E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim Drejtorin për Çështjet e Evropës Qëndrore të Departamentit të Shtetit në SHBA, z. Jonathan Moore

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin për Çështjet e Evropës Qendrore të Departamentit të Shtetit në SHBA, zoti Jonathan Moore, i cili shoqërohej në takim nga Ambasadori i SHBA zoti Aleksandër Arvizu.

Pasi i uroi mikut mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Moore kënaqësinë e veçantë për suksesin e vizitës së Sekretares Clinton në Shqipëri. Kryeministri e cilësoi këtë vizitë si një vizitë historike dhe më të rëndësishmen në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Zoti Moore i shprehu Kryeministrit urimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe e falënderoi për mikpritjen. Zoti Moore përcolli kënaqësinë e veçantë të Sekretares Clinton për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe takimet shumë të suksesshme me autoritetet më të larta në Shqipëri. Të dy bashkëbiseduesit çmuan mesazhet e vlerësimit dhe të mbështetjes për demokracinë dhe konsolidimin e saj të vazhdueshëm në Shqipëri që Sekretarja Clinton dha gjatë vizitës së saj.

Zoti Moore falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e Shqipërisë në kuadrin e NATO-s dhe përkrah SHBA-ve, si një aleat besnik dhe i angazhuar për kauzën e lirisë, demokracisë dhe luftën kundër terrorizmit në botë. Ai gjithashtu përcolli vlerësimet për votimin e Shqipërisë  mbi rezolutën për Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, si dhe qëndrimin dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Kryeministri Berisha e siguroi zotin Moore se Shqipëria do të vazhdojë të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ai theksoi se progresi dhe forcimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon është veçse në të mirën e stabilitetit dhe paqes së tij.

Zoti Moore, nga ana e tij, vlerësoi përpjekjet,  lidershipin dhe angazhimin e Kryeministrit Berisha në procesin e integrimit evropian të vendit. Duke e siguruar Kryeministrin për mbështetjen e plotë të  SHBA për këtë proces, ai shprehu keqardhjen që miratimi i tre ligjeve nuk pati mbështetjen e nevojshme në Parlamentin e Shqipërisë dhe inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha, pasi i shprehu angazhimin e palëkundur të qeverisë për procesin e integrimit të Shqipërisë, bëri një rezyme të shkurtër të zhvillimeve politike në vend. Duke vlerësuar zhbllokimin e procesit politik dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, ndër të cilat Kodin Zgjedhor dhe ndryshimin e Kushtetutës për imunitetet, Kryeministri shprehu keqardhjen për vendimin e liderit të opozitës për bllokimin e paarsyeshëm te tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian.

Kryeministri Berisha theksoi se lufta kundër korrupsionit është themelore për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe suksesin e reformave të qeverisë. Ai ilustroi reformat e qeverisë në këtë drejtim, si dhe theksoi se lufta dhe dënimi i veprave korruptive është e një rëndësie themelore. Në këtë kuadër, Kryeministri vlerësoi se zgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm do të hapë një kapitull të ri dhe cilësor në luftën kundër korrupsionit, nga organi i Prokurorisë. Kryeministri çmoi cilësitë profesionale dhe integritetin e kandidaturës së dekretuar nga Presidenti i Republikës për këtë post, si një kandidaturë e cila do t’i japë tonin e duhur këtij organi, për një luftë pa kompromis dhe në mënyrë të paanshme dhe të pavarur ndaj korrupsionit dhe krimit.

Gjithashtu, Kryeministri e siguroi zotin Moore se zgjedhjet e 23 qershorit 2013 do të jenë të lira e të ndershme dhe shprehu besimin se, si qeveria, edhe opozita, kanë interes të përbashkët në arritjen  e standardeve më të larta ndërkombëtare dhe ftoi që SHBA të dërgojnë numrin më të madh të vëzhguesve.


05/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›