E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron portalin e-Punësim, në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e portalit të e-Punësim, në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Portali është rezultat i projektit suedez “Informatizimi i Shërbimeve të Punësimit” dhe po zbatohet nga Shërbimi Kombëtar i Punës (ShKP). Vlera e investimit është 500 mijë euro, grant i qeverisë Suedeze dhe është implemetuar nga kompania shqiptare Cacttus.

Nëpërmjet këtij portali, qytetarët shqiptarë do të mund të kërkojnë dhe aplikojnë për vende të lira pune, si dhe kompanitë private mund të publikojnë pozicionet e tyre të lira në kohë reale, në mënyrën më të shpejtë dhe transparente nëpërmjet internetit, nga kompjuteri i tyre ose telefoni celular, në portalin zyrtar të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Ai është i shtrirë në 12 zyrat rajonale të punësimit, 24 zyrat lokale të punësimit, përfshin informatizimin e plotë të sistemit të brendshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe sistemin e portalit në internet www.epunesim.gov.al. 

Kryeministri Berisha vlerësoi të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë bërë të mundur realizimin e këtij projekti. Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha renditi disa nga masat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria për të nxitur punësimin në vend. “Ne vendosëm të heqim taksën mbi kapitalin. Qeveria shqiptare është nga të paktat qeveri që e marrin këtë vendim, por e merr me bindjen e thellë se kjo do të nxisë krijimin e vendeve të punës dhe punësimin. Ne vendosëm të heqim Taksën e Vlerës së Shtuar për të gjitha inputet bujqësore, të çdo lloji qofshin ato. Ne jemi të bindur se kjo do të bëjë shumë më kompetitive bujqësinë e Shqipërisë. Kjo do të nxisë edhe më shumë sipërmarrjen e lirë në agrobiznes dhe në bujqësi. Për të ndikuar fuqishëm në tregun e punës, ne hoqëm tatim fitimin mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me rrogë nën 300 mijë lekë. Dhe kjo vetëm në sektorin privat përfshin mbi 200 mijë punonjës të këtij vendi. Për të ndikuar në punësim, ne së shpejti do të kalojmë ligjin, sipas të cilit qeveria do të marrë përsipër kontributet sociale dhe të heq çdo lloj detyrimi takse, për tre vjet, për çdo të ri të punësuar në sektorin privat. Ne e bëjmë këtë për të rinjtë, sepse punësimi i tyre ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ata dhe për vendin”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin se “në moshën dixhitale do të bëjmë gjithçka për të kapur nivelet më të larta”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Për tregun e punës në Shqipëri, për punonjësit e ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale sot është një ditë e shënuar, është një ditë shumë e veçantë, sepse me inaugurimin e sistemit online të punësimit, ju arrini në njërin nga sektorët më nevralgjikë të shoqërisë dhe në zhvillimin e tij të vendosni standardin më të lartë që ekziston sot. Që sot çdo qytetar shqiptar, i papunë, i cili kërkon një vend pune, mund të aplikojë në këtë sistem nga celulari apo kompjuteri i tij. Por që sot edhe çdo sipërmarrës shqiptar që ka nevojë për punonjës, për teknik, për inxhinier, për specialist, për ekspert mund të paraqesë kërkesën në portalin e punësimit të kësaj ministrie dhe në kohë reale mund të gjejë kandidatin më të përshtatshëm për vendin bosh të punës.

Zonja dhe zotërinj,

Kjo krizë, e cila ka pllakosur Evropën Perëndimore dhe në tërësi vendet e zhvilluara, ka në themel të saj çështjen e tregut të punës. Dhe në të vërtetë, kjo krizë sot është e lidhur me euron, me borxhet, por në themelin e saj, më shumë se çdo gjë tjetër, qëndron tregu i punës, me fleksibilitetin apo infleksibilitetin e tij, me shkallën e kualifikimit apo moskualifikimit të tij. Ndaj dhe një nga leksionet më të mëdha të kësaj krize është përqendrimi me potencialet më të mëdha drejt krijimit të një tregu pune fleksibël, të aftë, të trajnuar. Në këtë kontekst, pa diskutim, një element shumë i rëndësishëm është portali që ne inaugurojmë sot, sepse realizon transparencën më të madhe, mundësitë më të gjera, në kohën më të shpejtë. Dua këtu t’i shpreh një falënderim shumë të përzemërt qeverisë suedeze për ndihmën bujare, për përqendrimin vite më parë të kësaj ndihme, krahas të tjerave, në këtë sektor nevralgjik. Me paratë e taksapaguesve suedezë, me ndihmën e tyre, u bë i mundur instalimi i këtij sistemi në të gjithë vendin, një sistem i standardeve më të mira dhe më të larta. Një falënderim shumë të veçantë punonjësve, ministrit, drejtuesve të ministrisë, të cilët vendosmërisht kanë ndjekur zbatimin e këtij projekti. Dua të falënderoj ekipin e IT-së së ministrisë dhe kompaninë Cacttus për realizimin e këtij programi.

Shtatë vite më parë ne përcaktuam dy drejtime themelore: ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturës dixhitale. Në atë periudhë kompanitë shqiptare të ndërtimit të rrugëve ishin shumë modeste, sepse ishin përcaktuar disa norma që i dënonin ato për të qenë të vogla. Një ligj nuk lejonte tenderë më shumë se 1 milionë. Ne e hoqëm atë dhe, gradualisht, sot ato janë absolutisht të afta të ndërtojnë çdo autostradë, superstradë dhe gjithçka është e nevojshme. Në atë periudhë më katastrofale ishte situata e kompanive të IT-së në Shqipëri. Vështirësitë ishin shumë të mëdha, serioze. Sot, ato janë fuqizuar. Sot, ato janë bërë kompani, të cilat jam shumë i bindur se së shpejti do të eksportojnë suksesin e tyre edhe në vende të tjera. Ne jemi të përqendruar në projektin e Shqipërisë dixhitale. Dhe ne besojmë se kjo përzgjedhje ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e vendit. Ka në të gjitha studimet një dëshmi, një proporcion të caktuar midis zhvillimit të shoqërisë dixhitale dhe rritjes ekonomike. Në stadin aktual, në këtë fushë janë të punësuar mijëra punonjës, por impakti është universal, sepse kjo u jep punonjësve, u jep qytetarëve më të çmuarën, atë që nuk e vlerëson dot as me flori apo me diamant dhe kjo është koha. Në këtë mënyrë, ne do të bëjmë gjithçka që qytetari shqiptar të ketë shërbimet dixhitale më të mira.

Ne, në fillim të vitit 2006, ishim në nivelet më të ulëta të përdorimit të internetit, me 4.8 përqind. Sot ne jemi mbi 60 përqind. Por, në këtë rrugë, ne kemi një mundësi të madhe, sepse kapërcejmë kohën e humbur duke adaptuar sistemet më të avancuara dixhitale në këtë vend. Dje inauguruam m-Tax dhe e-Payment. Sot, sërish, jemi këtu me një e-Employment, shërbim që mund të merret nëpërmjet telefonit celular. 

Vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka që telefoni celular të jetë One Stop Shop për të gjitha shërbimet e këtij shteti për qytetarin shqiptar. Ne do të bëjmë gjithçka t’i ofrojmë atij çdo të dhënë, çdo dokument të administratës dhe të qeverisë. Dhe ai t’i marrë ato në kohën më reale, në kohën më të shpejtë.

Zonja dhe zotërinj,

Kriza ka sjellë në botë, ka sjellë në skenë disa probleme madhore, por problemi më madhor i saj është papunësia e madhe që ajo ka faktuar. Ndaj çdo hap dhe çdo masë që merret për punësimin është një masë, është një gur antikrizë. Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël, por e vërteta e konfirmuar universalisht është se kjo është një nga më të paktat ekonomi që nuk ra në krizë, që nuk ra në recesion. Shqipëria ka një papunësi dhe niveli i saj është një nivel për tu ulur. Natyrisht, është larg dhe është shumë e shumë herë larg shifrave absurde që citohen. Kur bëhet fjalë për 1 milionë të papunë, në një vend që e ka forcën e punës 1 milionë e 40 mijë vetë, absurditeti ka kufij vetëm qiellin. Por kjo nuk e bën më pak të dhimbshëm problemin e çdo të papuni. Në qoftë se do të merrnim individin në raport me jetën e tij të përditshme, asgjë më rrënuese nuk do të kishte sesa papunësia. Ndaj dhe ne me një paketë të dytë të fuqishme masash synojmë të nxisim, në të gjithë sektorët, punësimin në këtë vend. Por dua të theksoj se është në meritën më të padiskutueshme të suksesit të reformave ekonomike, të cilat bënë që papunësia në Shqipëri jo vetëm të mos rritet, por të pësojë ulje të ndjeshme. Po të hedhim sytë në hartën e saj sot, ne do të gjejmë fqinjin tonë të jugut me mbi 20 përqind papunësi, do të gjejmë Maqedoninë me 32 përqind papunësi, do të gjejmë Kroacinë me 21 përqind papunësi, do të gjejmë Serbinë me 23 përqind papunësi, do të gjejmë Spanjën me 26 përqind papunësi dhe kështu me radhë. Të gjitha këto kanë një shkallë urbanizimi shumë më të lartë se Shqipëria. E theksova këtë, sepse procesi i urbanizimit është ndër të vetmit procese që krijon forca të lira pune për në qytete. Sidoqoftë, ne qëndrojmë të vendosur në të gjitha reformat tona. Në qoftë se ndonjëri ndalet dhe i analizon, ato kanë për qëllim madhor punësimin e qytetarëve shqiptarë. Ne vendosëm të heqim taksën mbi kapitalin. Qeveria shqiptare është nga të paktat qeveri që e marrin këtë vendim, por e merr me bindjen e thellë se kjo do të nxisë krijimin e vendeve të punës dhe punësimin. Ne vendosëm të heqim Taksën e Vlerës së Shtuar për të gjitha inputet bujqësore, të çdo lloji qofshin ato. Ne jemi të bindur se kjo do të bëjë shumë më kompetitive bujqësinë e Shqipërisë. Kjo do të nxisë edhe më shumë sipërmarrjen e lirë në agrobiznes dhe në bujqësi. Për të ndikuar fuqishëm në tregun e punës, ne hoqëm tatim fitimin mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me rrogë nën 300 mijë lekë dhe kjo vetëm në sektorin privat përfshin mbi 200 mijë punonjës të këtij vendi. Për të ndikuar në punësim, ne së shpejti do të kalojmë ligjin, sipas të cilit qeveria do të marrë përsipër kontributet sociale dhe të heq çdo lloj detyrimi takse, për tre vjet, për çdo të ri të punësuar në sektorin privat. Ne e bëjmë këtë për të rinjtë, sepse punësimi i tyre ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ata dhe për vendin. E bëjmë këtë për të rinjtë, sepse në rast se ju shihni sot hartën e papunësisë në Evropë, kur vjen puna tek të rinjtë, përjashto 5-6 vende, papunësia e tyre po ecën me shifra të papërmbajtura. Ne besojmë se me këto masa që marrim do të nxisim punësimin e të rinjve dhe do të krijojmë vende pune. Natyrisht, ne nuk premtojmë 250 mijë vende pune për të rinjtë, as 250 mijë vende pune për gratë, ndonëse e dimë që ata janë mbështetësit tanë kryesore dhe ne vijmë në pushtet edhe rrimë në pushtet falë mbështetjes së tyre. Asimetrizma të tilla qesharake nuk janë të denja për t’iu servirur një shoqërie të qytetëruar. Por ne zotohemi të bëjmë gjithçka për të krijuar kudo në këtë vend sa më shumë vende pune në kushtet e tregut të lirë.           

Edhe një herë ju përgëzoj zoti ministër. Kjo është një arritje e madhe. Sikundër, i premtoj shqiptarëve se në moshën dixhitale do të bëjmë gjithçka për të kapur nivelet më të larta. Në këtë moshë nuk ecet, në këtë moshë vetëm vrapohet. Horizonti i saj vrapon dhe ne jemi të detyruar të vrapojmë pas tij.

Faleminderit!”


26/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›