E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e lamtumirës, Bush mbron politikat e tij

Uashington - Kur kanë mbetur vetëm pesë ditë nga qëndrimi I tij në postin e Presidentit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Zhorxh Ë. Bush ka mbajtur edhe fjalimin e lamtumirës ku nuk ka nguruar të mbrojë politikat e tij të brendshme dhe të jashtme. "Sonte, me një ndjenjë falënderimi, unë kërkova që për herë të fundit, të ndaj me ju disa mendime për udhëtimin tonë të përbashkët dhe të ardhmen e vendit tonë.", ka thënë Bush teksa ka theksuar se "Ka disa gjëra, të cilat ndoshta do t’i kisha bërë ndryshe po të më jepej rasti. Megjithatë, unë kurdoherë kam vepruar, duke patur në mendje atë që ishte në interesin më të mirë të vendit."

Kjo ka qenë një javë me disa veprime të fundit për presidentin Xhorxh Bush: konferenca e fundit për shtyp, takimi i fundit i kabinetit dhe fjalimi i fundit drejtuar vendit.

Kur na ndajnë vetëm 5 ditë nga Dita e Inaugurimit, zoti Bush foli për transferimin paqësor të pushtetit që do të ndodhë kur Barak Obama të bëjë betimin, duke u bërë Presidenti i parë afrikano-amerikan në Shtetet e Bashkuara.
"...Në shkallët e Kapitolit, do të qëndrojë një burrë historia jetësore e të cilit pasqyron premtimin e kësaj toke. Ky është një moment shprese dhe krenarie për vendin tonë",- tha Presidenti.

Bush tha se administrata e tij kishte sjellë demokraci në Irak dhe Afganistan dhe kishte parandaluar një tjetër sulm mbi tokën amerikane shtatë vjet pas 11 shtatorit.

"Ne bëmë luftë me terroristët dhe ata që i mbështesin. Afganistani është bërë nga një vend ku Talebani strehonte Al Kaedën dhe vriste me gurë gratë nëpër rrugë, në një demokraci të re që është duke luftuar terrorin dhe inkurajuar vajzat që të shkojnë në shkollë. Iraku është bërë nga një diktaturë e egër dhe armik i betuar i Amerikës në një demokraci arabe në zemër të Lindjes së Mesme dhe në një mik të Amerikës.”, vijoi ai.

Për ekonominë, presidenti tha se kishte vepruar me vendosmëri për të kapërcyer kërcënimin e një kolapsi financiar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›