E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Parlamentit të Polonisë, Bronislav Komorovski, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen z. Komorovski për ndihmën dhe mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në NATO dhe BE.

     
Kryetari i Parlamentit të Polonisë përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e gjithanshme që ka bërë Shqipëria dhe për anëtarësimin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut brenda pak ditësh.  

Kryeministri vlerësoi se  anëtarësimi në NATO ka rëndësi për çdo komb, por për Shqipërinë, e cila ka patur më parë probleme me sigurinë dhe lirinë, kjo përbën ngjarjen më të madhe pas pavarësisë.  Anëtarësimi në NATO, tha Kryeministri, nënkupton mbrojtje të lirive dhe mundësi për të ndërtuar një të ardhme në liri.   

Kryetari i Parlamentit të Polonisë shprehu vlerësimet më të larta për reformat e thella që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në 4 vitet e fundit dhe nënvizoi se rezultatet e tyre janë impresionuese.
Kryeministri  u shpreh se katër vjet më parë, procesi i integrimit kishte ngecur përballë dy mureve; krimit të organizuar dhe korrupsionit që pengonin progresin e tij. 

 Në këtë aspekt Kryeministri tha se kjo qeveri sapo erdhi në pushtet adaptoi luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe brenda një kohe të shkurtër shkatërroi 206 grupe e organizata kriminale dhe vendosi para drejtësisë mbi 1000 anëtarë e drejtues të tyre.

Gjithashtu , tha Kryeministri, qeveria ka ndërmarrë një luftë të vendosur kundër korrupsionit, dhe sipas raportit të Transparency International, Shqipëria la pas 95 vende të globit në luftën kundër korrupsionit.    
Kryeministri theksoi se me reformën fiskale, Shqipëria është shndërruar në një vend shumë tërheqës për investimet e huaja. Në këtë kontekst Kryeministri evidentoi faktin se vetëm në periudhën dhjetor 2008-janar 2009 janë firmosur 3.5 miliardë euro kontrata në energji. Shqipëria, vijoi më tej Kryeministri, ofron potenciale të mëdha për investime në turizëm, miniera dhe në energji dhe investitorët polakë janë të mirëpritur për të investuar në Shqipëri ku do të gjejnë të gjithë mbështetjen e qeverisë për një histori suksesi

Kryeministri Berisha tha se qeveria e sheh procesin e integrimit në BE si projektin më madhor pas anëtarësimit në NATO. Ne, vijoi Kryeministri  firmosëm MSA-në në vitin 2006, punuam seriozisht për të plotësuar reformat dhe në dy vite atë e ratifikuan të gjitha vendet e BE-së.  
Duke u ndalur në procesin zgjedhor, Kryeministri Berisha garantoi Kryetarin e Parlamentit të Polonisë për angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe e ftoi atë që vendi i tij të dërgojë sa më shumë vëzhgues.

Z. Komorovski tha se Polonia mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian, veçanërisht në drejtim të Ballkanit Perëndimor dhe garantoi Kryeministrin se Polonia do të dërgojë vëzhguesit e saj për këtë proces.
Kryetari i Parlamentit të Polonisë theksoi se Polonia i njeh sakrificat dhe mundin që duhet për të ndërmarrë këto reforma rrënjësore, thelbësore për procesin e integrimit dhe arritjet e Shqipërisë në këtë drejtim janë akoma dhe më impresionuese.


26/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›