Fjalë e frazeologji roma për toma si dhe qyfyret e nipit të daj Kolekës
Autobuzi mavi me tullumbacet e rilindjes
Nga romani fantastiko-shkencor i Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, bazuar në arkivin e gjyshit, kemi zgjedhur ajkën gjuhësore social - ekonomike të kryerilindasit të Bllokut, Edvin Rama me premtime e pretendime fluturake. Kjo gjuhë është përdorur gjatë turneut me haengje, cirke, çadra e hije më hije. Ndër to renditen fjalë të arta e emra të rrallë, bie fjala, “robër, “çeçen”, “shpellarë”, “malok”, “tradhtar”, “tradhti”, “armiq”, “policë banditë”, “spekulantë”, “agronomë palaço”, “mësues e nxënës analfabetë”, “infermiere të rrezikshme”, “kukuvesh”, shumë shumë pak, shebelë, ullinj, lakra etj. Këto fjalë e shprehje sigurisht janë rilindje e vërtetë, thesar i kulturës nxjerrë, edhe nga koshi i ”veprave” të diktatorit E.Hoxha. Për bashkatdhetarët tanë, emrat “çeçen”, “rob”, “shpellar” e “armik”, janë urrejtje e fyerje të rënda ndaj njeriut të ndershëm e punëtor nga persona pa moral e parazitë, kurse “tradhti” e “tradhtar”, kanë lidhje me qëndrimin ndaj atdheut. Çfarë morali e qëndrimi ka patur deri më sot, Edvin Rama me socialistët e tij që kundërshtuan gjithçka të mirë për Shqipërinë e Kosovën? Si ndihen edhe ata që drejtojnë sot Komunën e Skënderajt, të cilët i falën titullin Qytetar Nderi, Edvin Ramës, që fyen në mitingje NATO-n shpëtimtare? Vërtetë si ndihen me këtë nderim për një njeri të ngritur nga hiçi, si Edvin Rama? Për këtë njeri që tallet me atdhedashurinë shqiptare e s’ka dhënë asnjë kontribut për Kosovën, por ka vepruar kundër bashkimit të kombi me sulmet e egra ndaj Rrugës së Kombit apo me gaf-premtimin e lidhjes së “traktatit të miqësisë” midis dy shteteve vëllezër shqiptarë. Tani komunarët e Skënderajt le t’ia falin po atë nderim edhe Bregoviçit, autorit të marshit kundër Kosovës për paramilitarët që përgjakën Skënderajn dhe fyerjen e emrit të bukur shqiptar me nofkën serbe “shiftar”.
Gjatë turneut me autobuzin mavi e tullumbacet e kuqe, kryetari i PS shpalosi programin e rilindjes së Bllokut me ahengje, valle e qyfyre. Në Velipojë, burra e gra të moshuar në gjysëm rrethi rrinin më këmbë para kryetarit Edvin ulur me mikrofon në dorë, nën një tendë që tundej nga era e detit. Qysh në fillim u vu re, se shumica ishin anëtarë të PS me njerëzit e tyre, tok me disa të moshuar. Mesa kuptohej duhej të fliste vetëm kryetari. Edhe pyetjet do t’i bënte vetëm ai. Si zakonisht me ato fjalë kodra mbas bregut duke nxirë të vërtetën, kish marrë pamjen e udhëheqësit që sqaronte Braçet, Ballat e Sajmirët. Ndër të tjera këputi fjalë të trasha se në Shqipëri ka mbi një milion të papunë, një shifër kjo e barabartë me ata që janë në punë dhe e atyre që presin të punësohen. Më tej u hodh te spitalet e hutoi të pranishmit me thesin e gënjeshtrave. Pastaj shtoi se 95% e shqiptarëve nuk duhet të paguajnë taksa. Dikush pyeti: “me çfarë paresh do të krijohet buxheti i nevojshëm për zhvillimin e vendit?” “Leni ato përralla të Saliut” me rrugë, NATO, lëvizjen e lirë në Europë, status, BE dhe Amerikë”, ia preu fjalën kryetari dhe errësoi të ardhmen e vendit teksa tha, se “as për 40 vjet Shqipëria nuk do t’i qaset Gjermanisë. Shqipëria po mbytet në det të hapët”. Por “përrallat” po bëhen realitet, tashmë ato janë jeta e puna në qytet e fshat, vrulli në autostrada, rrjedha e drita në hidrocentrale, gjallëria në mijëra shkolla e arritjet kulturore. Nga këto fjalë roma për toma, të Edvin Ramës fermerëve punëdashës të besimit katolik u shkoi ndèr mend Përmbytja e madhe dhe varka e Noes. Vallë me çfarë varke do të shpëtojë nga përmbytja e humbjes Partia e Ruçëve, Kokëdhimave, Benëve dhe Majkove? Dikush regjistroi edhe këtë dialog të kryetarit “gju më gju me popullin”, me një grua të moshuar. “Edi: A je e martueme? Gruaja: Po. Edi: Sa fëmijë ke? Gruaja: Pesë. Edi: I ke ba të gjithë përnjëherë apo nji nga nji? Gruaja hesht e hutuar. Edi: Ty të takon mikrofoni, ti qenke për deputete!” Gruas me të cilin tallej kryetari i PS s’i mbetej tjetër veç t’ia kthente vendçe “na rrofsh për dimën s’bashku me Tomën, se për verë jetojmë vet”. Ndërkohë përtej detit të hapur një vajzë 19 vjeçare shkodrane me emrin Elhaida Dani me mikrofon në dorë po triumfonte në emër të Shqipërisë Demokratike. Shqiptarja e re shpallej fituese në edicionin “The Voice of Italy” në një finale emocionuese me këngën “I will always love you” ku në një atmosferë gati festive ka qenë e pranishme kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli dhe qyteti i saj i lindjes ka bërë tifozllëk për 19-vjecaren.
Është diçka e këndshme teksa dëgjon apo sheh kryetarin e PS me histori Shvejkësh që bisedon e bën gallatë me gra të moshuara, siç ndodhi në Tiranë para do kohe kur si humorist cirku në mes të rrugës u fut midis një grupi qytetarësh në Tiranë dhe i tha një gruaje të panjohur “ma tërhiq veshin”. Në Don Bosko e kryqëzime rrugësh ulur në mes të një rrethi, përpiqej t’u mbushte mendjen qytetarëve të ardhur nga krahina të ndryshme që ta votojnë, sepse na paska një mori prejardhjesh që nisin nga Tropoja, Shkodra, Mirdita, Tirana, Durrësi, Korça, Vlora dhe dalin në Vuno e Dhërmi. Si argument përdori mbiemrin e artistit të njohur Robert Ndrenikës nga Vunoi me të cilin nuk e lidh asgjë dhe fsheh emrin e daj Spiro Kolekës nga Dhërmiu. S’është çudi të jetë edhe nga Labëria e Gjolekës, apo e Mihalit nga Tërbaçi i Lumit të Vlorës, stërgjyshit të Kokëdhimës. Historianët e fesë kristiane teksa dëgjojnë këto marrëzira kujtojnë Fatos Nanon për zgjedhjen e rrallë për ministër kulture nga grupi i injorantëve të papunë, si Edvin Rama, i cili u premton shkollarëve, se do të heqë librat nga qarkullimi për t’i zëvendësuar me lojërat e Tomit e Xherrit.
Gjatë udhës për në Korçë, në Elbasan premtoi mbarimin e rrugës Tiranë Elbasan. Në Pustec nuk premtoi asgjë. Pyetjeve iu përgjigj me pyetje. Në Devoll e kaloi me kaba e valle. Në Vreshtas të Maliqit në mes të fushës pjellore të fshatit, kryetari Rama i gjatë me mikrofon në dorë dhe Baçi Fino me duar mbi barkun e bëshëm, rrinin ulur në krye të rrethit apo cirkut me simpatizantë të PS, shumica pleq, me qëndrim më këmbë. Prapa rrethit dukeshin ara të mbjella, në disa prej tyre, lëviznin traktorët privatë të fermerëve që s’kishin nge të dëgjonin seç thosh një njeri i ardhur me autobus mavi tok me disa qytetarë të veshur si për dasmë. Nëpër rrugët e fshatit djem të rinj argëtoheshin me biçkleta njeri pas tjetrit. Kryetari e nisi me akuzën e ububushme “fajin e ka Saliu!”. Ata që kishin lënë punën e dëgjonin teksa u qante hallin fermerëve privatë, pandehnin sikur koha ishte kthyer mbrapsht në vitet e kooperativave të Aliajt e Çarçanit. Aty u dëgjuan fyerje të rënda edhe ndaj vendasve, si këto: “Ju hani vetëm darkë me dy feta bukë thatë, s’keni qumësht e ujë, as ushqim për fëmijët tuaj, as për vetë”, “s’keni patate, mollë e ftonj”, “s’keni para”, “jeni pa punë”, “pronarët kanë marrë pronat”, “spekulatorët vijnë me rrugët e Saliut dhe blejnë prodhimet tuaja bujqësore dhe i shesin në qytet”, “agronomët janë palaço”, “nxënësit janë analfabetë”, “nafta për vetura e traktorët ka çmim të lartë, se “rrugë nuk ka”, “për të vaditur nuk keni ujë, shi nuk bie, por kur bie tokat lagen shumë”. Për çdo fyerje dhe akuzë aktivistët duartrokisnin, kurse ish-kryeministri shkurtabiq Baçi Fino, hipur mbi karrike përplaste doçkat. Fermerët, sidomos të rinjtë qeshnin ndërmjet tyre, si në cirk me karagjozë. Pastaj kryetari foli për një kënetë misterioze që nuk dukej askund në atë fushe pa fund e anë. Dikush i kujtoi rezevuarin e ujit. Në çast opozitari i madh fajin ia ngarkoi qeverisë se rezevuari shërbeka edhe për rritjen e peshkut për fermerët të cilët dëgjonin në heshtje përralla të harruara komunistësh. Befas mbi kokat e dëgjuesve u hap një kartë e madhe, ku dukej e vizituar për bukuri “këneta” në vitin 2010, pastaj një dytë në vitin 2013. Megjithatë ajo kënetë e uruar, nuk dukej as larg, as afër, të paktën për gjuetinë e rosave. Gjithsesi kryetari nuk i rra ballit me shpulla për të larguar ndonjë mushkonjë, por fshiu pikat e shiut, që po i binin mbi kokë e në tokën e bekuar. Kryetari nuk e mbylli me aq, por dha për Vreshtasin me tokë pjellore një shembull shkencor, të njohur edhe nga nxënësit e 9-vjeçareve. Ndër të tjera tha se atje larg në Arabi, me naftë si det nën shkretëtirë, nxirret edhe ujë për vaditjen e bimëve të mbjella në ranishten prush. Dëgjuesit e moshuar ngritën supet e shqyen sytë me dijenitë e gjera agrare të kryetarit, se bimët mund të mbillen në prush. Së fundi pa dashka kryetari i shau gjithë fshatarët e Korçës se nuk po rilindin “kooperativat bujqësore, si në kohët e arta të socializmit”. “Vetëm atëhere”, tha kryetari “Qeveria socialiste me ndërmarrjet shtetërore të grumbullimit do ta këtë fare të lehtë të grumbullojë (përlajë) prodhimet bujqësore me çmime kineze dhe t’i eksportojë për Rilindjen e Socializmit. Hajde program! Hajde program me Koço e Cac, me Çuç e Baç!