E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Task Forca e radhës për shëndetësinë

Kryeministri theksoi se korrupsioni duhet të luftohet në çdo hap e çdo procedure; se publikut duhet t`i bëhen transparente problemet e masat e ndërmarra si dhe të tregohet një vëmendje e veçantë për informatizimin e shërbimit spitalor e farmaceutik, si mekanizma shumë të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin e çuar përpara sistemin shëndetësor

Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e radhës e Task Force-s së shëndetësisë. Në këtë takim u diskutuan një sërë problematikash, të lidhura me reformën e sistemit shëndetësor, ku, krahas zbatueshmërisë së detyrave të lëna nga mbledhjet e mëparshme, problemi ku Kryeministri u ndal më gjatë ishte çështja e korrupsionit në shëndetësi dhe hapat konkretë që janë e duhen ndërmarrë në luftën e mëtejshme kundër tij.

Ministri i shëndetësisë Petrit Vasili referoi për masat e marra deri më tani nga ministria për këtë qëllim siç janë sistemi i referencës së çmimeve për vizitat dhe minimizimi i kontakteve informale ndërmjet mjekut e pacientit që kanë çuar në minimizimin e fenomenit të pagesës nëndorë dhe rregullin në kryerjen e vizitave mjekësore. Gjithashtu, ministri bëri të ditur urdhrat: për afishimin transparent të tarifave dhe orareve të shërbimeve; për barnat të cilat mungojnë në spitale dhe mënyrën si autorizohet blerja e tyre nga pacienti; urdhrin për komunikimin etik me pacientin dhe familjaret; urdhrin për hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve; urdhrin për ngritjen e grupit të punës për kostifikimin e shërbimeve. Ministri i paraqiti Task Force-s dhe planin e detajuar të masave që është në matricën antikorrupsion të MSH për vitin 2010.

Gjatë takimit u evidentuan shkaqet e korrupsionit në hallka të ndryshme e të veçanta të sistemit dhe u diskutua për gjetjen e rrugëve efikase e konkrete për ta luftuar thellësisht atë.

Kryeministri vlerësoi hapat e deritanishëm në këtë drejtim, por kërkoi që të marrë fund problemi i mungesës së barnave në spitale, i mosfunksionimit të aparaturave apo mosbërjes së analizave e ekzaminimeve të ndryshme në shërbimin publik shëndetësor, i sorollatjes së pacientëve me qëllim përfitimi, i trajtimit jo etik të pacientëve e familjarëve.

Duke theksuar se përparësia absolute e reformës në sistemin shëndetësor është lufta kundër korrupsionit, Kryeministri u shpreh se duhet luftuar korrupsioni në çdo hap e çdo procedurë, publikut duhet t`i bëhen transparente problemet e masat e ndërmarra, si dhe kërkoi të bëhen ndryshimet e nevojshme në mënyrë që çdo hallkë e sistemit t`i shërbejë sa më mirë e shpejt pacientëve, që qytetarët shqiptarë të marrin shërbimin shëndetësor që ata meritojnë.

Një vend më rëndësi në diskutimet në takimin e Task Force-s iu kushtua çështjes së Universitetit Mjekësor, e për të bërë hapat e duhur e të matur në këtë drejtim, Kryeminstri i kërkoi ministrave të linjës dhe dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të punojnë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për kalimin e departamenteve të stomatologjisë dhe farmacisë në fakultetet respektive, si dhe kërkoi t`i krijohet hapësira e duhur punësimit dhe konkurrimit të mjekëve të rinj e të talentuar, me kontribute e aktivitete të shprehura shkencore.

Një nga çështjet që Task Forca shqyrtoi me vëmendje të veçantë ishte dhe informatizimi i shërbimit spitalor dhe atij farmaceutik, parë si mekanizma shumë të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin e çuar përpara sistemin shëndetësor që ky t`i përgjigjet standardeve më të mira të kërkuara, proces që duhet bërë nën drejtimin e AKSHI-t, gjithmonë duke pasur parasysh praktikat më të mira në këtë drejtim.


10/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›