Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me drejtues të Partisë Demokratike

Kryeministri Berisha, njëherësh dhe Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, mblodhi sot në një takimi drejtues të Partisë Demokratike në rrethe, qarqe, prefektë të 12 qarqeve te vendit, drejtues të seksioneve të partisë në Tiranë, për të diskutuar më konkretisht me ta rreth organizimin të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit.
Gjatë fjalës së tij të hapur për mediat, Kryeministri u shpreh:
“Të dashur miq
E organizojmë këtë takim të nivelit kombëtar me drejtues të Partisë Demokratike, në një moment, kur nga data 23 qershor na ndajnë edhe 118 ditë. Duke zbritur këtu ditën e heshtjes elektorale. Pra, siç e shihni zgjedhjet janë tek porta dhe kjo kërkon mobilizimin total, të të gjitha potencialeve të Partisë Demokratike.
Në shoqëritë e lira zgjedhjet janë evenimenti më i rëndësishëm. Fushata zgjedhore është universiteti i vërtetë i politikanëve, i anëtarëve, i simpatizantëve të partisë, për realitetin dhe vizionin, për të prekur realitetin në çdo skaj të tij, për të përpunuar vizionin për katër vitet që vijnë.
Partia Demokratike, si forcë kryesore politike shkon drejt 23 qershorit e vendosur të përpunojë vizionin dhe projektin më të mirë të Shqipërisë së zhvilluar Europiane, për katër vitet që vijnë.
Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të mbetet, lokomotiva e proceseve integruese të Shqipërisë. Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet parti e reformave të mëdha, e guximit të reformave dhe suksesit të tyre. Në këtë kontekst është jashtëzakonisht e rëndësishme, që sëbashku të bëjmë gjithçka për të tërhequr mendimin e çdo zgjedhësi shqiptarë.
Të lëmë mënjanë çdo paragjykim. Do t’ju jap një shembull. Në What's-up tim, një qytetar më shkruante: “ Kot e ke, këto zgjedhje do t'i fitojë Edi Rama. Boll më se e shkatërrove këtë vend”. Atëherë, unë i them: Së pari, nuk është faji im në rast se Edi Rama di vetëm të humbasë, sepse unë nuk mund të mësoj dot kundërshtarin të fitojë. Së dyti, pavarësisht se ti paske këto vërejtje, në qoftë se gjykon gjakftohtë, nuk mund të thuash që vendi nuk ka ndryshuar dhe, në këtë aspekt, i rendita tre - katër gjëra. Së treti, për mua e rëndësishme është që ti të votosh me dëshirën tënde, por të garantoj se interesat e tua ne do t'i kemi parasysh.Tonet në What's-up ndryshuan qartësisht. Pse e mora unë këtë shembull? Natyrisht, autori e nisi What's-up si një militant i Partisë Socialiste tek unë, por pastaj u shndërrua në një bashkëbisedues i shtruar dhe i qetë me mua dhe nuk mohoi, në asnjë moment, ato argumente që unë paraqita.
Jua dhashë këtë shembull se nuk ka asgjë më të dëmshme sesa paragjykimi që ne mund t'i bëjmë tjetrit. Ne nuk i ofrojmë asnjë zgjedhësi paragjykim. Ne i ofrojmë dialog, bashkëbisedim dhe përpiqemi ta bëjmë këtë me shkallën më të lartë të mirëkuptimit. Po ndalem këtu për të theksuar se partive nuk ju shërbejnë klishetë, por në qoftë se ka një parti në botë që duhet të jetë e çliruar nga klishetë, është kjo parti, e cila është parti e të rinjve. Edhe sot e kësaj dite ne jemi parti e të rinjve. Nuk duhet të kemi iluzione, ata janë energjia e kësaj partie dhe çdo paragjykim që ne mund të mbartim, bie tërësisht ndesh me vet thelbin, me vet substancën e kësaj force politike.
Ndaj dhe kërkesa ime është të përpiqemi të debatojmë, pa asnjë lloj paragjykimi, të dëgjojmë sa më shumë zërat e qytetarëve, shqetësimet dhe problematikën e tyre. Nuk mund të jenë kurrë suksese ato të cilat na bëjnë ne të injorojmë qoftë edhe zërin më të mekur. Në asnjë mënyrë. Po, ne sukseset do t'i mbrojmë ato nuk janë personale, janë sukses i reformave, janë sukses i qytetarëve. Në rast se ne do t'i përdorim ato si eufori, do të ishte jashtëzakonisht e pa drejtë. Sukseset ne i kemi vetëm për të bindur se i mbajmë premtimet, se ne jemi ndryshimi, se ne në këtë periudhë qeverisjeje, kemi bërë transformimet më të thella të këtij vendi, se Shqipëria u anëtarësua në NATO, se lëvizim të lirë, se kemi bërë zgjedhje, të cilat organizmat ndërkombëtarë i kanë vlerësuar si zgjedhjet që plotësuan standardet kryesore të OSBE dhe se, këto zgjedhje bënë të mundur propozimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat.
Nuk duhet të harrojmë se çdo njëri që nuk ka, çdo njëri që është i papunë, suksesin më të madh të tij do të kishte punën, me shumë të drejtë. Asgjë më shumë nuk do ta prekte atë në zemër dhe në lëkurë, sesa të ardhura më shumë. Por, në qoftë se ky qytetar ka përpara një alternativë siç është kjo e jona, që i njeh vështirësitë e tij për papunësinë, por nga ana tjetër ka bërë dhe bën përpjekje serioze për rritjen ekonomike, bën përpjekjet më serioze për punësimin. Paralel me të, ka alternativën tjetër. Që para katër vjetësh, z. Rama tha se do të punësojë 300 mijë, paçka se shqiptarët nuk e besuan. Tani e zbukuroi e tha se do të punësojë 300 mijë, ndër të cilat 250 mijë gra. Pra, ky qytetar ka alternativën tjetër të z. Rama që thotë; do të punësoj 300 mijë, por do të rris taksat, do të vë taksën progresive. Nëse rrit taksën progresive, ti vetëm shkatërron dhjetëra mijëra vende pune dhe kjo është matematikisht e faktuar. Më lejoni t’ju them një gjë këtu. Nëse ti përcakton taksa më të larta, cili do të jetë varianti ideal?. Varianti ideal është se ti do të kesh para më shumë në buxhet , ndonëse studimet faktojnë dhe Shqipëria fakton të kundërtën. Ne, duke ulur taksat , kemi pasur në periudhën e qeverisjes sonë 9.2 miliard dollarë më shumë sesa me taksa të dyfishta paraardhësit tanë. Ne po supozojmë se do të kesh të ardhura më shumë, do të bësh investime më shumë, por ke shkatërruar dhjetëra e mijëra vende pune. Kurse alternativa jonë, e vërteta është se është faktuar dhe ja ku janë ta ardhurat. Por të ardhurat nuk janë vetëm në statistikë. Të ardhurat janë në 10 mijë kilometra rrugë. Të ardhurat janë në rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve. Të ardhurat janë në qindra e qindra ujësjellësa e kanalizime. Të ardhurat janë në mbi 1300 shkolla të ndërtuara në të katër anët. z. Rama e merr dhe e degdis atë Marinin, të cilin do ta bëjë deputet, prapa Dajtit, e shkon gjen një shkollë me katër fëmijë! Po jo more zotëri! Mos e mundo dhe shpërdoro gazetarin ashtu. Hajde të të japim ne të gjithë sistemin e Ministrisë së Arsimit për shkollat dhe të të tregojmë për çdo shkollë ende të pa meremetuar. Por kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla dhe nuk duhet të trembesh nga këto. Ato që kanë mbetur do të ndërtohen. Imagjinoni ju se çfarë shpenzimesh u sjell mediave ai. Ai e dërgon gazetarin në majë të Dajtit për një shkollë që kishte 4 fëmijë, për të thënë se ja ku janë shkollat e pa ndërtuara. Ai le të vazhdojë, por po të dojë të dije se ku janë shkollat me problematikë serioze, ia japim ne të gjitha, nuk i kemi sekret ato. Ne po i ndërtojmë dhe do t'i ndërtojmë të gjitha, gjatë dy viteve që vijnë dhe, këtë e kemi shpallur. Ne po të donim, thonim se do të ndërtojmë 30 përqind të tyre, apo 40 përqind të atyre që kanë mbetur. Por jo, ne do t'i ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha.
Të ardhurat janë në rritje dhe investohen ngado. Nga një Shqipëri me 4.3 përqind të përdorimit të internetit, sot jemi në një Shqipëri dixhitale që po vrapon drejt Shqipërisë Mobile, që qytetari shqiptar të ketë në celularin e tij të gjithë informacionin e këtij shtetit, të gjitha shërbimet e tij.
Ne, sigurisht, mendojmë dhe besojmë se hipoteka jonë është e atillë që qytetarët i bën të mendojnë se këta janë seriozë dhe alternativa e tyre vërtet do t’ju japë zgjidhje problemeve. Jo se vendi s’ka probleme, pasi ai ka probleme të padiskutueshme. Aty ku është një papunësi, aty është një lëndim. Absolutisht, ne jo thjesht e dëgjojmë atë, por do të bëjmë gjithçka për ta zgjidhur. Le të marrë dikush statistikat e papunësisë në vendet e tjera, sepse propaganda e kundërshtarit përpiqet me çdo kusht të falsifikojë realitetin. Zotëria tha se ne jetojmë në Shqipërinë e gënjeshtër. Ju do të thoni se ai nuk e beson këtë. Jo, ai e beson këtë dhe duhet ta dini mirë që ai e beson këtë, sepse nuk ka njeri që të bëjë veten qesharak pa dashje. Por ethet e pushtetit e verbojnë në atë shkallë saqë e bëjnë zotërinë të besojë gënjeshtrat e tij dhe, në një moment të caktuar, thotë se kjo Shqipëri është e gënjeshtër.Por ky është problemi i tij. Ajo që ne duhet të bëjmë në këtë dialog është se duhet të bindim qytetarët se për ne, interesi i tyre është interesi më madhor i këtij programi dhe i këtij projekti.
Ne do të bindim qytetarët se anëtarësimi në NATO është arritja më madhore e shqiptarëve, pas Pavarësisë. Natyrisht, lëvizja e lirë është realizimi i njërës prej ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, shekullore. Por, të mos harrojmë se mbrojtja nga kjo krizë e lemeritshme, lubi, që ka pushtuar Europën dhe vendet e tjera, ka qenë, në mënyrën më absolute, suksesi më i madh për çdo shqiptar, pas atyre dy arritjeve.
Të dashur miq,
Unë ftoj ju dhe çdo qytetar shqiptar të lexojë të dhënat për këtë krizë. Cilido që klikon në internet dhe shëtit duke gjetur papunësi në vende të tjera, do ta kuptojë shumë më mirë peshën e suksesit të reformave tona. Vende të cilat kanë një histori zhvillimi një shekull a më shumë, kanë sot 2-3 fishin e papunësisë së Shqipërisë. Nga ana tjetër, të mos harrojmë që ne jemi vendi, së bashku me Kinën, me ritmet e urbanizimit më të shpejtë në glob, që do të thotë shpërngulje masive të popullatës fshatare drejt qyteteve, që do të thotë kontigjente të tërë qytetarësh, përveç grupmoshave të qyteteve që hyjnë në moshë pune, - pra mijëra e mijëra të tjerë që vijnë të kërkojnë punë në qytete dhe, në vend që të tentojnë të krijojnë vende pune atje ku banojnë, ata besojnë në një jetë më të mirë në qytete. Ne kurrë nuk do t’i pengojmë ata. Pra, me gjithë këta faktorë, ne mbetemi në një nivel papunësie prej 13 për qind, sipas Komisionit Evropian, jemi i vetmi vend në rajon në të cilin papunësia nuk u rrit, por përkundrazi u ul. Nga njëra anë, janë të pa punët që përbëjnë një dhimbje të madhe, por nga ana tjetër, suksesi i reformave mbrojti Shqipërinë nga një papunësi që sot, në Kroaci sot është 21 për qind, në Serbi 23 për qind, në Maqedoni është 32 për qind, në Greqi është 25-26 për qind. Të mos harrojmë se këto janë vende nga të cilat ne jemi të rrethuar.
Kur i themi këto, ne kemi parasysh se një përqindje e popullatës shqiptare topitet nga papunësia, por nga ana tjetër, kemi faktuar para shqiptarëve dhe botës se, me reformat tona, ne kemi garantuar rritje ekonomike. Sigurisht, jo në atë shkallë që do të donim, sepse kur partneri ynë më kryesor, Italia, bie në një krizë që zvogëlon eksportet tona aty, kur Greqia, partner tjetër kryesor, përjeton një nga momentet e vështira ekonomike e sociale të saj, kjo nuk mund të mbetet pa pasqyrim edhe në Shqipëri. Por, pavarësisht nga të gjitha këto, Shqipëria qëndron një vend me rritje ekonomike 4 herë më të lartë se mesatarja e rajonit. Kur zoti Rama bërtet se Kryeministri po e krahason Shqipërinë me Gjermaninë, ai bëhet qesharak. Rritja ekonomike mbetet rritje ekonomike, kudo që të jetë ajo. Natyrisht, 0.5 për qind apo 1 për qind e Gjermanisë, në vlerë absolute, është qindra herë më shumë se 10 për qind e Shqipërisë. Por vlerësimi është përqindja me GDP-në. Secili matet me “kutin” e vet. Ata që shpallin se Shqipëria ka një rritje ekonomike 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit, ata e kanë të qartë se rajoni, i marrë së bashku, ka një GDP, një prodhim të brendshëm, mundet edhe 20-30 herë më të madh se i yni. Por sërish rritja matet si përqindje e GDP-së. Ndërsa z. Rama, sikur na zbuloi Kolombin, u bë famoz në gjithë Evropën, u premtoi shqiptarëve se ai do të vendosë një ligj që borxhin ta llogarisë Banka e Shtetit dhe ta llogarisë atë si përqindje të GDP-së. Në qoftë se do ta vendosnim në një sferë këtë modul, do të ishte injorancë e pakufishme. Të paktën, kur nuk ke ide të qarta, mos fol, mos i thuaj këto gjëra, sepse kjo tregon se ekonomia tek ty ka mbetur tek ato ngjyrat gri të piktorit të dështuar. Por ngjyrat janë thjesht një aspekt.
Zonja e zotërinj,
Problem i dytë madhor për të cilin unë doja t’ju flisja, është referendumi, teksti i të cilit po përgatitet nga një grup i kryesuar nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve, zoti Rusmajli, është lëvizja që ne ndërmorëm, pasi shteruam të gjitha mundësitë e tjera me zotin Rama. Ju duhet t’i sqaroni zgjedhësit tanë dhe të gjithë qytetarët tanë se, këto tre ligje, janë ndërmjetësuar që të tria nga komuniteti ndërkombëtar. Për të tria këto, në prezencë të faktorit ndërkombëtarë, është arritur mirëkuptimi i plotë. Është arritur mirëkuptimi kur ne kemi kaluar marrëveshjen në parlament. Ajo marrëveshje u kalua dhe u votua në parlament, pasi një zyrtar i lartë i Brukselit ka zhvilluar ndërmjetësime intensive. Kjo është e vërteta. Pas kësaj, zoti Rama, përsëri u tërhoq. Pastaj, ai ka qenë në Bruksel, në zyrat e zyrtarëve më të lartë atje dhe, për çështjen e rregullores ai ra plotësisht dakord. Sërish u tërhoq, duke u faktuar shqiptarëve se destruktiviteti dhe energjia negative janë frymëzimi i tij, janë shëmbëlltyra e tij. Këtë gjë, një njeri i qytetëruar, në të gjitha kohërat, nuk mund ta bëjë, pasi “pacta sunt servanda” - marrëveshja respektohet. Ky është tipari kardinal i njerëzve të qytetëruar. Nëse arrin një marrëveshje, duhet ta nderosh këtë marrëveshje, sepse aty ke vendosur integritetin tënd. Natyrisht, ndonjëherë edhe mund të bësh gabim, por njeriu i qytetëruar merr dhe i mban përgjegjësitë. Por me zotin Rama nuk ka as “pakta sunt servanda”, as “fakta sunt servanda”, sepse ai jeton në atë botën e tij të paranojës së qartë politike, që ai e quan Shqipëria e gënjeshtër. Ai është i lodhur nga jeta. Në bisedat e përditshme, dëgjon njerëz që kanë pësuar trauma ose drama, fatkeqësi dhe që thonë se kjo botë është e rrejshme dhe e quajnë të vërtetë botën tjetër, por ata e kanë nga besimi. Por ky e ka nga karrigia, more zotërinj, sepse ky është i terrorizuar nga fakti që kalon nga disfata në disfatë. Ndaj unë kthehem te interlokutori im në what’s – up, i cili tha; ”çfarë t’i bëj unë atij që kalon nga disfata në disfatë, e pastaj bërtet “Shqipëria është e rrejshme?!”. Jo zoti Rama, Shqipëria është reale, me gjithë problematikën e saj. Natyrisht, nuk është bulevard, nuk është rozë, ka vështirësi, është me rrugë në ngjitje, pra i ka të gjitha. Por është një realitet dhe asgjë nuk mund të të bëjë ta mohosh, ta injorosh në këtë mënyrë.
Ndaj dhe, kur ai nuk respekton asnjë marrëveshje, kur ai injoron çdo fakt, atëherë nuk mbetet asnjë rrugë tjetër, veçse të shprehet sovrani për këto 3 ligje, nëpërmjet një referendumi popullor. Nuk ka pasur njeri në Shqipëri që të ketë menduar se do të vinte një ditë që, pas 21 vitesh evolucion, Partia Socialiste do të bllokonte reformat e integrimit, do të kthehej në origjinën e saj si armike e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Por ja që kjo ndodhi. Ky është një realitet. Por ai nuk mund ta mbajë vendin peng. Ai po përgatit tërësisht skenarin e vitit 2009, por tani jo si shofer autobusi, por është i rrethuar nga 99-shat, i rrethuar nga Mjaft-ucat, i rrethuar nga një grusht i ngushtë bllokmenësh, të cilët në çdo rast do t’i brohorasin “Edi fitimtari”, edhe kur ai të jetë drejt disfatës më të thellë. Por këto janë punët e tyre.
Ne do shkojmë drejt rrugës së referendumit dhe kjo çështje duhet të jetë një çështje dialogu, debati dhe mirëkuptimi me qytetarët. Do të donim shumë që, në datën 23 qershor, shqiptarët të votonin edhe për deputetët, edhe për integrimin, por kjo nuk mund të ndodhë sepse ligji i vendit ndalon zhvillimin e referendumeve 6 muajt e fundit para zgjedhjeve. Ndaj ky referendum do të mbahet në vjeshtë dhe ne ftojmë shqiptarët që, me votën e tyre plebishitare, të çojnë mesazhin më të shkëlqyer për të gjithë shqiptarët në botë dhe për të gjithë popujt e botës, të tregojnë se sa të zjarrtë e kanë ata pasionin e integrimit dhe vokacionin e tyre perëndimor”.
26/02/2013