Kryeministri Berisha: Shoqëria dixhitale është dhe do të bëhet një faktor shumë i rëndësishëm i punësimit dhe rritjes ekonomike të vendit

- Miratohet Plani Kombëtar i Frekuencave
- Ky plan i hap rrugw përdorimit të teknologjisë më të avancuar 4 G, duke i mundësuar atyre të marrin në celular internet super të shpejtë dhe super të gjerë
Këshilli i Ministrave miratoi sot, në mbledhjen e tij të rradhës, Planin Kombëtar të Frekuencave. Duke i cilësuar frekuencat si autostrada të komunikimit, me një rëndësi të jashtëzakonshme në çdo vend dhe për çdo kohë, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka ndjekur me një dinamizëm të vazhdueshëm problemin e frekuencave, duke përshtatur në kohën më të shpejtë, të mundshme të gjitha direktivat e ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) dhe direktivat europiane.
Kryeministri bëri të ditur se plani i ri fillon përdorimin me efektivitet të spektrit të frekuencave, shmangien e interferencave në shfrytëzimin e tij, përcaktimin e shërbimeve të reja, si dhe vendosjen e standardeve europiane.
Si një risi për qytetarët shqiptarë vjen fakti se miratimi i Planit të ri të Frekuencave i hap rrugë përdorimit të teknologjisë më të avancuar të 4 G, duke i mundësuar atyre të marrin në celularin personal, internet super të shpejtë dhe super të gjerë me 100 megabit, si dhe duke ofruar shërbimet më të shkëlqyera të kësaj fushe.
Kryeministri theksoi se revolucioni i shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në fushën e telekomunikacionit, i bëri shqiptarët të komunikojnë njëlloj si kombe të tjera të zhvilluara. Por, kryeministri garantoi se me serinë e dixhitalizimeve më të fundit si m-tax dhe e-punësim, si dhe një seri të tjera inaugurimesh, pjesë e axhendës dixhitale të vendit, Shqipëria do të ngjitet në nivelet më të larta të përdorimit të teknologjisë së informacionit.
Për vendimin në fjalë, Kryeministri u shpreh:
Sot, rendi i ditës është i larmishëm, duhet të veçojmë disa nga vendimet në të rëndësishme të kësaj mbledhje siç është së pari miratimi i Planit Kombëtar të Frekuencave. Frekuencat si autostradat e komunikimit kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në çdo vend, për çdo kohë. Qeveria ka ndjekur me një dinamizëm të vazhdueshëm problemin e frekuencave, ka përshtatur në kohën më të shpejtë të mundshme të gjitha direktivat e ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) dhe direktivat europiane. Plani i ri fillon përdorimin me efektivitet të spektrit të frekuencave, shmangjen e interferencave në shfrytëzimin e tij, përcaktimin e shërbimeve të reja, vendosjen e standardeve europiane.
Ky plan i hap rrugë shfrytëzimit të frekuencave për të ofruar shërbime të bazuara në teknologjitë më të fundit , duke shpallur parimin e asnjanësisë.
Miratimi i planit të ri të frekuencave i hap rrugë përdorimit të teknologjisë më të avancuar të 4 G, teknologji kjo që i mundëson qytetarit të marrë në celularin e tij, internet super të shpejtë dhe super të gjerë me 100 megabit dhe i ofron shërbimet më të shkëlqyera të kësaj fushe. Natyrisht, hapa të tjera duhen në planin administrativ, por me miratimin e këtij plani arrihet një riorganizim tërësor i përdorimit rracional dhe në interesin më të mirë të frekuencave të vendit.
Ju jeni dëshmitar të një hovi të madh cilësor, të shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në fushën e komunikimit elektronik. Unë mund tu njoh ju vetëm me dy tregues, në qoftë se pak vite më parë fitimi i kompanive celulare ka qenë rreth 38 lekë për njësi impulsesh, ky fitim ka zbritur ne 2 lekë. Çmimet për abonentët e këtyre kompanive janë sot, deri në 5 herë më të ulëta, se sa pak vite më parë dhe e vërteta është se në qoftë se do konvertoheshin paketat, ofertat, parapagesat dhe shumëllojshmëria e tarifave të kontratës, këto çmime rezultojnë të jenë shumë e shumë herë më të ulëta se pak vite më parë. Nga 17 lloje tarifash që në kishim në vitin 2005, sot janë 134 lloj tarifash dhe nuk përfshihet këtu as “Skype”, as “Viber”, as “What’s Up” , të cilat dihet se janë free.
Pra ky revolucion në fushën e telekomunikacionit i bëri shqiptarët të komunikojnë njëlloj si kombe të tjera të zhvilluara. Ishte e dhimbshme koha kur qytetarët e këtij vendi paguanin tre herë më shumë se qytetarët austriakë. Natyrisht qeveria dhe kryeministri u detyrua të bëjë avokatin e qytetarëve, siç është në moralin e të zgjedhurve, jo se unë nuk kisha as edhe ndjesinë më të vogël, përveçse miqësore ndaj tregut dhe këtyre kompanive, por e vërteta është se çmimet i kishin çuar shqiptarët, i kishin pasuruar fjalorin e tyre me shprehje tw llojit “më bëj një zile”, ose “më bëj një cërr-cërr”. Kjo më lëndonte. Fjalori duhet pasuruar me gjëra pozitive. U sulmova në atë kohë në mënyrë të pandershme nga opozita, e cila në vend që të bënte avokatinë e qytetarëve , sulmonte kryeministrin se mbronte interesat publike të tyre.
Sot kemi një situatë tërësisht tjetër dhe unë përgëzoj kompanitë celulare, por në rradhë të parë përgëzoj të gjithë ata që me reformat e ndërmarra në këtë sektor bënë të mundur që shqiptarët të kenë në varësi nga mundësitë e tyre një telekomunikacion të pakufizueshëm. Nuk e ndërpret më bisedën në mes, për shkak të ofertave nga më të ndryshmet. Kjo ka bërë të mundur rritjen e përdorimit të internetit nga 4,8 % në mbi 60 % dhe unë ju garantoj se me serinë e dixhitalizimeve të fundit m-tax dhe e-punësim dhe një seri të tjera inaugurimesh që kemi bërë dhe po bëjmë, Shqipëria do të ngjitet në nivelet më të larta të përdorimit të teknologjisë së informacionit.
Shoqëria dixhitale është dhe do të bëhet një faktor shumë i rëndësishëm i punësimit dhe rritjes ekonomike të vendit. Ndërkohë ajo ju jep qytetarëve shqiptarë më të çmuarën e të gjitha gjërave të çmuara, që është koha. Kështu që ne mbetemi të vendosur që në moshën dixhitale të mos ecim, por të vrapojmë në mënyrë që të ndjekim horizontin e saj që ecën më shpejt se çdo horizont tjetër.
27/02/2013