Kryeministri Berisha përshëndet punimet e Konferencës Ndërkombëtare Arsimore të Shqipërisë

Në përshëndetjen e tij drejtuar të pranishmëve, Kryeministri Berisha e konsideroi këtë konferencë si një zhvillim shumë të rëndësishëm për vendin, si dhe u shpreh se mendimet dhe konkluzionet e dala prej saj do të konsiderohen në mënyrën më serioze nga ministria e Arsimit, nga qeveria, për të vazhduar përpjekjet për një sistem arsimor të konsoliduar.
Më tej, Kryeministri Berisha renditi disa nga arritjet që janë shënuar vitet e fundit në sistemin arsimor në Shqipëri, si dhe u shpreh se tashmë është shumë e rëndësishme të rendet pas cilësisë dhe të nxitet kërkimi shkencor.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është kënaqësi e veçantë për mua t’i përshëndes përzemërsisht organizatorët e kësaj konference për një nga problemet më themelore të shoqërisë dhe kombit shqiptar, çështjen e arsimit, çështje e cila është dhe mbetet problemi më serioz për çdo qytetar, çdo familje, çdo shoqëri të qytetëruar dhe qeveri. Çdo qëndrim ndaj edukimit të brezit respektiv është qëndrim ndaj të ardhmes. Asgjë nuk përcakton më shumë të ardhmen, ndërtimin e saj, sesa qëndrimi ynë i sotëm ndaj arsimit, edukimit, shkollimit të të rinjve tanë.
Qeveria që unë drejtoj, në të dy mandatet, ka shpallur publikisht edukimin si përparësinë e të gjitha përparësive. Unë kam kënaqësinë t’ju informoj ju se buxheti për këtë sektor jetik, të një rëndësie përcaktuese për zhvillimin e shoqërisë, kombit dhe vendit, së bashku me pjesëmarrjen e sektorit privat, nga viti 2005 në vitin 2012 është dyfishuar. Me përpjekje të mëdha, duke shpallur se do të vendosim në epiqendër të reformave dhe të përpjekjeve tona për transformimin e këtij sistemi mësuesen dhe mësuesin, ndoshta si në asnjë vend tjetër në një hark kaq të shkurtër kohor, kemi rritur rrogat e mësuesve, sipas kategorive, nga 120 në 150 përqind. Sot nga ky sistem nuk ka më kërkesa për t’u larguar. Përkundrazi, kjo ka sjellë një angazhim dhe përkushtim të madh të këtyre misionarëve në detyrën e tyre fisnike. Gjithashtu, janë bërë përpjekje shumë të mëdha në përmirësimin e kurikulave të të gjitha fakulteteve dhe universiteteve të degëve të mësuesisë, si dhe po bëhet gjithçka të rritet cilësia e studentëve në këto degë.
Qeveria ka bërë një investim madhor. Ajo ka ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla në një hark kohor relativisht të shkurtër. Rreth 71 përqind e shkollave të vendit sot janë të reja ose të rindërtuara. Qeveria ka inkurajuar pjesëmarrjen e sektorit privat. Sot në universitet dhe shkollat e larta private studiojnë 32 mijë studentë, aq studentë sa kishte vendi në vitin 2001. Sot sektori privat përballon në arsimin parauniversitar, rreth 9 përqind të këtij arsimi. Sot, Shqipëria ka arritur disa tregues të vendeve të zhvilluara. Kështu, rekrutimi në shkollat e mesme nga 68 përqind që ishte ne vitin 2005, sot është 92 përqind. Pra 92 përqind e nxënësve që përfundojnë arsimin e detyruar hyjnë në shkollat e mesme. Sot numri i studentëve për 1000 banorë është mbi 4-fishuar me një shpejtësi të madhe. Në vitin 2005 Shqipëria ishte disa herë nën standardin evropian studentë për 1000 banorë, kishte 12 studentë për 1000 banorë, ndërkohë që ky standard ishte në mesatare 43 studentë për 1000 banorë. Sot Shqipëria numëron mbi 52 studentë për 1000 banorë dhe zbaton një politike inkurajuese, jo vetëm politikën e saj me dyer të hapura për pranimet në universitete, por inkurajuese edhe për sa i përket ndjekjes së universiteteve.
Shqipëria ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për shtrirjen e teknologjive të reja në mësimdhënie. Në vitin 2007 u kompletua shtrirja e internetit në të gjitha shkollat, ndërsa sot po ecet me shpejtësi drejt shtrirjes së e-learning në të gjitha degët e arsimit para universitar. Po bëhen përpjekje për shtrirjen e bibliotekës dixhitale dhe modernizimin e mjeteve të mësimdhënies. Pak javë më parë unë vizitova një shkollë të mesme. Mësuesja në orën e mësimit, duke e ditur që unë jam kardiolog, kishte zgjedhur një temë për zemrën. Ajo që më bëri përshtypjen më të madhe ishte se konstatova që ata nxënës në një hark kohor prej 15 minutash arrinin të shihnin dhe të mësonin atë që mua në vitet e mia si student në Fakultetin e Mjekësisë më ishin dashur, ndoshta, më shumë se një vit për të zbërthyer tërësisht kompleksitetin e organit të zemrës. Ndërkohë, atyre në një orë mësimi u demonstrohej me medota dixhitale, në mënyrën më të qartë, e gjithë anatomia dhe funksioni i zemrës. Mendova se ata janë të lumtur dhe kërkesat tona për t’i parë ata me libra, siç shinim veten tonë, ndoshta janë të tepruara. Sigurisht, ata kanë metoda të tjera tani me të cilat mësojnë në njësi kohe të shkurtër më shumë seç mësonim ne në orë apo javë të tëra. Kjo është meritë e teknologjisë së re dhe e metodave të reja të mësimdhënies. Natyrisht, në shkollat tona është bërë dhe bëhet përpjekje e madhe për t’i përshtatur ato me tregun. Janë adoptuar dhe po zbatohen mbi 500 programe. Po bëhet një përpjekje e madhe për të ecur drejt arsimit profesional, i cili këtë vit ka pasur një rezultat më të ndjeshëm, pasi krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje rreth 25 përqind të ndjekjes së këtij arsimi. Këta ishin disa tregues që dëshmojnë se janë bërë dhe bëhen përpjekjet më serioze për një sistem arsimor të avancuar. Janë bërë dhe bëhen përpjekjet më serioze për të vendosur shoqërinë shqiptare mbi bazat e dijes dhe për ta shndërruar atë në një shoqëri të dijes. Dua të theksoj se në tërësinë e tyre këto janë arritje sasiore të realizuara me një politikë të fuqishme mbështetëse. Këto arritje kanë jetike një përpjekje të madhe drejt niveleve të reja të cilësisë. Duhet të bëjmë gjithçka për të rritur cilësinë e mësimdhënies, cilësinë në arsimin parauniversitar, cilësinë në universitetet dhe shkollat e larta.
Ministria e Arsimit po punon edhe në përmirësimin e ndjeshëm të kurikulave për arsimin parauniversitar, duke marrë disa nga modelet më të avancuara të këtij sistemi në Evropë. Sidoqoftë, mbetem gjithnjë i bindur se sistemi ynë parauniversitar duhet të ketë në themel gjuhën shqipe dhe matematikën. Duhet të bëjmë gjithçka për të vendosur gjuhën tonë në piedestalin e saj, në të gjithë sistemin arsimor. Për shqiptarët gjuha është shtylla kryesore për identitetin kombëtar. Pas geneve shqiptarët kanë gjuhën dhe, më shumë se çdo komb tjetër, duhet të përqendrohen në sistemin e tyre arsimor për mësimin e saj sa më të rrjedhshëm. Le të adoptojmë metodat më të provuara në këtë drejtim. Në tërësi mësueset dhe mësuesit kanë një avantazh, sepse shqiptarët e duan shumë gjuhën e tyre. Kjo, natyrisht, duke ua ndarë në mënyrë të qartë nga letërsia, sepse ajo e gllabëron atë.
Ne kemi bërë një hap të madh përpara në drejtim të gjuhëve të huaja. Kemi vendosur anglishten me ligj për të gjitha gradat pasuniversitare. Mësimi i saj nis që në klasën e tretë, por nuk duhet të harrojmë dhuntinë poliglotë të shqiptarëve. Falë alfabetit dhe fonetikës së tyre shqiptarët janë nga ata që mund të mësojnë më lehtë dhe më mirë gjuhët e kombeve të tjera. Duhet të bëjmë gjithçka që gjuhët e dyta në shkollat tona të kenë të njëjtën peshë dhe të inkurajohet mësimi i tyre.
Zoti ministër, shfrytëzoj rastin në këtë konferencë të insistoj në shtrirjen dhe marrjen e masave për gjuhën kineze, e cila po merr një peshë gjithnjë e më të madhe në shkencë dhe teknologji, në Evropë dhe në botë. Në qoftë se u referohemi botimeve në revistat shkencore, botimeve me impakt të madh, botimet në këtë gjuhë qëndrojnë në një nivel shumë të lartë. Natyrisht, ky zhvillim i papërmbajtur i shkencës dhe teknologjisë në atë vend e ka gjetur mbarë botën të papërgatitur për këtë gjuhë. Kështu që është e domosdoshme të adoptohen metodat më të shpejta për mësimin e saj.
Të dashur miq,
Ne jemi në një moment shumë të rëndësishëm, moment që duhet të rendim pas cilësisë. Kjo është më e vështira. Nuk ka asgjë më të zorshme sesa gara e cilësisë, por ajo është dhe plotësisht e mundshme. Duhet të shqyrtojmë një e nga një të gjithë treguesit në universitetet tona, duke nisur nga numri i pedagogëve për studentë. Të flasim sa të duam ne për kërkimet shkencore, për inovacionin, por në rast se pedagogëve nuk u krijojmë hapësirat e nevojshme kohore, mjetet dhe laboratorët, nga detyrë parësore ata do ta kenë atë detyrë dytësore apo tretësore.
Të nderuar rektorë,
Unë ju kërkoj që së bashku me ministrinë e Arsimit të uleni dhe të shqyrtoni çdo lloj potenciali që ekziston për të rritur numrin e pedagogëve në universitetet tona publike dhe private. Edhe një herë, dua të sjell një shembull të atyre viteve kur unë nuk merresha me politikë, kishte një Fakultet Mjekësie me 460 studentë dhe 960 pedagogë. Natyrisht, nuk mund të them të kapim këtë standard, por ky Fakultet Mjekësie kishte studimet më avangardë në botë për sa i përket mjekësisë. Pra, ato ishin në tërësi think tank-e shkencore dhe studimore. Sidoqoftë, ne do të bëjmë gjithçka për të kapur standardin e OECD-së për raportin pedagog/student.
Duhet të bëjmë gjithçka për të inkurajuar kërkimin shkencor dhe këtu rëndësi kryesore ka financimi, laboratorët, kanë kushtet, ka liria e kërkimit shkencor dhe decentralizimi. Studiuesi, i cili ka në mendjen e tij një projekt kërkimor, nuk duhet të ndërpritet nga burokracia, por duhet të mbështetet fuqishëm dhe mbështetja më e mirë është t’i shkurtosh hallkat burokratike për zbatimin e projektit të tij.
Të bëjmë gjithçka për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë. Në këtë proces bashkëpunimi me universitetet, ky është një nga proceset më të frytshme. Fakulteti Ekonomik u lidh para disa vitesh me një universitet në Shtetet e Bashkuara dhe arriti në një kohë të shkurtër të krijojë sistemin më serioz të masterave dhe doktoraturave. Është e domosdoshme që fakultetet, universitetet, departamentet dhe katedrat tona ta kenë nevojë jetike bashkëpunimin ndërkombëtar. Qarqet akademike në tërësi, ndonëse konservatore, në të vërtetë janë më të hapurat kur vjen problemi për bashkëpunim ndërkombëtar. Në ligjet e vendit është i përcaktuar bashkëpunimi ndërkombëtar, thirrja e profesorëve dhe të gjitha këto, por asgjë nuk zëvendëson vullnetin e drejtuesve të universiteteve, dekanateve, departamenteve, katedrave për t’u angazhuar në një bashkëpunim më intensiv. Ju garantoj se kjo është një nga rrugët më të mira për të rritur cilësinë e mësimdhënies, kërkimit shkencore dhe inovacionit. Në një botë tregu të lirë përshtatja me tregun është një nga detyrimet më themelore të sistemit arsimor. Përshtatja me tregun është e vështirë, sepse në një shoqëri nuk ka asgjë më dinamike se tregu. Tregu është një forcë natyrale e papërmbajtur. Tregu është ai që nxjerr jashtë funksionit programet, jo një, por një seri programesh të vendosura në shkollat e larta. Është në detyrimin tuaj, të nderuar drejtues, që ta konstatoni këtë, që t’i mbuloni ato dhe të hapni të reja, në rast se doni që diplomat e studentëve tuaj të jenë të vlefshme. Kjo kërkon që vetë ju të keni një dorë në pulsin e tregut, kërkon të jeni sa më afër tij. Përndryshe, ne mund të rreshtojmë mbi 530 programe, mund të shkojmë në 700 dhe 1000, por problemi është se ato nuk i përshtaten tregut dhe janë me një vlerë shumë të dyshimtë.
Unë e përshëndes këtë konferencë dhe e konsideroj atë si një zhvillim shumë të rëndësishëm për vendin. Ju garantoj se mendimet dhe konkluzionet tuaja do të jenë konsiderohen në mënyrën më serioze nga ministria e Arsimit, nga qeveria, për të vazhduar përpjekjen tonë për një sistem arsimor të konsoliduar, për një sistem arsimor që ndjek me dinjitet garën për shkolla dhe universitete që rankohen dhe lartësohen gjithnjë e më shumë në sistemin e rating-ut për një sistem arsimor që i përshtatet gjithnjë e më mirë tregut të lirë.
Suksese dhe faleminderit për konferencën!”
07/12/2012