Fjala e Kryeministrit Berisha në seancën parlamentare të votimit të paketës ligjore, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Kryeministri Berisha përshëndeti sot miratimin e paketës ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se Parlamenti voton sot aktin më historik dhe më solemn të historisë sonë kombëtare pas shpalljes së Pavarësisë.
“Zonja Kryetare e Kuvendit,
Zotërinj deputetë dhe deputete,
Zotërinj ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare,
Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptar;
Sot, në këtë Parlament, ne votojmë aktin më historik, më solemn, më të rëndësishëm të të gjithë historisë sonë kombëtare që pas shpalljes së Pavarësisë. Ne votojmë sot, si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Aleancën më të fuqishme dhe më të shkëlqyer të lirisë së të gjitha kohërave.
Ne votojmët, në këtë Parlament, për të garantuar sot e tutje liritë tona, të fëmijëve tanë, fëmijëve të fëmijëve tanë dhe gjeneratave të vijnë. Ne votojmë sot për të nisur të sigurt rrugën tonë drejt të ardhmes që meritojmë.
Ne shqiptarët arkivojmë sot njërën nga historitë më të dhimbshme të planetit. Një komb tejet jetëgjatë, me një udhëtim ndër më mundimshmit, me një udhëtim gjatë të cilit u përball me pushtime të zgjatura, me diktatura të egra, me copëtime të dhimbshme dhe të pa merituara, me një udhëtim, të cilin kombi ishte i detyruar të mobilizonte, të angazhonte gjithçka dhe çdo gjë, për mbijetesën e tij të kërcënuar në mënyrë permanente.
Me të gjitha ato që shqiptarët kanë përjetuar, natyrshëm shtrohet pyetja, se si ata ia dolën të mbijetojnë nga barbaritë e të gjitha llojeve, barbaritë e të gjitha ngjyrave, duke qenë të gjithë në tokën e tyre dhe në diellin e tyre.
Shqiptarët mbijetuan dhe po jetojnë sot këtë ditë, sepse aspirata e tyre për liri dhe dinjitet nuk u shua kurrë. Aspirata e tyre nuk u shua nga asgjë, as nga pushtimet, epidemitë, mjerimet, skamja apo diktatura, por ajo mbeti e gjallë për t’u shndërruar në një realitet në vitet ‘90, mbeti e gjallë për t’u shndërruar në levën e Arkimedit të këtij procesi, të këtij akti madhor që po përjetojmë sot.
Një gjeneral i madh amerikan, Douglas MacArthur, në fjalën e tij në Kongresin Amerikan do të thoshte; “ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë”, kombet e vjetra nuk vdesin kurrë. I tillë është edhe kombi shqiptar.
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Kjo është një ditë, pa diskutim, më e madhja pas pavarësisë së vendit, e cila na mbush ne me një krenari të madhe dhe mirënjohje të thellë që patëm mundësi ta përjetojmë këtë ditë.
Por, para së gjithash, kjo është një ditë për t’i shprehur mirënjohjen më të madhe ndaj të gjithë shqiptarëve, të cilët sakrifikuan për liri dhe dinjitet, çfarë ata kishin më të shtrenjtë.
Mirënjohje ndaj studentëve, intelektualëve, qytetarëve dhe punëtorëve të Tiranës, që me një kurajë legjendare shembën në Tiranë ‘Murin e Berlinit’, perden e hekurt dhe hapën dyert e ndaluara, dyert e mbyllura për liri dhe pluralizëm.
Mirënjohje për të gjithë ata qytetarë shqiptarë dhe për ata zyrtarë shqiptarë, të cilët gjatë këtyre viteve, kontribuan në këtë proces me afrimin e progresiv të Shqipërisë në NATO. Por sot, mirënjohja më e veçantë u takon miqve të Shqipërisë, ndihma dhe solidariteti i të cilëve ka qenë përcaktues në suksesin e rrugës sonë.
Ne jemi të freskët në përvojën tonë, jo vetëm për vitet e egra të diktaturës, por kemi të freskët përvojën tonë në vitet ’90-’92, kur ne realisht dolëm prej saj, por dolëm si vendi më i sfilitur i planetit. Ne dolëm si një nga 2-3 vendet më të varfra të botës, si vendi ku ndërtimi më kryesor i të gjitha ndërtimi ishte ndërtimi i bunkerëve dhe tuneleve. Ne dolëm si vendi ku rënia ekonomike kishte arritur në mbi 40 për qind. Ne dolëm si vendi ku uria masive kërcënonte të bënte kërdinë, sepse ishte e mbjellë vetëm 21 për qind e tokave. Ne dolëm si vendi ku papunësia kishte arritur në mbi 80 për qind.
Sot është një ditë të kujtojmë me mirënjohje dhe nderim të madh, të gjithë solidaritetin e jashtëzakonshëm dhe ndihmën e gjithanshme që kombet e qytetëruara të Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kombe të tjera dëshmuan ndaj nesh. Miliarda e miliarda euro dhe dollarë të taksapaguesve të tyre i sollën në Shqipëri, në mënyrë edhe shqiptarët të ndërtonin demokracinë dhe ekonominë e tyre të tregut, që edhe më vonë kombi ynë të mund të ecte sigurt drejt kësaj dite që jemi sot.
Një mirënjohje të jashtëzakonshme dua t’i shpreh sot qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Xhorxh W. Bush. Ky mik i madh i kombit shqiptar, në qershor të vitit 2007 solli në Tiranë mesazhet e mëdha dhe historike të kombit të madh amerikan; Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti i tyre, i qëndruan plotësisht, deri në realizimin përfundimtar të këtyre dy projekteve, me të cilat shqiptarët, jo vetëm bëhen të lirë, por garantojnë njëherë e përgjithmonë lirinë e tyre.
Sot, është një mirënjohje e madhe, gjithashtu, për të gjithë punonjësit, të gjithë qytetarët që kontribuan në reformat e mëdha që janë ndërmarrë dhe unë dua të përulem me nderim para gjithsecilit për kontributin që ka dhënë në këtë proces, për bashkëpunimin që ka ofruar në kompletimin e reformave.
Zonja dhe zotërinj,
Sot, ne, me votën tonë firmosim fundin e tranzicionit të Shqipërisë, firmosim nisjen e një epoke të re për këtë vend, epokë në të cilën shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre të lirë, sot e përjetë. Por, sot nuk është vetëm një ditë mirënjohje, është edhe një ditë përgjegjësie supreme ndaj vetes, familjeve, qytetarëve shqiptarë dhe miqve tanë, pa mbështetjen e të cilëve kjo ditë nuk mund të vinte.
Ndaj dhe unë ndodhem këtu për t’u zotuar solemnisht se do të bëjë çdo përpjekje që këtë besim të madh, të paprecedentë në historinë e kombit tim, nga kombet e qytetëruara ta shndërroj në vlera të mëdha, ta shndërroj në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, në aftësimin e saj për të qëndruar krah për krah vendeve aleate në katër anët e planetit, ku të jetë e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Unë, në emrin tuaj dhe në emër të qeverisë, dua t’u dërgoj një mirënjohje të përzemërt ushtarëve tanë kudo që ndodhen sot, në Afganistan, në Çad, në Bosnje- Hercegovinë, në Gjeorgji dhe t’i falënderoj ata se me misionin e tyre u shndërruan në ambasadorë të shkëlqyer të përfaqësimit të vendit dhe në një faktor të rëndësishëm në afrimin e kësaj dite.
Për mua kjo është një ditë reflektimi. Unë dhe shumë nga ju këtu i përkasim asaj gjenerate, e cila për dekada të tëra nuk ka mundur as të ëndërrojë dhe të imagjinojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por, ne kemi pasur fatin dhe privilegjin e madh që projektin e ëndrrave dhe periudhën pas shembjes së perdes së hekurt, e cila pa NATO-n nuk do të shembjen kurrë, të punojmë dhe ta shndërrojmë në realitet. Duke qenë protagonist i atyre viteve, unë pata rastin të jem i pari nga opozitarët e vendeve ish komuniste që të kërkoj anëtarësimin e vendit tim në NATO.
Kjo është dita më e lumtur e jetës sime, sepse përmbushim, së bashku me ju, një premtim dhe një projekt ëndërr për veten, për fëmijët dhe për gjeneratat që vinë.
Zoti e bekoftë NATO-n, Aleancën e madhe të lirisë!”
26/03/2009