Kryeministri Berisha: Sabri Godo jetoi një jetë si një ikonë simbol i mençurisë dhe urtësisë
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot pasdite në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në nderim të politikanit, shkrimtarit të shquar dhe themeluesit të Partisë Republikane të Shqipërisë Sabri Godo, i cili sot përkujtohet në 1 - vjetorin e ndarjes nga jeta.
Të pranishëm në këtë aktivitet, në mjediset e Teatrit Kombëtar, ishin familjarë dhe të afërm të Sabri Godos, ministra të kabinetit qeveritar, ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, ish Presidentët e vendit, z. Rexhep Mejdani dhe z. Alfred Mojsiu dhe shumë personalitete e të ftuar të tjerë.
Kryeministri, pasi ndoqi një dokumentar të përmbledhur mbi jetën, aktivitetin dhe kontributin e z. Godo në zhvillimet politike të vendit, por edhe si intelektual dhe njeri i letrave shqipe, mbajti një fjalë në të cilën nderoi dhe vlerësoi figurën shumë dimensionale të Sabri Godos. Kryeministri shprehu bindjen se, me kohën, figura dhe personaliteti i tij do të marrin përmasat që ai kishte me të vërtetë, përmasa më të mëdha dhe ai do të shndrisë gjithnjë e më shumë në botën shqiptare, si një nga personalitetet dhe figurat më poliedrike në kohën që jetoi.
Sabri Godo, theksoi Kryeministri, jetoi një jetë si një ikonë simbol i mençurisë dhe urtësisë. Formimi i tij politik, urtësia e tij, vizioni i tij, ishin një pasuri e madhe për politikën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoni, në të gjitha trojet ku jetonin e luftonin shqiptarët.
Në fjalën e tij me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“E nderuar zonja Godo,
Te nderuara vajza te mikut tim Sabri Godo
Zotërinj ministra,
Shkëlqesi ambasadorë
Të nderuar zotërinj Presidentë Mejdani dhe Moisiu,.
Të dashur miq të pranishëm në këtë takim përkujtimor për mikun tonë të çmuar Sabri Godo.
Sot ne nderojmë 1 vit pasi Sabriu u nda nga ne, u nda nga familja, u nda nga shoqëria. E veçanta e kësaj dite është se sot ne takohemi me Sabriun disa herë më të madh sesa e njihnim një vit më parë. Jam i bindur se me kohën, figura dhe personaliteti i tij do të marrin përmasat që ai kishte me të vërtetë, përmasa më të mëdha. Ai do të shndrisë gjithnjë e më shumë në botën shqiptare Nuk mund të mos shprehem ndryshe veçse “në botën shqiptare”, sepse Sabri Godo ishte një nga personalitetet, një nga figurat më poliedrike në kohës që jetoi dhe i tillë do t’u përcillet brezave dhe kohërave.
Ndër gjithë dimensionet e shquara të Sabri Godos, pa diskutim që në qendër të tyre, do të shkëlqejë gjithmonë dimensioni i tij i lirisë, si luftëtar i lirisë. Pasardhës i një familjeje patriotike, ai pati fatin më të madh në moshën më të re, të marrë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së tij, të rrok armën e të dalë malit për liri, të luftojë me heroizëm pushtuesit, të luftojë me trimëri të madhe për çlirimin e trojeve shqiptare. Ky ishte një vendim mbi gjithë vendimet e jetës së Sabri Godos. Ai sakrifikonte çdo gjë për lirinë kombëtare, pa të cilën nuk ka dinjitet individual, pa të cilën nuk ka dinjitet kombëtar. Nuk ishte vetëm guximi dhe trimëria dhunti e shquar e shpirtit dhe personalitetit të tij. Cilido që e njohu atë, njohu tek ai më të mençurin e miqve, e shokëve, e bashkëpunëtorëve të tij. Sabri Godo jetoi një jetë si një ikonë simbol i mençurisë dhe urtësisë. E gjitha kjo rrezatoi në mënyrën më të fuqishme në ditët e pluralizmit në Shqipëri, në ekzistencën e pluralizmit, të bazuar në ato vlera për të cilat ai, që në rininë e tij të hershme, kishte luftuar i vendosur të sakrifikonte gjithçka, bazuar te kombi, te familja, te prona, themele këto të çdo shoqërie të qytetëruar.
Për 20 vite me radhë, ai përmbushi në skenën politike shqiptare një rol e mision shumë herë më të madh sesa partia që ai formoi, drejtoi dhe kryesoi. Formimi i tij politik, urtësia e tij, vizioni i tij, ishin një pasuri e madhe për politikën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoni, në të gjitha trojet ku jetonin e luftonin shqiptarët. Për të nuk kishte ndonjë dallim. Të dhimbshme, preokupante, të dashura, të rëndësishme, ishin jo vetëm problemet e shoqërisë shqiptare në Shqipëri, por problemet e shoqërisë shqiptare në Kosovë, në Maqedoni. Kombi ishte një dhe i pa ndarë. Për Sabri Godon, për këtë gjeni të letrave shqiptare, kollos të politikës së vendit, kufijtë shtetëror ishin produkt i një prej padrejtësive më të mëdha në Evropë, ishin të vetmit që ndanin shqiptarët, përndryshe ky komb gjithçka tjetër e kishte të përbashkët. Ndaj dhe në çdo rrethanë, “një komb një qëndrim” ishte motoja e tij.
Kam pasur fatin ta njoh shumë vite para pluralizmit, natyrisht në ato vite, si shkrimtar. Si shkrimtar ai është themeluesi i vërtetë i romanit histori shqiptar, është koloseu i kësaj gjinie. Ai solli në arenën e letrave shqipe njërin prej burrave më të shquar në tërë historinë kombëtare “Napoleonin” e Ballkanit, Ali Pashë Tepelenën, këtë kollos, këtë gjeni të kurajës e mendjes shqiptare, i cili bëri gjithçka për ringritjen e shqiptarëve, i cili i pohoi mbarë botës se ky komb nuk vdes kurrë, se ky komb, do, di dhe do të ndërtojë shtetin e tij. Pashai i Janinës do të bënte përpjekje titanike për të bashkuar trojet shqiptare në një shtet të vetëm. Ai u shndërrua në tmerrin e Perandorisë dhe Portës së Lartë. Sabriu kishte një dashuri shumë të madhe për këtë figurë, por të dukej sikur në dashurinë e tij, shprehej një ndjesë për harresën në të cilën e kishin vendosur në mënyrë të pamerituar shqiptarët.
Nuk mundej që pasioni i tij, pena e tij e artë, të mos i përkushtohej prijësit të të gjitha kohërave, Skënderbeut. Me një mjeshtëri të rrallë, ai u dhuroi letrave shqipe romanin tjetër histori, të madh, kushtuar Skënderbeut. Natyrisht, janë shkruar mbi 1 mijë vepra, por kurrsesi këto vepra nuk mund të pengonin Sabri Godon t’i përkushtonte talentin e tij të rrallë kësaj figure të madhe të historisë sonë kombëtare. Personalitete të tjera të shquara ishin objekt i ndriçimit në shpirtin e mendjen e shqiptarëve, me penën e tij.
Sabri Godo, në veprat e tij shkroi për luftën, për përpjekjet e titanike të shqiptarëve në këtë luftë, për të dalë në anën e drejtë të fitimtarëve.
Si deputet, ai dha kontribute historike në legjislacionin shqiptar. Në vitet më të vështira për kombin, ai kohën e ndau midis Tiranës, Prishtinës, Shkupit, duke u përpjekur të përcjellë kudo mesazhin e bashkimit kombëtar.
Ndaj le të përulemi sot me nderimin më të madh para veprës së tij të ndritur dhe le të shprehim gjithashtu, krenarinë tonë, sepse sot, pas një viti, e gjejmë këtë burrë disa herë më të madh sesa ditën që u nda nga ne. Faleminderit”.
05/12/2012