E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Fatos Nano, mbajtur sot ne Cakran, gjate vizites ne rrethin e Fierit Të nderuar pjesëmarrës, Jam sot këtu jo thjeshtë për të djegur barin e vdekjes që dikur kul

Fjala e Kryeministrit Fatos Nano, mbajtur sot ne Cakran, gjate vizites ne rrethin e Fierit

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam sot këtu jo thjeshtë për të djegur barin e vdekjes që dikur kultivohej në këtë tokë, as vetëm për t'a zëvendësuar me simbolin e jetës që janë pemët dhe gjelbërimi. Unë po vazhdoj të konfirmoj me veprime konkrete se shteti është i vendosur të kurojë përfundimisht shëndetin dhe moralin e asaj pjese të shoqërisë shqiptare që, për shkak të tranzicionit të ashpër, ra viktimë e fenomeneve tunduese për jetë të lehtë dhe pasurim të shpejtë, por antiligjor.

Fushat dhe kodrinat e Cakranit që dikur kultivonin kanabis, duke filluar që sot do të vishen me pemë, (pisha dhe bredha), për të vazhduar në të gjithë Shqipërinë. Deri në fund të këtij viti 1 milion fidanë do të mbulojnë më shumë se 400 hektarë tokë, për të rikthyer jetën që kanë rrezikuar derimëtani bimët narkotike, masakrat e prerieve pa kriter, errozionet etj.

Po vijmë sot në ish-vendin e kanabis për të përgëzuar forcat e policisë, autoritetet vendore dhe vecanërisht banorët e kësaj komune që arritën të frenojnë përfundimisht kultivimin e bimës së vdekjes dhe po përkrahin programet e Qeverisë për rehabilitimin e jetës.

Po vijmë sot këtu për të bërë edhe një bilanc të punës së Policisë, institucioneve të tjera shtetërore dhe organeve të drejtësisë që gjatë këtyre muajve të fundit i kanë dhënë goditje të rënda dhe të merituara kultivimit dhe trafikimit të drogave. Ne që arritëm të shkatërrojmë industrinë e skafeve dhe të gomoneve, do të fitojmë pa diskutim edhe betejën ndaj miellit apo barërave vrasëse, duke ndëshkuar me ashpërsinë maksimale të ligjit trafikuesit.

Vetëm gjatë 3 muajve të fundit janë evidentuar dhe asgjesuar 65 raste të kultivimit të bimëve narkotike, janë arrestuar 16 persona dhe 40 të tjerë ndiqen penalisht nga drejtësia në gjendje të lirë. Numri i bimëve të asgjesuara gjatë kësaj periudhe është rreth 500 mijë, përfshirë edhe tokat pa pronarë.
Po gjatë 3 muajve të fundit policia shqiptare ka sekuestruar 7.2 ton marihuanë, 9.2 kilogram heroinë, 5 laboratorë të përpunimit të drogave të lehta duke shkatërruar 3 organizata kriminale, 8 rrjete shpërndarje dhe trafikimi si dhe arrestuar dhe vënë para përgjegjësisë penale 47 autorë, nga të cilët 3 shtetas të huaj.

Pemët që po mbjellim mbi tokën ku dikur lulëzonte kanabis është shprehja më e qartë se aksionet e Qeverisë për të luftuar përfundimisht trafiqet dhe fenomenet e paligjshme, i hapin rrugë një zhvillimi më të shpejtë, më të qëndrueshëm dhe të garantuar ligjërisht.
Për t'a mbyllur, ftoj rininë shqiptare të bashkohet me këto aksione të Qeverisë për t'u bërë protagoniste reale në luftën kundër drogës dhe kthimin e jetës në tokat që kanë nevojë për bimë dhe kujdes njerëzor.

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›