Fjala e Kryetares së Kuvendit në takimin me gratë e minibashkisë 8 të Tiranës
Unë falënderoj secilën prej zonjave që ka pranuar të marrë pjesë në këtë takim! Për mua, ky takim është i veçantë në disa drejtime dhe në disa kuptime.
Ky takim është krejt special. Bilanci është i mrekullueshëm. Unë kam qenë me fat që kam përfaqësuar shqiptarët në këtë Parlament, së bashku me kolegët e tjerë.
E konsideroj veten me shumë fat, në mënyrë të veçantë që kam qenë gjatë kësaj periudhe. Në fakt ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme. Këto kanë qenë kohët e sfidave të pamenduara, këto janë kohët e sfidave të jashtëzakonshme. Në fund të fundit, ky është finalizimi i ëndrrave të nënës, të babait, të gjysheve tona për një Shqipëri me mirëqenie më të madhe, për një Shqipëri që rikthehet në shtëpinë e saj, në Europë, për një Shqipëri që i bashkohet vlerave perëndimore, por, mbi të gjitha, për një Shqipëri që sot është anëtare e NATO-s.
Një aleancë, për të cilën ky popull ka ëndërruar, ka sakrifikuar, ka punuar dhe e ka arritur.
Unë e konsideroj veten me fat dhe ndihem shumë krenare, që gjatë kësaj periudhe kam bashkëpunuar me Kryeministrin Berisha, së bashku me kolegë të tjerë.
Them me fat, jo vetëm në kuptimin e arritjeve që ka realizuar duke udhëhequr këto reforma jashtëzakonisht të vështira. Dhe unë në këtë sallë e kam parë se sa të vështira kanë qenë: sa më të rëndësishme të ishin, aq më e vështirë ishte për ti votuar ato në Parlament, sa më shumë ndryshime të sillnin këto reforma, aq më shumë i binin bilbilave në Parlament, sa më shumë të reja, mirëqenie, siguri, perspektivë, perëndim të sillnin këto ligje të udhëhequra nga Kryeministri Berisha, aq më shumë kërcenin aty brenda.
Por them se kemi qenë me fat në kuptimin e asaj, se lider të tillë në botë dilnin një herë në kaq vjet dhe, Sali Berisha është njeri prej tyre.
Natyrisht, nuk është rastësi. Njeriu në jetën e tij ka mundësi ta provojë veten. E dimë se çfarë kemi bërë. E dimë se si jemi sjellë në momente të caktuara. Asnjeri prej nesh nuk e di se si do të sillemi në një situatë tjetër nesër, por e veçanta e kësaj periudhe është se, dhe unë e kam besuar fort, e kam besuar gjithmonë, edhe kur kam qenë e vogël, edhe pastaj më vonë në momente të ndryshme, kur Shqipëria ishte larg ëndrrave, kur njeriu e do vendin e tij, kur e bën me dashuri dhe kur mbi të gjitha vendos pasionin, mund të realizojë çdo gjë.
Besoj se duhet të ketë qenë kjo arsyeja kryesore, sepse në atë kohë doktor Berisha ishte kardiologu më i mirë dhe i shërbente me shpirt natë e ditë të sëmurit, atij që ishte në nevojë, atij që donte të shërohej, atij që kërkonte shpresë, atij që besonte se mund të vazhdonte të luftonte me jetën dhe me të ardhmen.
Besoj se kjo ka qenë gjithmonë arsyeja e madhe e njerëzve me përgjegjësi, por në veçanti e Kryetarit Berisha, që në atë kohë, për mëse 20 vjet ka qenë pedagog, ka punuar çdo ditë me nxënësit, me të rinjtë, duke i besuar fort atyre.
Unë në shpirt besoj se ka qenë kjo pjesë e background-it që e ka bërë të dalë në krye të asaj që ishte lëvizja më e madhe e shqiptarëve, e rrëzimit të komunizmit dhe pastaj të udhëheqë me forcë, pa u ndalur asnjëherë, pa u dorëzuar asnjëherë Shqipërinë dhe vendin.
Besoj se në prillin që sapo lamë pas Shqipëria mbylli periudhën e saj të tranzicionit. Një tranzicion jashtëzakonisht të vështirë. Një tranzicion që nuk mund të krahasohet me atë të vendeve të tjera. Sa herë që flasim edhe kur vijnë të huaj, edhe kur vijnë kryeministra, kryetarë parlamentesh dhe ministra të ndryshëm unë e kuptoj se ata duan të kuptojnë diçka më shumë se çfarë është Shqipëria. Një vend, të cilin e shihnin shumë të mistershëm. një vend, i cili në emisionet e tyre televizive, në shumicën e rasteve e shihnin si boat-people, njerëz që i hipnin varkave dhe largohen,si një vend i cili më pas shihej në ekranet e tyre televizive vetëm më kallashnikov.
Unë jam e ndërgjegjshme për këtë kur i takoj ata, pavarësisht se ata janë gjithmonë shumë gentil dhe nuk ta thonë kurrë. Unë e di shumë mirë se cili ka qenë imazhi i vendit tim në botë. Në përgjithësi na kanë quajtur njerëzit e kallashit dhe njerëz që shkojnë kundër vendit të tyre.
Por kur vijnë këtu dhe shohin këtë Shqipëri ku ne jetojme sot, unë i them atyre kur ne kemi filluar garën, kur ne kemi filluar ndryshimin, Tirana nuk ka qenë Bullgaria, Shqipëria nuk ka qenë Hungaria, nuk ka qenë çekosllovakia në atë periudhë.
Ne kemi pasur një histori të ndryshme nga historia e të gjitha vendeve të tjera. E jona, për fat të keq, nuk ka qenë kurrë histori e zhvillimit. Kurrë!
Ne kemi pasur një histori, që ndoshta për një mijë vjet e kemi pasur orën e ndalur, orën e ndalur në kuptimin e zhvillimit ekonomik, në kuptimin e zhvillimit kulturor, në kuptimin e të gjitha zhvillimeve që çdo popull, çdo komb i merr në mënyrë normale dhe graduale. Ndaj edhe sfida jonë e këtyre 20 viteve ka qenë një sfidë që kërkonte rikuperimin e një historie të humbur, një ore të ndalur për shekuj e shekuj. Dhe gjëja më e jashtëzakonshme dhe ajo që na bën ndryshe prej të tjerëve, të gjitha vendeve të tjera, është se ne nuk kemi rekuperuar thjesht atë që kemi humbur gjatë diktaturës, ne kemi rekuperuar shekuj e shekuj të tërë. Ne kemi rekuperuar zhvillimin ekonomik. Ne kemi rekuperuar mendësinë. Ne kemi rekuperuar një shtëpi. Atë që ka qenë gjithmonë shtëpia jonë e madhe, shtëpia jonë e zemrës, shtëpia jonë e shpirtit, që është Europa.
Dhe për këtë, pa dyshim, duhet ti jemi mirënjohës këtij populli të zgjuar me një energji të paparë.
Këtij populli që historia i ka mësuar që të mos dorëzohet kurrë.
Por, në mënyrë të veçantë, të gjitha zonjave dhe nënave, që pavarësisht nga jeta e tyre, nga vështirësitë, nga ngritjet dhe nga uljet, në ditë të bukurë dhe jo, ato gjithmonë kanë shikuar vendin e tyre ashtu siç kanë shikuar punën e tyre: me besimse do të bëhet më mirë, se ditë më të mira do të vijnë.
Unë i kujtoj, kam pasur miket e mia, rrethin tim familjar. Gjithmonë, edhe vetë personalisht, kur je në punë mendon se çfarë po bën fëmijë në shtëpi, kur je në shtëpi më fëmijët mendon se puna po të pret. çdo ditë, çdo javë, me vite të tëra. Por, në fund të fundit, ne kemi treguar diçka shumë të rëndësishme. Dhe ndoshta ky është kodi i ADN-së që ne gratë shqiptare në mënyrë të veçantë e kemi të ngulitur fort: e para ndershmërië, e dyta ndershmëria, e treta ndershmëria.
Guximi për të kërkuar të drejtat dhe, në mënyrë të veçantë, guximi i jetës dhe guximi i shpresës.
Pas pak javësh ne do të kemi zgjedhjet, ne do tI fitojmë zgjedhjet. Ne do ti fitojmë këto zgjedhje!
Janë zgjedhjet që do të sjellin një mandat të dytë. Janë zgjedhje që në mandatin e ardhshëm të tjera punë të rëndësishme kemi përpara, në të gjitha fushat. Kemi bërë shumë, kemi bërë në katër vite aq sa nuk është bërë në vite të tëra. Kemi arritur gjithë këto rezultate, kemi pasur gjithë këto suksese, sepse në të gjithë politikën e drejtuar nga Kryeministri Berisha është parë me vëmendje ai që ka më shumë nevojë, ai që ka pagën më të ulët, ai që ka pernsionin më të ulët dhe ia kemi dalë që të bëjmë të mundur që ai që kishte më pak, sot të ketë më shumë, që ai që kishte pensionin minimal, sot të ketë një pension mesatar, që ai që kishte rrogën e vogël, sot të ketë rrogën më të lartë nga çfarë e kishte disa vite më parë.
Natyrisht, kjo kërkon një fibër njerëzore dhe humaniteti. Dhe besoj se gjatë këtyre viteve e kemi treguar. Nga ana tjetër kemi treguar se dimë ti udhëheqim reformat, sado të vështira të jenë. Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa ti bësh të mundur popullit tënd që ti rrisësh rrogat e arsimtarëve, jo thjesht arsimtarëve, dhe numri i tyre është jashtëzakonisht i madh, dhe jo thjesht sepse ata na mësojnë, por duke i dhënë motivin dhe dinjitetin arsimtarëve ne në fakt nuk kemi bërë gjë më shumë, veçse kemi menduar për fëmijët tanë, për edukimin e tyre dhe për shkollimin e tyre.
Duke rritur pensionet në fshat ne kemi treguar se jemi human, njerëzor. Vetëm 39 mijë lekë të vjetër kishin pension. E kanë 80 dollarë. Më shumë do ta kenë. Në mandatin e dytë përsëri do të rrisim pensionet.