E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takohet me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Luka Bebiç.

21 maj 2009
Zagreb, Kroaci

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shoqëruar edhe nga delegacioni zyrtar, zhvilloi sot paradite një takim me Kryetarin e Republikës së Kroacisë, Luka Bebiç, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kroaci.

Në këtë takim, që u mbajt në Parlamentin kroat (Sabor) dy personalitetet shprehën kënaqësinë e veçantë për realizimin e kësaj vizite të rëndësishme në Kroaci. Në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe Presidenti Topi dhe Kryeparlamentari kroat Bebiç e konsideruan atë si një vizitë me vlerë të madhe politike për të dy vendet, e cila do të nxisë, në mënyrë të padiskutueshme, bashkëpunimin dypalësh dhe do i kontribuojë rritjes së nivelit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Presidenti Topi shpehu interesimin e palës shqiptare për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, sidomos në aspektin ekonomik, të infrastukturës, energjitikës, turizmit, etj, duke vënë në dukje faktin se Shqipëria vazhdon të jetë aktive dhe mbështet hartimin e strategjive të zhvillimit rajonal në fusha si tregtia, transporti, energjia, lufta kundër krimit të organizuar e trafiqeve ilegale, mjedisi, mediat, etj.

Kryetari i Shtetit vlerësoi gjatë bisedës se anëtarësimi i vendeve tona në NATO konsiderohet si një ngjarje historike si për Shqipërinë ashtu dhe për Kroacinë. “Ai është një vlerësim tepër pozitiv për ecurinë e reformave në të dy vendet dhe për kontributin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë dhe japin për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit”, - u shpreh Kryetari i Shtetit.

Duke vënë në dukje zhvillimet pozitive në Shqipëri në realizimin e reformave të rëndësishme në vend, Presidenti Topi ritheksoi vullnetin dhe angazhimin maksimal të shtetit dhe popullit shqiptar për të realizuar aspiratën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi vlerësoi politikat e zgjerimit të BE-së, në konkretizim të aspiratave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin evropian, për të cilat Presidenti i Republikës shprehu besimin se do të ndryshojnë cilësisht statusin e Shqipërisë dhe të Kroacisë dhe raportet e rajonit me BE-në. “Paralelisht me synimin për liberalizimin e vizave me BE, ne synojmë liberalizimin e vizave brenda rajonit. Politika jonë rajonale do të vazhdojë të mbështetet në parimet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me të gjitha vendet, pa asnjë përjashtim”, - theksoi Presidenti Topi.

Nga ana e tij, z. Bebiç pasi uroi edhe njëhere për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, së bashku me Kroacinë në të njëjtën ditë, shprehu kënaqësinë për takimin me Presidentin Topi dhe theksoi se takimet mes politikanësh në nivelet e larta thellojnë dhe nxisin dialogun politik dhe bashkëpunimin parlamentar duke ndihmuar ecjen përpara në rrugën e përbashkët drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Z. Bebiç vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në funksion të qëndrueshmërinë, paqes dhe begatisë afatgjatë duke e siguruar Presidentin Topi se çështja e liberalizimit të vizave do të gjejë së shpejti një zgjidhje konkrete edhe nga pala kroate duke nënvizuar gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar e mbështetur vendin tonë që t’i bashkangjitet sa më shpejt familjes së madhe evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›