E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë urojnë Kurban Bajramin në Selinë e Bashkësisë Myslimane dhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane

6 nëntor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë Teuta Topi, zhvilluan sot në mesditë vizita në Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare dhe në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane me rastin e Festës së Kurban Bajramit, ku u pritën nga Kryetari i Bashkësisë Myslimane Shqiptare, Haxhi Ing. Selim Muça dhe më pas nga nga Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Gjatë këtyre vizitave, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë përcollën urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, duke shprehur njëkohësisht shpresën e besimin që ditë të tilla kremtimi të sjellin më shumë mirësi, mirëkuptim, harmoni e dashuri në familjet shqiptare, si dhe të kontribuojnë në mënyrë sa më të efektshme në forcimin e imazhit të fesë dhe të bashkëjetesës e tolerancës së feve në vendin tonë.

Kreu i Shtetit shqiptar i shprehu këto urime edhe nëpërmjet mediave të pranishme: “Së pari dëshrioj t’u uroj gëzuar ditën e Kurban Bajramit besimtarëve myslimanë dhe gjithë popullit shqiptar! Sikurse i thashë pak më parë edhe Haxhi Selim Muçës, kemi në këtë ditë të bukur edhe bekimin e Zotit, sepse edhe këtë ditë nëntori, Zoti e ka bërë si ditë vere. E ka bërë për shqiptarët. E ka bërë për të demonstruar, simbolikisht e them, pikërisht atë që vetë kjo ditë simbolizion: është dita e sakrificës njerëzore për paqen, për dashurinë, për harmoninë.

Ky është edhe mesazhi im sot për të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë në Shqipëri, në diasporë, për të gjithë besimtarët, për të gjitha besimet në Shqipëri që të kenë harmoni midis tyre, të kenë dialog midis tyre dhe të ndërtojnë vetëm vepra të mira. Edhe juve gjithashtu jua uroj këtë ditë të bukur!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›