Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhje grupi parlamentarë të PD-së
Zonja deputete
Zotërinj deputetë
Në këtë mbledhje dhe pothuaj deri në mesin e dhjetorit, kryefjala e të gjithë veprimtarisë sonë, si mazhorancë, do të jetë buxheti i vitit 2012. Siç ju kisha njoftuar në një mbledhje të mëparshme, ky do të jetë buxheti më i madh që qeveria shqiptare ka paraqitur në parlament dhe që ju keni votuar deri më sot.
Në buxhetin që ju do të diskutoni gjerësisht dhe do të votoni, kujdesi kryesor i qeverisë ka qenë respektimi i përparësive të kësaj mazhorance, mbështetja e fuqishme e politikave të shpallura nga kjo mazhorancë, si politikat më prioritare. Natyrisht, në këtë kontekst, jemi të gjithë dakord që skeleti makroekonomik, apo struktura makroekonomike duhet të respektohet me çdo kusht dhe me çdo çmim. Pra, ruajtja e treguesve makroekonomike, në nivele të shpallura nga qeveria dhe të pranuara botërisht si nivele të shëndetshme, përben një përparësi madhore, absolute, për ne. Ky është tipari më kryesor i të gjithë veprimtarisë ekonomike të kësaj mazhorance. Ne gjetëm një borxh 72 përqind të prodhimit të brendshëm. Ne erdhëm në pushtet, kur kreditë, huatë përdoreshin për të paguar rroga dhe pensione. Ne, në sajë të reformave ekonomike dhe funksionimit të tyre, ia kemi dalë që, duke ulur borxhin nën 60 përqind, duke mbajtur një deficit buxhetor të standardeve më të mira të vendeve të Bashkimit Europian, duke pasur një nga inflacionet më të kontrolluara në rajon dhe më gjerë në hapësirën e Bashkimit Evropian, të mbi dyfishojmë rrogat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, të dyfishojmë pensionet e ulëta, të dyfishojmë rrogën mesatare, të dyfishojmë rrogën minimale, ia kemi dalë të asfaltojmë, ndërtojmë dhe rindërtojmë në mbarë vendin, mbi 9 mijë kilometra rrugë, ia kemi dalë të mbështesim fuqishëm Shqipërinë dixhitale e sot ta nxjerrim nga honet, ku ishte vidhisur, në standardin europian, jo të Bashkimit Europian, është fjala në mesataren europiane. Këto reforma ekonomike të zbatuara, kushti i tyre ka qenë garantimi i stabilitetit makroekonomik. Ndaj sërish në këtë buxhet, ne vëmë si konditën më themelore, kontrollin rigoroz të borxhit, deficitin buxhetor ndër me të ulëtit në hapësirën e Bashkimit Europian dhe inflacionin tërësisht të kontrolluar.
Duke përcaktuar tre objektiva, natyrisht, sërish jemi shumë të privilegjuar, sepse do të mund të mbështesim fuqishëm axhendën tonë politike, objektivat tona politike të shpallura. Edhe vitin që vjen, Shqipëria do të listohet në më të paktat vende që do të rrisin rrogat dhe pensionet. Kjo është një politikë konstante e jona, natyrisht, me një çmim të padiskutueshëm, mund t’u them vetëm kaq, se nga vjet e deri sivjet, fatura e pensioneve rritet me 80 milionë dollarë. Domethënë 80 milionë dollarë nga ky buxhet, më shumë se vitin e kaluar, për shkak të kontraktimit të rritjeve të mëparshme, do të kalojnë në fondin e pensioneve, fond, i cili është mbi dyfishuar gjatë këtyre viteve, është rritur me mbi 100 përqind, por jam i bindur se kjo është një rritje e merituar dhe përbën një domosdoshmëri të madhe. Sërish vështirësitë e pensionistëve janë serioze, por çdo njëri prej tyre e ka të qartë se kurrë ndonjëherë sa janë rritur këto vite pensionet, nuk janë rritur më parë. As edhe njëherë tjetër. Secili prej tyre e ka sot shumë të qartë politikën shumë të vendosur të rritjes së pensioneve, që ka ndjekur kjo qeveri dhe unë i garantoj se prapë kjo politikë e rritjes do të vazhdojë. Po kështu, rritja e rrogave. Për shkak të funksionimit të ekonomisë sonë, ne kemi sërish mundësi vitin e ardhshëm të rrisim rrogat e ne do i rrisim ato.
Nuk ka dhe nuk do të ketë as edhe një rritje të vetme të taksave. Ky model ekonomik, i cili u bëri të mundur shqiptarëve të shohin të realizohen në vendin e tyre, rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, të marra sëbashku, më shumë se në të gjitha kohërat. Ky model ka si shtyllë kryesore këtë sistem taksash të ulëta, që ne kemi vendosur. Mos harroni se renditemi ndër më të paktat në vende, në të cilat regjistrohet ulje papunësie dhe jo rritje e saj, siç është sot, trendi, në këtë krizë të madhe europiane dhe botërore. Ndaj unë dua të garantoj biznesmenët, se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje taksash. Sistemi ynë është sistem suksesi. Modeli ynë është model suksesi, i konfirmuar dhe i certifikuar tashmë, nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ne do të bëjmë çmos ta konsolidojmë më tej, të rrisim transparencën, të rrisim efiçencën e administratës. Në këtë buxhet janë pakësuar ndjeshëm shpenzimet operative dhe kjo është bërë në mënyrë që të mund të mbajmë dhe të mund të mbështesim fuqishëm përparësitë, që ne kemi shpallur para zgjedhësve. Në mënyrë që secili prej jush të takohet me zgjedhësit e vet, me premtime të realizuara.
Mbështetja e dytë e fuqishme pas rrogave dhe pensioneve mbetet infrastruktura e vendit.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Shqipëria po shkon drejt finishit të infrastrukturës më të re, më moderne, në rajon dhe unë ju garantoj se për finalizimin e kësaj infrastrukture, për asfaltimin e të gjitha rrugëve të këtij vendi, në çdo fshat dhe çdo komune të tij, për të bërë realitet projektin që çdo shqiptar të arrijë në kryeqytetin e vendit, duke kursyer jo më se 60 përqind të kohës së tij, duhet jo më shumë se 1.5 miliardë euro. Ne kemi transformuar Shqipërinë. Në një vit, kjo nuk mund të bëhet, por në dy ose tre vite, kjo është 100 përqind e realizueshme dhe për te realizuar këtë, ne prapë po mbajmë ritmet më të lartë të investimeve në rrugët e vendit. Kemi parashikuar këtë vit, po themi gjysmë miliardë dollarë, por duhet t’ju informoj këtu me transparence se, përveç të parashikuarës, siç thotë francezi, të gjitha të ardhurat nga privatizimet do të shkojnë në infrastrukturë.
Ato nuk janë parashikuar në buxhet, sepse kemi vendosur që, sapo ato të realizohen, t’i sjellim në parlament për destinacionin e tyre, në mënyrën më transparente, por dua t’ju them këtu, se nuk mund të kenë asnjë destinacion tjetër, përveçse rasteve dhe situatave tepër të veçanta të problemeve makroekonomike që, sigurisht, do të shkojnë në mbrojtje të tyre, përndryshe, të gjitha do të jenë në rrugët e këtij vendi. Këto rrugë po çlirojnë energji të jashtëzakonshme, optimizëm shumë të madh. Çdo rrugë e re është një arterie e energjisë së tregut. Çdo rrugë e re është një pasaportë besimi të madh tek banorët e tij, në fshatin, komunën apo vendin ku jetojnë. Është një ndryshim i madh psikologjik, duan të ndërtojnë ëndrrën, aty ku jetojnë.
Gjatë vizitës sime në Sinjë të Beratit, në Shpatet e Shpiragut, karshi kafenesë, ku u ulëm për të pushuar, ishte një vilë e mrekullueshme. Pyeta se e kujt ishte dhe më thanë se ishte vila e një të huaji. Çdo shqiptar do të donte të kishte një vilë aty. Këtë gjë e ka bërë të mundur rruga. Gjithashtu, me zotin Turku ishim në Fushë Studen, për të inspektuar rrugën që po ndërtohet. Këtë herë, këtë rrugë e bëmë për 1 orë e 30 minuta. Por, absolutisht, pas ndërtimit të tunelit Tiranë – Elbasan dhe të asaj rruge, ne do të gjendemi për 1 orë në një nga bukuritë më të mëdha natyrore të këtij vendi. Unë nuk i kam parë të gjitha bukuritë e vendit, por shumicën po. Atje ishte katër-pesë fishuar çmimi i tokës. Kryetari i Komunës dhe banorët më thanë se çmimi i tokës është rritur 4 deri në 5 herë, ndërkohë që rruga ende nuk është ndërtuar plotësisht. Pra, infrastruktura sjell çlirimin e energjisë së tregut, e cila vërshon në të katër anët. Kështu që unë besoj se këtë përparësi, ne e kemi përcaktuar shumë qartë dhe shumë drejt dhe duhet t’i qëndrojmë kësaj me çdo çmim, deri në fund. Do të investohen 1.5 miliardë euro që duhen për të finalizuar infrastrukturën më moderne të këtij vendi, pasi shumicën e kemi përfunduar. Ne nuk braktisim asnjë fshat, asnjë komunë të Shqipërisë, por do t’i japim asaj infrastrukturën më moderne.
Përparësia tjetër është teknologjia e informacionit, mosha dixhitale. Edhe kjo ka funksionuar. Në rast se ju kujtohet, në vitin 2006, kur ne e shpallëm këtë nismë, pati ironi dhe përqeshje, ndërsa në vitin 2011, dy javë më parë, në Raportin Global të Davosit, Shqipëria renditet e dyta në botë për indeksin e shpejtësisë së gatishmërisë së rrjetit. Kush mund ta imagjinonte një gjë të tillë! Në qoftë se kemi qenë në nivelin 4.8 për qind dhe kemi qenë 10 herë nën nivelin mesatar të Evropës, - jo të BE-së, por të Evropës -, sot ne jemi në nivelin mesatar të Evropës, në 50 për qind të penetrimit të ICT-së. Duhet të kapim nivelet e vendeve të BE-së dhe të ecim më tutje.
Ndaj dhe ky buxhet ju jep mbështetje të plotë financiare projekteve më kryesore të Shqipërisë dixhitale. Viti 2012, 100 vjetori i Shqipërisë, duhet të kemi realizuar “Shqipëria dixhitale”. Unë ju garantoj se është arritje më e madhe se çdo monument mbitokësorë që ne mund të ndërtojmë. Edhe për këtë projekt, njësoj si në projektin e rrugëve, duhet të operojmë në rrafshin filozofik me shpejtësi me kohën, më të çmuarën e të çmuarave, por edhe me transparencën. Këto na bëjnë ne gjithnjë e më transparent përpara qytetarëve dhe u japin qytetarëve shërbimet më të mira. Ndaj dhe këtu, Ministria e Financave, bashkë me ministritë dhe agjencitë përkatëse, pasi ka ndarë buxhetin për rrogat, pensionet dhe rrugët, buxheti tjetër ka pasur sigurisht në listë projektet e Shqipërisë dixhitale.
Ne mirëpresim shumë diskutimet tuaja, sugjerimet, vërejtjet dhe plotësimet tuaja në të gjitha aspektet e buxhetit.
Përparësi e tretë absolute është: Shqipëria, kopshti më i madh në Evropë. A mundet të bëhet ky vend i vogël më i madhi në Evropë?. Ndoshta si kopsht mund të bëhet, por ndryshe ai nuk ka sipërfaqen e duhur. Ndaj dhe ne, me projektin tonë ambicioz, do bëjmë gjithçka, do rrisim financat për të mbjellë, në një hark kohor 8 vjeçar, 250 milionë rrënjë arrorë dhe ullinj. Këtu mund t’ju konfirmoj se janë gjetur mekanizmat për t’u dyfishuar burimet, krahasuar me një vit më parë. Ky është një projekt shumë serioz, i cili do të bëjë të mundur që fermerë shqiptarë të konkurrojnë me dinjitet me fermerët evropianë, të përballen me subvencionet e pa llogaritshme që u jepen bujqësisë dhe blegtorisë së këtyre vendeve. Ne do të bëjmë gjithçka, por prapë se prapë ata (fermerët e huaj) paguajnë 3 euro në ditë figuracion, për një lopë. Ndaj ne do të gjejmë të gjitha mënyrat që të ecim përpara dhe të konkurrojmë si duhet. I garantoj fermerët se asnjë produkt i vetëm ushqimor që hyn në këtë vend, apo që përdoret për të prodhuar produkte të tjera ushqimore, pra hyn si lëndë e parë, nuk do të mund t’i shpëtojë tatimit të merituar. Jo! Ne do të bëjmë çdo gjë që t’i mbrojmë ata. Po të krahasojmë subvencionet që marrin fermerët në vende të zhvilluara të Evropës, fermerët tanë dalin heronj, me mënyrën se si prodhojnë e gjallojnë në shtëpitë e tyre.
Por, të thuash njëherë se do të heq taksën e miellit, një herë tjetër atë të grurit, pastaj se nuk do prek grurin, por do prek bukën, është si të gënjesh 3 herë. Por shqiptarët kanë një gjë të mrekullueshme, janë njerëz të vuajtjeve, të sakrificave dhe për rrjedhojë, edhe të eksperiencës më të gjatë e më të madhe. Mjerë ata që tentojnë t’i gënjejnë, sepse ata ua presin vet faturën.
Ne do të bëjmë çmos të mbështesim fuqishëm mbjelljen e pyjeve frutorë. Pasioni është shumë i madh. Unë isha në Berat dhe deputetët dhe autoritetet vendore më informuan se është katërfishuar kërkesa për arrorë, në krahasim me atë që është parashikuar. E njëjta gjë ka ndodhur ne Pukë, në Kukës, kudo. Është në detyrën tonë të mbështesim fuqishëm çdo ditë pasionin për të mbjellë dru frutorë dhe pa u diktuar atyre se çfarë të mbjellin. Sigurisht Korça do mbjellë mollë, Peshkopia do mbjellë mollë, arrorë, pra ata do mbjellin sipas gjykimit të tyre se nga çfarë nxjerrin më shumë fitim. Ne do t’i mbështesim financiarisht dhe do t’i mbrojmë ata.
Unë dua të garantoj ata fermerë të cilët, për shkak të tejkalimit të madh të projekteve, në raport me fondin e përcaktuar, nuk kanë marrë paratë, do t’i marrin që të gjithë. Ministria e Bujqësisë do të bëjë likuidimin e tyre dhe pastaj do të hapë projekte të tjera. Sikundër, kësaj here skema ndryshon, do të ketë kontroll të plotë reciprok, me pushtetin vendor, - ata do të kontrollojnë qeverinë, qeveria do të kontrollojë ata. Kështu duhet, pasi kjo duhet të jetë skema më transparente. Siç e shikoni, në qoftë se të tjerë e bazojnë veten e tyre në fjalë, fjalë e vetëm fjalë tërkuzë, ne e bazojmë alternativën tonë në vepra, vepra dhe vetëm vepra, në rrugë, ura, shkolla, ujësjellës, kanalizime, plantacione, IST, internet, etj. Ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë, me vepra.
Ju ftoj që ta bëni objekt të gjerë diskutimi këtë buxhet. Natyrisht, asnjë prej nesh nuk mund të jetë i lumtur me të, pasi do të donim të ishte 3 herë më i madh, por le t’i falemi Zotit se kemi mundësi të paraqesim një buxhet, falë reformave që kemi mbështetur, i cili jep mundësi të mbështesim programin tonë të premtuar qytetarëve shqiptarë, në mënyrën më të vendosur.
07/11/2011