“Fjala e mbajtur dhe vizioni ynë për Shqipërinë do ta çojë PD-në drejt përsëritjes së suksesit”
Luçiano Boçi, deputet i Partisë Demokratike, analizon situatën politikë në prag të zgjedhjeve parlamentare
Deputeti i Partisë demokratike, Luçiano Boçi në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, i bën një analizë situatës politike në vend, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Sipas Boçit, fjala e mbajtur dhe vizioni për Shqipërinë që progreson, do ta çojë PD-në drejt përsëritjes së suksesit, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Si deputet i qarkut të Elbasanit, Luçiano Boçi zbulon se në funksion të kësaj fitore, ka filluar edhe rivitalizmi i strukturave ët PD-së në këtë qark, si dhe anëtarësimet e reja në këtë parti.
Duke folur për bllokimin e tre ligjeve integruese nga ana e opozitës, Boçi shprehet se, “tashmë bllokuesi dhe penguesi Rama, është i vetëdeklaruar, por më e keqja është se komportimi i tij arrogant nuk le hapësira parlamentare për të tejkaluar ngërçin e mosvotimit të ligjeve që do ti hapnin rrugë marrjes së statusit”. Më tej, deputeti i PD-së, ndalet edhe në analizën e pikave të veçanta të reformave ët qeverisë së mazhorancës
Javët e fundit strukturat e Partisë Demokratike të qarkut të Elbasanit janë aktivizuar për të bërë një fushatë dinamike. Si janë parapërgatitjet e nisjes zyrtare? Ku do të përqendroheni për të marrë një votëbesim të ri?
Parapërgatitjet e nisjes zyrtare të fushatës elektorale kanë kapur ritmet e duhura dhe angazhimi i strukturave në këtë pikë ecën progresivisht drejt kuotave maksimale. Për këtë grupi i punës i drejtuar nga Arben Imami ka ndërtuar një axhendë të qartë dhe funksionale e cila synon si rivitalizimin e seksioneve të PD në çdo pikë të qarkut të Elbasanit ashtu dhe vazhdimin me intensitet të anëtarësimeve të reja të cilat furnizojnë me energji të reja përpjekjet tona për të shkuar drejt përsëritjes së pritshme të suksesit. Për këtë kontaktet janë të shpeshta dhe po lëvizin nga brenda strukturave drejt qytetarëve me qëllim që të realizohet bashkërisht një dialog llogaridhënës dhe njëkohësisht evidentues i arritjeve dhe mungesave të mundshme për të argumentuar qartë përpjekjet maksimale të bëra përgjatë këtyre viteve në të gjithë sektorët e ekonomisë, bujqësisë, arsimit, kulturës e sportit, qëllimi final i të cilave ka qenë dhe mbetet përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarit. Transmetimi i një besueshmërie të plotë për fjalën e mbajtur si dhe vizioni ynë për një Shqipëri që progreson e shndërrohet do jenë pjesë e parashtrimeve të detajuara përmes takimeve me formate të ndryshme dhe objekte të ndryshme me qëllim që fjala jonë të mos mbesë vetëm në nivelin e sloganeve dhe deklaratave, por të jetë e thjeshte, e kuptueshme e të shkojë natyrshëm te problemi dhe halli i secilit prej zgjedhësve.
“Shqipëria e Zhvilluar” është projekti i kryeministri Berisha për mandatin e tretë qeverisës. Si përfshihet qarku i Elbasanit në këtë projekt? Sa e prekshme do të jete e ardhmja e qytetarëve të Elbasanit, Librazhdit, Gramshit, Peqinit, Cërrikun, e gjithë zonave të tjera?
Elbasani si qark është pikë reference e këtij projekti pasi ai mbetet, krahas qarqeve të Korçës e Beratit, një ndër përfituesit kryesorë të kësaj ideje gjigande me përfundimin e punimeve të rrugës nga më kryesoret të vendit të asaj Tiranë – Elbasan. Trekëndëshi ekonomik i përftuar si rezultat imediat i kësaj vepre do shndërrohet në një burim efektesh të shumta pozitive të karaktereve të gjithanshme ekonomiko sociale e kulturore të cilat do të shndërrohen në benifice të prekshme për një popullsi gati 1 milionëshe. Sigurisht përfituesit më të drejtpërdrejtë do të jenë banorët e rretheve të përmendura sektorët e zhvilluar të së cilëve do të njohin trende të reja sikurse gama e sektorëve të rinj do sigurojë shtime galopante gjë që do të aktivizojë forca prodhuese dhe punësuese të kënaqshme.
Bujqësia shqiptare ka humbur vitin e fundit 30 milion euro nga fondet e BE për shkak të mosmarrjes së Statusit të vendit Kandidat? Tre ligjet nuk votohen dhe nisma e PD për referendum është një iniciative politike për t’u dhënë qytetarëve demokracinë direkte. Si arritëm deri në këtë pikë?
Humbja e fondeve të BE për shkak të mosmarrjes së statusit kap jo vetëm sektorin bujqësor por dhe sektorë dhe programe të tjera zhvilluese sikurse ka penguar dhe funksionimin e eficencën e sektorëve të gjyqësorit e të administratës publike. Tashmë bllokuesi dhe penguesi Rama, është i vetëdeklaruar, por më e keqja është se komportimi i tij arrogant nuk le hapësira parlamentare për të tejkaluar ngërçin e mosvotimit të ligjeve që do ti hapnin rrugë marrjes së statusit. Në këto kushte nisma e PD për referendum si shprehje e demokracisë direkte, prevalon si mënyra më e efektshme dhe më kushtetuese për të arritur miratimin e ligjeve të domosdoshme të cilat në thelb janë më shumë se statusmarrëse dhe njëkohësisht ajo dëshmohet si mënyra më e mirë për të ndalur arrivizmin destruktiv të lidershipit të PS i cili i trembur nga fjala “sukses i kundërshtarit” kërkon ta ndërtojë politikën e tij mbi piedestalin e së keqes. Interpretimet për populizëm më duken të papërputhshme dhe thjesht koniukturale, më shumë si përpjekje për të mos acaruar situatën, por që mbartin brenda tyre një orientim pajtues e bashkëpunues të kërkuar me ngulm nga dashamirësit Europianë. Kjo varet se ku është fokusimi. Te rruga e ndjekur për miratim si dëshmi e pjekurisë së klasë politike dhe ekzistencës së konsensusit, apo te thelbi i ligjeve si sukses i përbashkët euro-shqiptar. Ajo që është dhe mbetet themelore për këto ligje lidhet me efektet e aplikimit të tyre, me përmbajtjen e tyre si dhe me rrugën konsultative me misionet ndërkombëtare që është ndjekur për formulimin e tyre. Sigurisht rruga e miratimit të tyre parlamentare apo referendare është një pikë që merr kohë për debat. Por në kushtet kur refuzimi parlamentar është konstant dhe aspak naiv nga një forcë politike e cila kërkon që këtë mosvotim ta përdorë si spot elektoral në formën e dështimit dhe në kushtet kur ky refuzim i gjatë sjell pasoja që prishin normalitetin institucional të një shteti, ne si politikë nuk duhet të rrimë me sytë nga dielli deri sa dikush që e mban peng të zgjohet një ditë me pishmanin në zemër dhe të kërkojë papritur miratimin e tyre. Ne jemi dhe duhet të mbetemi proaktivë në shërbimin që ofrojmë. Prandaj kalimi drejt referendumit duket që është një iniciativë natyrale brenda kornizës kushtetuese e një force politike që në bindjen e filozofinë e saj kontribuon për shtetin e së drejtës dhe të mirën europiane të qytetarit.
Paketa e reformave të mazhorancës prekin një sërë sferash të jetës së përditshme të qytetarëve si heqja e TVSH për makineritë e importit, heqja për 3 vjet nga taksat për çdo të ri të punësuar, heqja e tatimi mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me të ardhura nën 30 mijë lekë në muaj, digjitalizimi i shërbimeve shtetërore, janë disa prej pikave ku mazhoranca kërkon të japë një sinjal për vitalizmin e saj. Si e shikoni impaktin kësaj pakete reformash?
Paketa e reformave të ofruara nga mazhoranca mbart një konkretësi dhe një logjikë ekonomike solide pasi kjo paketë nuk vjen nga virtulitete të tipit “rilindje e së kaluarës” siç bën e majta, por nga fakte të prekshme dhe baza arsyetuese të shëndosha qoftë për sigurinë e realizimit qoftë dhe për suksesin që sigurojnë në aplikimin real. Si i tillë impakti i tyre siguron gjallërimin e energjive dhe resurseve të cilat do të stimulojnë biznesin, punësimin, prodhimin, performancën e shërbimeve dhe natyrshëm ndikojnë në rritjen ekonomike, përballimin me sukses të krizës globale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarit.
Ardhja e Komisionerit Fyle shtroi vetëm një pyetje: A do të pranohen zgjedhjet nga palët të nesërmen e 23 qershorit? Pse e bëri këtë pyetje Eurokomisioneri për Zgjerim të BE në Tiranë?
Mazhoranca ka dëshmuar në çdo hap se ajo është plotësisht e angazhuar për të siguruar zgjedhje të drejta dhe të ndershme sikurse kemi bërë dhe në 2009 që automatikisht konfirmojnë dhe qëndrimin e saj për rezultatin. Pyetja e shtruar më së shumti duket e stimuluar nga refreni mospranues i rezultatit të sotëm dhe nga prognoza e sjelljes së opozitës së tanishme dhe njëkohësisht të ardhme për rezultatin e pritshëm.
Intervistoi: Lavdrim Lita
Luçiano Boçi për Elbasanin dhe Ditën e Verës
“Kulla e Sahatit dhe Kalaja, simbolet fizike të Elbasanit - Dita e Verës dhe Normalja, simbolet shpirtërore të tij”
“Ndërsa Kulla e Sahatit dhe Kalaja janë simbolet fizike të një qyteti me histori të pasur si Elbasani, Dita e Verës dhe Normalja janë simbolet shpirtërore të një treve me dimensione humane të papërsëritshme ku mikpritja, të jetuarit në harmoni me natyrën dhe dijen, urtësia, fisnikëria, mirënjohja, mençuria spikasin me ngjyra të forta. Si e tillë kjo ditë e ka kurmin më të plotë të festimit pikërisht në qytetin tonë, jo thjesht për traditën e ëmbëlsirave të saj të njohura dhe ritualeve të bukura, por mbi të gjitha si shprehëse e vokacionit shpirtëror të një treve të tërë, vokacion që mbeti i pandryshuar dhe në vitet e errëta të diktaturës. Veçantia dhe bukuria e saj ka kuptim më shumë se kudo në Elbasan i cili me gjenerozitetin e tij këtë kurorë tashmë nuk e ka të përvetësuar por të dhuruar e shpërndarë pothuaj në të gjithë hapësirën mbarë shqiptare, fakt ky që i jep kësaj feste një tjetër vlerë, transmetimi i së cilës në formën e triumfit të jetës, të natyrës së bukur, të së mirës, të vlerave, na bashkon, na krenon, na harmonizon si njerëz dhe si vend”.