E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet punimet e konferencës për zhvillimin e shoqërisë së informacionit, në kuadër të e-SEE

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në punimet e Konferencës dyditore të nivelit të lartë për zhvillimin e shoqërisë së  informacionit, në kuadër të nismës Evropa Juglindore Elektronike (e-SEE), që po zhvillohet në Tiranë. Në këtë Konferencë marrin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë nga vende të rajonit, si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Moldavia, Rumania, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Ambasadori i Delegacionit të KE-së në Shqipëri, z. Etore Sekui, Drejtori i Zyrës së UNDP në Shqipëri, z. Norimasa Shimomura, zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së znj. Jelica Minić, Drejtori i Zyrës së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU-së z. Brahima Sanou,etj.

Duke u shprehur për rëndësinë që ka zhvillimi i kësaj konference në Tiranë, Kryeministri Berisha theksoi se “teknologjia dixhitale është në shumë aspekte leva e Arkimedit për të kapërcyer kohërat, për të kapur kohën e humbur, për tu ofruar qytetarëve shërbimet më të mira të kohës, por për të vendosur, gjithashtu, në themel të veprimtarisë sonë transparencën si kushtin e të gjitha kushteve për një qeverisje të mirë”.

Kryeministri u shpreh se edhe këtë vit në buxhet është përcaktuar, një nga tre drejtimet e tij themelore, mbështetja e Shqipërisë dixhitale. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se qeveria po punon në realizimin e të gjitha zotimeve të nismës së partneritetit për qeveri të hapur dhe tashmë ka bërë një progres thelbësor.

Kjo konferencë u organizua nga zyra e ministrit shqiptar të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe ka si qëllim kryesor thithjen e potencialit të plotë të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit (TIK) për të nxitur risi, rritje ekonomike, konkurrencë rajonale në këtë fushë, si dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës në vendet e Evropës Juglindore.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj për praninë tuaj në Tiranë, si dhe për organizimin e kësaj konference jashtëzakonisht të rëndësishme, në të cilën ne, së bashku, do të diskutojmë mbi zhvillimet e rëndësishme në vendet respektive në fushën e teknologjisë dixhitale, por edhe do të përcaktojmë objektiva ambiciozë në këtë fushë. Teknologjia dixhitale është në shumë aspekte leva e Arkimedit për të kapërcyer kohërat, për të kapur kohën e humbur, për tu ofruar qytetarëve tanë shërbimet më të mira të kohës, por për të vendosur, gjithashtu, në themel të veprimtarisë sonë transparencën si kushtin e të gjitha kushteve për një qeverisje të mirë.

Vendet tona janë që të gjitha të detyruara të rendin në orbitën e globalizmit. Në këtë kontekst teknologjia dixhitale është jetike, në mënyrë që ato të ecin së bashku me tik - takun e orës globale. Shqipëria ofron një eksperiencë ndër më uniket në Evropë. Unikaliteti i kësaj eksperience qëndron në faktin e hidhur se në vitin 2005 niveli i penetrimit në ICT në këtë vend ishte ndër më të ulëtit në botë. Ky indeks ishte gjithsej 4.8 përqind. Penetrimi i telefonisë celulare në Shqipëri sërish ishte ndër më të ulëtit, vetëm 38 përqind. Ndaj dhe për qeverinë time një nga objektivat më madhorë, më ambiciozë, por, natyrisht, edhe të vështirë ishte ‘Shqipëria në moshën dixhitale’. Eksperienca e Shqipërisë ka unikalitetin e saj edhe për faktin se në një hark të shkurtër kohor vendi ia doli që sot të jetë në mesataren evropiane të treguesit të penetrimit të ICT-së. Shqipëria sot e ka këtë tregues mbi 50 përqind. Natyrisht, nuk është në mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian, e cila është 63 përqind. Shqipëria renditet ndër vendet më të para për shkallën penetrimit të telefonisë celulare. Vendi që pak vite më parë kishte një penetrim prej 38 përqind, sot ka një penetrim prej 142 përqind.

Shqipëria sot është vendi i vetëm në rajon me katër operatorë celularë. Ka dhënë dy licenca për shërbimin 3G dhe po përgatit 2 të tjera. Ndërkohë parashikon nga viti 2012 të avancojë në teknologjitë 4G. Shqipëria është e përgatitur dhe ka nisur të dhjetëfishojë fluksin e internetit. Ajo synon që në një kohë të shkurtër të mund të furnizojë me internet me bandë super të gjerë në të gjithë vendin. Aktualisht në buxhetin e saj modest, në kushte jo dhe aq të favorshme evropiane e botërore, sërish është përcaktuar në një nga tre drejtimet e tij themelore mbështetja e Shqipërisë dixhitale. Janë mbi 125 projekte, të cilat do të zhvillohen gjatë vitit që vjen. Ne synojmë që gjatë vitit të ardhshëm të shënojmë një kthesë të re vendimtare në Shqipërinë dixhitale. Ne mbyllim këtë vit duke u renditur të dytët në botë, sipas raportit të Forumit të Komunitetit Global për gatishmërinë e rrjetit. Ne ambicien tonë e kemi që të kapim një nga nivelet më të larta. Pak vite më parë, në vitin 2007, unë bëra një vizitë në Estoni. Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte të kuptoja se si estonezët ia dolën të ngjiten në çatinë e botës. Në ato takime mësova shumë nga ajo eksperiencë e çmuar, por në Shqipëri do të kishte një zhvillim tjetër, ky zhvillim i madh ishte tek të rinjtë. Natyrisht, përdorimi i internetit është një gjë e thjeshtë, doktrinë që bazohet në ikona, nuk njeh moshë, nuk njeh profesion dhe mund të përdoret nga çdo lloj niveli arsimor, por për të rinjtë është magnet. Ndaj dhe në Shqipëri rritja ndodhi kaq e shpejtë. Sot në Facebook të rinjtë shqiptarë komunikojnë duke lënë pas 17 vende të Bashkimit Evropian.

Shqipëria u anëtarësua në nismën e partneritetit për qeveri të hapur. Kjo është një nismë jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila synon të bëjë qeverisjet tona transparente para qytetarëve të vendit. Qeveria po punon në realizimin e të gjitha zotimeve të kësaj nisme, por dua t’ju informoj ju se ne tashmë kemi bërë një progres thelbësor. Ne sot jemi vendi i prokurimeve elektronike 100 përqind online dhe këtë e kemi realizuar në vitin 2009. Po avancojmë për të kompletuar në këtë sistem të gjitha blerjet e vogla dhe shpenzime të tjera. Jemi vendi i one stop shop për regjistrimin e bizneseve, por edhe dhënien e licencave e lejeve. Pranimet universitare pak vite më parë ishin një panair korrupsioni. Sot janë me zero korrupsion, falë dixhitalizimit të shpërndarjes. I tërë sistemi i patentave, lejeve të drejtimit, është tërësisht dixhital. Gjendja civile, taksat, doganat, janë të tilla. Ne po punojmë në shumë projekte të tjera, të cilat do të bëhen realitet gjatë vitit 2012. Shqipëria ishte shumë mbrapa në numrin e specialistëve në këtë fushë. Ne kemi lëvizur me shpejtësi të madhe në sistemin tonë arsimor. Vetëm këtë vit në universitetet e vendit hyjnë në degët e ICT dhe të lidhura me të mbi 4000 studentë. Kemi krijuar Qendrën e Inovacionit. Do të bëjmë gjithçka për të nxitur zhvillimin dhe inovacionin. Unë gjej rastin të shpreh një falënderim të përzemërt për të gjitha kompanitë shqiptare të ICT-së, të cilat qëndrojnë në themel të këtij procesi, qëndrojnë në themel të këtyre sistemeve, të vendosjes së internetit në çdo shkollë. Ne tani po punojmë për të vendosur internetin në çdo klasë, por edhe në sistemet e tjera.

Duke i uruar suksese kësaj konference i konsideroj shumë të rëndësishme përpjekjet tona të përbashkëta rajonale, krijimin e qendrave rajonale të teknologjisë dhe inovacionit. Ora e teknologjisë globale është ora më e shpejtë në botë. Ndaj dhe ne do të bëjmë përpjekjet më të mëdha që së bashku të ecim me këtë orë.

Faleminderit!”


07/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›