërtimi i rrugëve është dhe mbetet përparësi absolute. Ky buxhet adreson në rrugë e rrugica të shqipëruese 500 milionë dollar. Unë ju jap fjalën e nderit qytetarëve shqiptarë se, brenda dy viteve që vijnë, Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të mirë e më të ri në Evropë, rrjetin rrugor që do t’i bëjë ata që të vijnë në epiqendrën e vendit të tyre, nga çdo skaj i vendit, duke kursyer 70 për qind të kohës që u duhej për të ardhur deri më sot. Ky është zotimi ynë solemn.

Zonja dhe zotërinj,

Ky është buxheti i fëmijëve të Shqipërisë. Deri më sot nga 2005, siç konstaton ndonjëri prej jush që shkon në zona rurale se të tjerët nuk shkelin asnjëherë, pra siç keni konstatuar kemi ndërtuar shkolla nga më modernet, kemi rindërtuar shkolla të cilat dalin jashtë fantazisë së zakonshme, të gjithë këto së bashku janë 1300 shkolla, janë 71% e të gjithë infrastrukturës shkollore të vendit. I kemi pajisur që të gjitha ato me internet dhe tani fillon internet me bandë super të gjerë, tani fillon shtrirja  e mësimit dixhital në çdo klasë. Tani implementohet dhe është në vazhdim biblioteka dixhitale dhe metodat më moderne dixhitale në klasë. Por ju, kur shikoni kryeministrin të inaugurojë shkolla, nuk hyni më nëpër shkolla, sepse ai ju ndalon, siç ua ka ndaluar rrugën “Murat Toptani”. Këta nuk shkelin më në rrugën “Murat Toptani” vetëm se nuk ua inauguroi kryetari i tyre.

Pra është buxheti i fëmijëve shqiptare, buxhet me te cilin ne do të ndërtojmë shkolla të reja dhe do të rindërtojmë gjysmën e atyre që kanë mbetur për tu rindërtuar, në mënyrë që nga 71 % shkolla të ndërtuara dhe të rindërtuara të arrijnë në 87 % për tu vazhduar vitin tjetër të mandatit që vjen dhe për tu kompletuar 2, 3 vitet  e tjera të mandatit që vijon. Pra ky është buxheti i arsimit. Ne kemi deklaruar se arsimi është për ne përparësia e të gjithë përparësive. Vendosja  e shoqërisë shqiptare mbi dijet është apeli dhe kushtrimi më i madh i këtij 100 vjetori. Ata që lexojnë Sami Frashërin, burrin gjenial që hartoi në një libër jo voluminoz doktrinë e shqiptarësisë, projektin e Shqipërisë së shekujve, ata konstatojnë se ky gjeni, Shqipërinë e pavarur e përfytyronte vetëm si Shqipëri të dijes, vetëm si Shqipëri të shkencës, të letrave, të universiteteve, të shkollës, të dritës në të gjithë cepat e trojet etnike shqiptare. Pra, arsimi mbetet përparësia e këtij buxheti. Natyrisht, një shtytje të re do të marrë edhe arsimi privat dhe jam këtu për të deklaruar para jush se do të bëjmë gjithçka që gjatë viteve që vijnë ti japim mbështetjen më të fuqishme arsimit privat, në mënyrë që sa më shumë fonde financiare, burime njerëzore të angazhohen për arsimin e fëmijëve tanë.

Në një hark kohor shumë të shkurtër 5-6 vjeçar, sot shkollat e larta të vendit dhe universitet private kanë 32 mijë studentë aq sa kishte Shqipëria në vitin 2001. Pra do të bëjmë gjithçka për një arsim modern, për arsimin më të avancuar. Fondet për arsimin do të jenë fonde që do ti përkushtohen jo vetëm infrastrukturës, por edhe arsimit më modern.

Ky buxhet mbështet fuqishëm sistemin shëndetësor. Shqipëria sot në spitalet saj dhe qendrat rajonale të shëndetit ka instaluar teknologjitë më moderne në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Shqipëria sot ka arritur disa nga treguesit më të rëndësishëm në vdekshmërinë foshnjore, vdekshmërinë në përgjithësi, parandalimin e sëmundjeve, trajtimin dhe diagnozën. Sot, qendrat shëndetësore në Shqipëri komunikojnë on-line në kohë reale,  me qendrat shëndetësore më të njohura të planetit për të qartësuar elementë të vështirë në diagnozën e pacientëve shqiptarë, por prapë kjo mbetet një nga përparësitë madhore. Shtrirja e diagnozës, aplikimi i metodave më  moderne mbetet një qëllim. Por prapë dua tu informoj të dashur qytetarë shqiptarë se lista  e barnave të rimbursueshme në vlerë është pesëfishuar në raport me vitin 2005. Nga 50 milion dollarë, sot është 250 milion dollarë. Ajo sot është një nga listat më të gjata në Evropë me 410 medikamente. Këto dimensione do të konsolidohen. Do të bëhet gjithçka për një shërbim shëndetësor dhe për një shërbim modern shëndetësor dhe për reformën më serioze të këtij shërbimi.

Zhvillimi rural dhe i bujqësisë së vendit. Edhe ky është një drejtim themelor. Këto vite kanë qenë vitet e investimit të miliarda e miliarda eurove në zonat rurale të vendit. Duhet të mos rrish në Hotel Sheraton gjithë ditën, por të dalësh për të parë, të shkosh në Sarisalltëk, të shkosh deri në Shëngjergj për të parë rrugën e re, të shkosh në çdo zonë, të shkosh në Kala të Dodës, të udhëtosh drejt Stërblevës, të shkosh në skaj të vendit për të parë se ku është zhvillimi rural. Nuk ka zhvillim rural pa rrugë. Nuk ka zhvillim rural pa energji, pa shkolla, pa qendra shëndetësore dhe ne po bëjmë gjithçka që çdo fshati ti ofrojmë infrastrukturën e qytetit. A e dini ju se nga 460 km rrugë në kryeqytetin e vendit, 260 janë të paasfaltuara  dhe te tjerat të rrënuara? Ju dilni vetëm nga Selia deri në parlament dhe në Rogner. Dilni pak në periferi dhe shihni se si i la kryetari juaj qytetarët e Tiranës, megjithëse ne ia trefishuam buxhetin. Pra zhvillimi rural mbetet përparësia më absolute. Por krahas këtij projekti të madh ne besojmë se potenciali i jashtëzakonshëm i Shqipërisë është ta shndërrojmë ashtu siç e përshkroi Faik Konica, në “kopshtin shkëmbor të Evropës Juglindore”. Shkëmbor se Shqipëria është shkëmbore, por kopsht sepse në shkëmbinjtë  e saj, në shpatet, luginat, rriten drurë frutorë të cilësisë më të lartë, në kodrat e saj ullishtet më të bukura. Ndaj dhe ne po ecim me shpejtësinë më të madhe dhe unë ju garantoj këtu të dashur qytetarë shqiptarë dhe deputetë se ullishtat gjatë kësaj periudhe të këtij projekti kombëtar, jo vetëm janë dy, tre apo katërfishuar, por janë rritur disa herë më shumë. Shko i dashur zoti Majko në Gosë dhe hidh një sy, shiko se sa ullinj të vjetër dhe sa të rinj janë. Shko në Qershnice dhe numëro pak ullinjtë  e rinj dhe të vjetër dhe atë del kështu si them unë apo jo. Ngjitu pak ne kodrat mbi Kavajë e Peqin. Shko pak drejt Belshit. Shko në Mallakastër dhe shih si është bërë një Mallakastër e re me ullishte të reja. Respektoni mundin dhe djersën e fermerëve tanë. Ne subvencionojmë, por merita më e madhe është  e fermerëve shqiptarë, se në rast se e subvencionojmë një, ata mbjellin pesë, dhjetë, pa subvencion. Dhe po qëndisim kodrat, fushat e tyre me ullirin , drurin e Skënderbeut. E kemi amanetin e tij që na la.

Projekti i arrorëve. Isha në Peshkopi, në panairin e prodhimeve bujqësore dhe natyrisht në këtë rreth hektarët e mbjellë, mbjellja  e mollëve dhe në tërësi plantacionet janë rreth 2000 ha. Por ajo që më gëzoi shumë ishte se në një hark kohor 2 vjeçar  janë mbjelle 800 ha me arra. Pyeteni atë zotëri në qoftë se ka qenë në Macukull se çfarë plantacionesh me arra janë mbjellë në këtë fshat të mrekullueshëm. Do të çojmë dhe rrugën aty. Pra në Shqipëri po ndodh pyllëzimi me dru frutorë. Shqipëria do të jetë vendi i parë që politikën e pyllëzimit do ta ketë me dru frutorë. Fermerëve shqiptarë ju premtoj se do të rrisim më tej fondin e subvencionit dhe kam kënaqësinë  e madhe që në datën 17 dhjetor inaugurojmë fillimin e projekteve të BE në mbështetje të tyre për agrobiznesin, për plantacione dhe kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më e madhe vlerësimi dhe dashuria e fshatarit shqiptar për tokën e mrekullueshme, cilësitë e jashtëzakonshme që ka. Ky buxhet hedh bazat e mandatit të ardhshëm për të ndërtuar në Shqipëri sistemin më modern të vaditjes. Shko në peshkopi më raportuan 90 ha vaditje me pika. 90 ha ndër mijëra ha nuk janë shumë , por është një hap i madh përpara.

Ky është buxheti i mirëqenies sepse do ti japë një zhvillim të madh zhvillimit rural dhe fermës shqiptare. Ky buxhet do të përgatisë më tej Shqipërinë turistike. Janë një seri investimesh të gjera që kanë përparësi zonat turistike. Dhe tashmë jo vetëm zonat turistike bregdetare, por zonat turistike malore. Ku jeni ju zotërinj deputetë të Gjirokastrës. Ngjituni në Çajup po të doni. Së shpejti do të zbresim në Zagori në ato zona turistike të mrekullueshme. Po shkojmë drejt kanioneve të Skraparit, po zbresim mespërmes Mokrës turistike. Kemi ndërtuar rrugën e re, do të shkojmë ta inaugurojmë për në Prespë për të hapur për turizmin evropian dhe botëror një nga perlat  e këtij turizmi, liqenet e Prespës. Po shndërrojmë në shëtitore 20 km rrugë buzë liqenit të Ohrit. Po ecëm me më një rrugë të shkëlqyer drejt Stërblevës, Qafë-Shtudër, një nga pamjet më mahnitëse, Parkut Kombëtar. Po ecim drejt Gurakuqit dhe Bizës me rrugën tjetër, po shkojmë drejt zonave që as në Google nuk i gjeni dot. Po ecim drejt Thethit, drejt Shishtavecit, drejt të gjitha zonave malore të vendit.  Sigurisht edhe drejt Lazaratit. E keni biologjike urrejtjen ndaj  Lazaratit, e keni të trashëguar nga diktatura këtë. Unë kam patur një mik, mjek nga Lazarati. Në kohën që ai studionte me mua kishte vetëm një të ri tjetër nga ajo zonë që ishte në universitet, sepse Lazarati, ishte nga ato zona të dënuara për të mos u dhënë të drejta studimi. Po ishin disa zona, dhe Lazarati ishte në krye. Ju vazhdoni urrejtjen ndaj tyre, sepse ato nuk ju votojnë kurrë.

Pra të gjitha këto janë përgatitje për të shpalosur para shqiptarëve në rradhë të parë dhe para Evropës dhe botës bukuritë magjike të  këtij vendi malor.

Buxheti do të mbështesë fuqishëm institucionet e zbatimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ndryshimet e reja jam i bindur dhe ju premtoj shqiptarëve se do të hapin një kapitull të rëndësishëm në luftën kundër këtij armiku, sepse kjo është demokracia. Në demokraci edhe mund të bësh gabime, por fatmirësisht të përcjell. E ka këtë meritë të madhe, ndaj dhe ky buxhet hap një kapitull të ri në luftën kundër korrupsionit.

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptare,

Në këto vite, ju bëj thirrje të ndaleni dhe të mendoni për një moment se cilat ishin prokurimet publike në vitin 2005, kur 80 % e tyre ishin pa tender. Kurse sot prokurimet publike janë 100 % elektronike. Në qoftë se në vitin 2005 në prokurimet publike merrnin pjesë gjithsej 2500 kompani, në vitin, kur ne ndaluam prokurimin direkt, ato arritën në 8000 dhe kur kaluam në prokurimin dixhital, arritën në 56 mijë. Kjo është transparenca. Nuk them se nuk ka më korrupsion, por ka shumë herë më pak. Ky është sistemi më transparent në botë. Kujtojuni qytetarëve shqiptarë se si ishin pranimet në universitetet e këtij vendi: stadiumi mbushej e ktheje në një panair korrupsioni. Sot, 162 mijë studentë, që ndodhen në auditorë, janë ulur aty me zero korrupsion për sa i përket pranimeve, nuk mund të thoni as edhe një rast të vetëm. U bëj thirrje qytetarëve të kujtojmë se cili ishte regjistrimi i biznesit gjashtë vite më parë. Qytetari duhej të paguante 4 mijë euro, duhej të shkonte disa herë në gjykatë, të paguante në dorë e nën dorë. Sot çdo qytetar shqiptar e i huaj e regjistron biznesin për gjysmë ore, me një euro. Çdo qytetar vendas e i huaj dorëzon kërkesën për licenca e leje dhe në portalin on line të kësaj agjencie ka mundësinë për të ndjekur nga shtëpia, çdo hallkë të dokumenteve të dorëzuara. Por cili ka qenë sistemi i mëparshëm? Lejet e licencat ishin shndërruar në indulgjencat mesjetare të korrupsionit.

Këto ditë inauguruam postierin dixhital, që si qëllim kryesor ka përmirësimin e shërbimit dhe transparencën. Shkoni vizitojeni dhe do të shihni se postieri dixhital është mundësinë që qytetari shqiptar, nga katër skajet e vendit, të firmosë dokumentin dhe firma e tij të kalojë on line në qendër, të marrë postën e të bëjë transferta në mënyrën më transparente. Imagjinoni sistemin e mëparshëm me çeqe e fatura, që përfundonin në xhepa. Kjo është lufta kundër korrupsionit.

Shikoni gjithashtu sistemin e noterisë. Shqipëria qëndron në krye të standardeve për noterinë dixhitale. Po ashtu drejtohuni Zyrës së Regjistrimit të Pasurive. Vizitojini këto zyra se ju duhet, sepse ju ka mbetur në mendje koha juaj, kur zhduknit regjistra të tërë e falsifikonit. Ndërsa sot nuk mund të bësh asnjë veprim të tillë, pasi ka sistem gjurmimi të dokumentit nga shtëpia a kudo që të ndodhesh.

Sot, në luftën kundër korrupsionit, ka një përpjekje shumë serioze për reformën në sistemin e drejtësisë. Qeveria do të mbështesë me fonde këtë reformë, do të bëjë gjithçka që performanca e saj, në rrafshin material, të ndihmohet për mirë.

Ky është buxheti i Shqipërisë dixhitale. Në vitin 2005 përdorimi i celularëve në Shqipëri ishte 38 përqind dhe nga kjo përqindje, absolutisht 10 përqind flisnin, ndërsa të tjerët thoshin më bëj “një zile”. Natyrisht, ju bënit pjesë tek ajo përqindje që flisnit, por unë po flas për qytetarët e thjeshtë, të cilët, edhe pse mund të kishin një aparat që mund t’ia kishte sjellë djali apo vajza, nuk mund të flisnin dot. Kjo, sepse ju futët kompanitë tuaja në veprim dhe në vend që të uleshin çmimet, ato rriteshin në stratosferë. Por kjo nuk është çështje e kësaj seance, por e një seance tjetër. Ndërsa sot, çmimet janë 3-5 herë më të ulëta, sipas shërbimeve. Sot, Shqipëria ka një shkallë përdorimi të celularëve 186 përqind, një nivel ndër më të lartët në Evropë e në botë. Sot është vendosur në arkiv “më bëj një zile”.

Gjithashtu, sot, Shqipëria, nga 4.8 përqind përdorues interneti, ka mbi 60 përqind. Të rinjtë shqiptarë qëndrojnë në krye të bashkëmoshatarëve të tyre në Europë për komunikimin me Facbook. Sot janë në zhvillim e sipër 125 programe në fushën e Shqipërisë dixhitale. Shqipëria do bëjë gjithçka për të kapur nivelet më të larta në këtë fushë. Tre javë më parë inauguruam autostradën e parë dixhitale Kosovë-Shqipëri. Kjo autostradë bën të mundur një fluks interneti të shumëfishuar, krahasuar me këtë që kemi sot. Në rast se në total fluksi i interneti është 30 Gbps, me këtë autostradë ai rritet në 130 Gbps. Qytetarët shqiptarë, nëpërmjet këtij buxheti, do të shërbehen me çmimet më të leverdishme, me spektrin më të gjerë, me shpejtësinë më të lartë dhe cilësinë më të mirë të internet. Ne i qëndrojmë programeve që kemi shpallur.

Zotërinj deputetë,

Mjedisi është e mbetet përparësi madhore. Ndaj qeveria ka bërë e bën çdo gjë, për të nxitur energjinë e rinovueshme, si energjia më miqësore ndaj mjedisit. Ne hoqëm 50 deri në 70 milionë euro taksa për çimenton e çelikun për ndërtimin e hidrocentraleve, për të përparësuar këtë degë. Por ju [deputetë] dëgjoni vetëm fabrikën e mashtrimit të PS-së. Sikundër po bëhet çdo gjë për të inkurajuar energjinë diellore e të erës. Pra, po bëhet gjithçka për mbrojtjen e mjedisit. Mbrojtja e zhvillimi i tij janë qëllime madhore të këtij buxheti.

Zotërinj deputetë,

Edhe sot, ju do të ndaleni tek borxhi, pasi ju keni psikologjinë e lashtë që borxhi është një lak imperialist në qafën e popujve. Por dua t’ju njoh me disa zhvillime të reja moderne. Fillimisht, si është historia e borxhit në Shqipëri. Kur ju ishit në pushtet, në vitin 2000 apo 2001, shpenzimet e shqiptarëve për të paguar borxhin ishin 5 përqind e Prodhimit të Brendshëm, erdhët deri në 4.2 përqind dhe 3.6 përqind. Ndërsa sot, shqiptarët shpenzojnë për pagimin e borxhit 3.2 përqind të Prodhimit të Brendshëm. A mund ta përdorni ju borxhin për argument, në një kohë kur ju merrnit borxh për të mbushur xhepat me rrogat tuaja, udhëtime luksoze e dëfrime. Sot nuk është marrë asnjë qindarkë borxh për qëllim tjetër, veçse për investime. Në qoftë se ka një gjë me të cilën kjo mazhorancë mund të krenohet, është fakti se borxhi publik, gjatë katër viteve, ka variuar 60 plus/minus 2 përqind, në një kohë kur në vende të tjera borxhi publik është rritur me 40, 50 apo 60 përqind, në një kohë kur Shqipëria ka ruajtur nivelin më të lartë të investimeve dhe të shpenzimeve kapitale, në tërësi. Ky borxh jo vetëm që nuk është kërcënues, por ai përbën një shëndet të vërtetë për ekonominë shqiptare.

Të nderuar zotërinj deputetë, më lejoni të citoj këtu, situatën e borxhit në vendet më të zhvilluara të planetit. Shqipëria, ndër 145 vendet e studiuara për borxhin në raport me Prodhimin e Brendshëm, renditet e 41-ta, çka do të thotë se janë 104 vende me borxhin më të madh se Shqipëria. Por këto vende kanë fatin e mirë se nuk kanë një opozitë, e cila të ketë konceptet e vjetra mbi borxhin imperialist.

[Ndërhyrje nga salla] Ju, Presidentin Obama, kur ju intereson për diçka, e citoni, por kur del tek problemi tjetër e harroni, e injoroni. Një ditë bëheni me Presidentin Obama, ditën tjetër kaloni me Romney. Por ju nuk jeni as me njërin, as me tjetrin. Ju jeni me Enverin. Kjo është e vërteta! Jua njoh konceptet. Edhe ai [Enveri] zotohej se nuk merrte borxh, por, kur erdhëm në pushtet, gjetëm 500 milionë borxh bankave private, ose 200 përqind të GDP-së, edhe pse Kushtetuta e ndalonte borxhin.

Duke u kthyer në situatën e borxhit në vendet më të zhvilluara, Japonia e ka borxhin 211.7 përqind; Italia 120 përqind; Singapori 110 përqind; Kanadaja 118 përqind; Britania Madhe 86.3 përqind; Franca 86.1 përqind; Gjermania Federale 81.8 përqind; Austria 73 përqind; Shtetet e Bashkuara 102 përqind.

Në prill të këtij viti, tre institucione ndër më seriozet në planet botuan një studim të gjerë mbi borxhin në tërësi dhe borxhin publik. Një studim që fillon me borxhet nga 1800-ta e deri në ditët e sotme. Në këtë studim të Carmen Reinhart, Vincent Reinhart, Morgan Stanley dhe të Kenneth Rogoff, ata kanë gjetur një gjë interesante: si nivel të shëndetshëm të borxhit kanë gjetur borxhin publik 90 përqind të GDP-s. Kjo, sepse këta studiues gjeniale kanë gjetur se çdo përpjekje për të dëmtuar rritjen ekonomike është mizore, është ç’punësuese, është deprimuese, është pothuaj një barbari ekonomike. Këta kërkojnë që borxhi të mos kalojë 90 përqind, por rekomandojnë që kushti i të gjitha kushteve është ruajtja e rritjes ekonomike. Rritja ekonomike është gjenerator i mirëqenies, është gjenerator i zhvillimit, gjenerator i punësimit, gjenerator i shpresës,  entuziazmit dhe optimizmit dhe çdo cenim i saj është vetëvrasje ekonomike e padiskutueshme. Ju, që bërtisni se u rrit borxhi 2 përqind, nga 60 në 62.6 prqind, keni vetëm konceptet më arkaike të kohës së shkuar për borxhin. Ju kërkoj të lexoni e të azhurnoheni me literaturën e re.

Zonja e zotërinj,

Ky buxhet, për vitin në të cilin miratohet, për objektivat madhore që synon, për përmasat e tij, është buxheti më historik që është votuar në këtë parlament. Unë ju ftoj të ngriheni e të dilni mbi dy metra gjatësi me këpucë, e ta votoni atë”. 


07/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›