E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota si mall konsumi

Saimir Lamaj/qytetar

-Është e njohur se zgjedhjet e ardhshme do të jenë mbi të gjitha një test për cilësinë e demokracisë në Shqipëri. Në një periudhë ndryshimesh, sa politike aq dhe ekonomike, vlen të diskutohet si do të votojnë qytetarët shqiptarë. Një model teorik për të analizuar sjelljen zgjedhore na i ka dhënë Siegfried. Bëhet fjalë për modelin e “anthropogfrafis”, i cili shqyrton sjelljen zgjedhore me bazë përcaktimin lokal të votuesve dhe duke analizuar strukturën shoqërore të zonës së caktuar. Sipas kësaj qasjeje shpjegohet ndarja veri –jug, e cila u pasqyrua në zgjedhjet e viteve 2005 dhe 2009. Nga ana tjetër, Bois, formulon mendimin e skizmës (përçarjes) historike. Ai pretendon se në çdo shoqëri, vihet re një ngjarje historike, e cila mund të aktivizojë konfliktet e fshehta ndërmjet strukturave shoqërore dhe më tej, të shkaktojë sjellje politike të kundërta. Pyetja që lind është sa herë duhet të përmbytet Shkodra që të quhet ngjarje historike?! Ky model sjell në diskutim konceptin e “identifikimit partiak” i cili nuk është gjë tjetër veçse një devotshmëri e qëndrueshme tek një parti politike. Një devotshmëri, e cila përfshin pranimin e ideologjisë dhe vlerat e programit politik. Do të ishte gabim nëse do të linim në heshtje qasjen e teorisë së zgjedhjes racionale, e cila sugjeron konceptin e një votuesi autonom, racional, dhe aktiv. Pak ndryshime ka zgjedhja racionale nga “modeli konsumator”, i cili shpjegon sjelljen zgjedhore si një vendim blerjeje të një produkti. Pikërisht si një konsumator, ashtu edhe votuesi, vendoset përballë mallit që i paraqitet, pavarësisht se në këtë rast bëhet fjalë për një program politik dhe për konditat për personelin e administratës publike. Duke marrë parasysh të dhënat e mësipërme mund të biem dakord se pjesa dërrmuese e votuesve shqiptarë i përkasin kategorisë “konsumatori”, pasi ajo që presin nga politika dhe politikanët shqiptarë, është përmirësimi i menjëhershëm i nivelit jetësor. Por ashtu siç përmendëm edhe më lart, nëse nga politika kërkojmë produkte, jemi të dënuar të dështojmë, pasi harrojmë se produktet skadojnë, ose prishen nga koha. Është detyra dhe e drejta jonë, të ndryshojmë politikanët dhe konceptin politik. Dhe të mos konsumojmë programe dhe premtime politike, por ta prodhojmë atë si shoqëri. Demokracia e përdhunuar shqiptare, përdhunuesit e së cilës gjithnjë i referoheshin të mirës publike, na lajmëron të aktivizojmë kujtesën kolektive dhe të ripërcaktojmë demokracinë, politikën dhe shoqërinë tonë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›