E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhon F. Kenedi dhe vizioni i tij i ri për Amerikën

Xhon F. Kenedi (John F. Kennedy)
lindi në një familje që do të dom
inonte shekullin XX në jetën e
Amerikës. Ai ishte i biri i Xhozef
Kenedit, një nga 16 njerëzit më të pasur
të Amerikës së asaj kohe, përkrahës i fuqishëm
i Presidentit Frenklin Ruzvelt
gjatë programit ekonomik të viteve ‘30.
Xhon F. Kenedi lindi në një familje strikte,
ku prej secilit pritej të ishte i suksesshëm;
ku që në fëmijëri mësoi të mos tërhiqej
para vështirësive; ku të humburit që nuk
kishin bërë maksimumin për të fituar
nuk gëzonin simpati.
Familja Kenedi kishte nëntë fëmijë.
Më i madhi i fëmijëve ishte Xho Kenedi,
tek i cili i ati mbështeti shpresat fillimisht.
Xhozef Kenedi nxiste garën midis fëmijëve
dhe Xho ishte fitimtari. Të gjithë
fëmijët shikonin nga Xho si nga një lider.
Xhon Kenedi ishte fëmija i dytë dhe u rrit
duke adhuruar vëllanë e tij më të madh.
Ai përpiqej ta imitonte atë, të ecte në
gjurmët e tij. Kudo ku shkonte Xho, aty
ishte edhe Xhoni. Atij i pëlqente të
vraponte, të notonte, të luante bejsboll,
futboll, të voziste e çdo gjë tjetër që bënte
i vëllai i tij më i madh. Herë pas here
prindërit inkurajonin diskutime për ngjarjet
e kohës. Fëmijët e familjes Kenedi
u rritën me pasionin për sportin dhe politikën.
Në 1937, Presidenti Ruzvelt e emëroi
Xhozef Kenedin ambasador të Shteteve
të Bashkuara në Londër. Xhozef Kenedi
ishte mik me Kryeministrin anglez, Çemberlein,
dhe me shumë të tjerë në kabinetin
anglez. Ai u hapi djemve të tij derën
e karrierës politike. Dy më të mëdhenjtë,
Xho dhe Xhonin, i dërgoi nëpër Evropë
për t‘u njohur e për t‘i raportuar atij në
lidhje me situatën në prag të luftës. Xhon
Kenedi shkoi me shërbim në Francë,
Rusi, Gjermani, shtetet e Ballkanit, Palestinë
dhe Itali. Ai pati rast të shihte nga
afër artin e qeverisjes. Mësoi shumë nga
ato që pa e që më pas influencuan në
formimin e tij të ardhshëm. Xhon Kenedi
i ri iu dha përfundimisht politikës. Në 1
shtator 1939 plasi Lufta e Dytë Botërore.
Një ditë më pas ambasador Kenedi dërgoi
djalin e tij 22-vjeçar në Glasgow, Skoci,
të interesohej për amerikanët që kishin
shpëtuar nga mbytja e anijes "Athenia".
Gjermanët kishin bombarduar pa
asnjë lajmërim anijen angleze në të cilën
ndodheshin mbi 1400 pasagjerë.
Kur Xhon Kenedi u kthye në Harvard,
shokët e tij studentë e shihnin me admirim.
Ai kishte marrë pjesë në prologun
e luftës botërore dhe qe ndodhur në qendrën
e eksplozionit botëror. Fokusi i Xhon
Kenedit tani ishin shkencat politike. Ai
vendosi të mbronte temën e disertacionit
mbi gabimet në politikën e jashtme të
Anglisë dhe të Shteteve të Evropës në
prag të luftës botërore. Tema u konsiderua
nga më të mirat e dorëzuara në
Universitetin e Harvardit. I ati, krenar për
punën e të birit, gjatë kësaj kohe mbante
kontakte të vazhdueshme me të. Ai i dha
atij idenë që ta botonte disertacionin në
formën e një libri. Xhoni, pas një pune
kërkimore shkencore, doli me një botim
në " New York Times": "Pse fjeti Anglia"?
Xhon Kenedi në studimin e tij shtronte
pyetjen nëse do të ishte e mundur për
demokracitë të fitonin luftën pa u
shndërruar në shtete totalitare. Libri i tij
i vogël u bë shumë shpejt libri më i shitur
në shkallë kombëtare.
Lufta në Evropë vazhdonte. Ushtria
gjermane po përparonte në mënyrë të
pandalshme. Franca ra. Anglia mezi
mundi të shpëtojë mbeturinat e ushtrisë
së saj në Dunkirk dhe ndodhej nën bombardimin
ajror gjerman. Lufta vazhdonte
e hidhur dhe dukej se Amerika do të
tërhiqej në konflikt nga momenti në moment.
Ndërkohë, i vëllai, Xho Kenedi, la
Universitetin e Harvardit dhe u regjistrua
në aviacionin detar.
Xhon Kenedi, që kishte qenë shëndetlig
gjithë kohën, nuk mundi ta kalonte
dot ekzaminimin fizik dhe nuk u pranua
në ushtri. Ai nuk u tërhoq, por provoi
përsëri, duke shpresuar ta merrnin në
marinën detare. Përsëri u refuzua për shkaqe
shëndetësore. Refuzimi i dytë e
bëri Xhon Kenedin edhe më të vendosur.
Ai filloi ushtrimet fizike për t‘u fuqizuar
dhe kjo e ndihmoi të fitonte. Xhon Kenedi
kërkoi menjëherë t‘i jepej detyrë luftarake.
Në fillim të vitit 1943 ai u dërgua
në ishujt Solomon, nën komandën e PT
109.
PT 109 ndërmori me sukses rreth 30
sulme kundër anijeve japoneze deri në
mëngjesin e 2 gushtit të vitit 1943, kur
gjatë patrullimit u godit nga një destrojer
japonez dhe shpërtheu në flakë. Dy vetë
nga personeli i anijes u zhdukën pa lënë
gjurmë, të tjerë u plagosën e po luftonin
për jetën. PT 109 e shkatërruar u mbyt.
Xhon Kenedi mundi t‘i shpëtojë shokët,
duke i nxjerrë me not në një ishull të
braktisur, në një largësi prej tre mile e
gjysmë. Për heroizmin e tij, Xhon Kenedi
u nderua me medalje. Dikush e pyeti se
si u bë hero. Ai u përgjigj: "Shumë thjesht,
anija jonë u godit nga japonezët".
Heroizmi i tij për shpëtimin e shokëve të
luftës u bë frymëzim për filmin artistik
me titull "PT 109".
Për cilindo, detyrimi ushtarak mbyllej
aty, por me Xhon Kenedin ndodhi e
kundërta. Lufta nuk kishte mbaruar dhe
ai kërkoi të kthehej sërish në detyrën luftarake,
edhe pse në kushte shëndetësore
të pafavorshme. Në pranverën e vitit
1944 u detyrua t‘i nënshtrohej një operacioni
në shtyllën kurrizore. Atë fundjave
që po linte spitalin, në gusht ‘44, i erdhi
lajmi që vëllai i tij i madh, Xho, ishte vrarë
duke fluturuar mbi Belgjikë në një mision
luftarak. Avioni i ngarkuar me eksploziv
kishte shpërthyer para se të arrinte
objektivin dhe trupat e Xho Kenedit
dhe ndihmësit të tij nuk u gjetën kurrë.
Xhon Kenedi u mpi. Xho kishte luftuar
e fituar betejë pas beteje. Xho ishte
ideali i tij. Ishte ai në gjurmët e të cilit
Xhon Kenedi kishte ecur që në fëmijëri.
Xho ishte lider, ishte ai tek i cili familja
kishte mbështetur shumë shpresa.
Pas vdekjes se Xho-së, ai vend u hap
për Xhon Kenedin. Xhon Kenedi ishte
vetëm 29 vjeç kur zuri vendin e tij në kongresin
amerikan. Ende me portretin e
studentit të Harvardit, Xhon Kenedi ishte
tashmë veteran i Luftës së Dytë
Botërore, i nderuar për heroizëm. Si gjithë
përfaqësuesit më të rinj në qeverinë
amerikane, ai provoi anën eksituese të
detyrës së tij dhe nga ana tjetër edhe
përgjegjësinë e madhe të votës. Xhon
Kenedi ruajti mendimin e tij të pavarur
edhe atëherë kur ai binte ndesh me atë
të përfaqësuesve më të vjetër. Në një
fjalim të tij ai do të shprehej: "Kushtetuta
na ka bërë partnerë për progresin e jo
rivalë për pushtet".
Xhon Kenedi besonte thellësisht në
rëndësinë e aktivizimit në jetën politike.
I pëlqente shumë edhe thënia e Edmund
Burkes: "E vetmja gjë që i hap udhë triumfit
të së keqes është pasiviteti i
njerëzve të mirë".
Vetëbesimi se ai mund të bënte më
shumë, se mund të merrte përgjegjësi
edhe më të mëdha, qe rritur. Ai kishte
përvojën, gjallërinë, vendosmërinë dhe
një shpirt të ri. Në 1952, Xhon Kenedi vuri
kandidaturën për senator.
Si senator ai u bë një nga figurat më
prominente të Partisë Demokratike. I
pjekur si politikan, Kenedi ishte gati për
testime të reja më të vështira dhe ai moment
erdhi.
Në 20 janar 1961, në një ditë të ftohtë
me një erë të akullt, veshur vetëm me kostum,
Xhon Kenedi, Presidenti më i ri në
historinë e SHBA-së, mbante fjalën e inaugurimit.
Ishte një fjalim i bukur,
elokuent, por mbi të gjitha ishte një fjalim
që mbeti i paharruar për vizionin e ri që
shpaloste. Ishte një betim për paqen në
botë dhe premtim pasionant për progresin
amerikan. Ai shpalli përpara
Amerikës dhe gjithë botës se tashmë
pishtari kishte kaluar në duart e një gjenerate
të re, lindur në këtë shekull, kalitur
në luftë, krenare për trashëgiminë e hershme
dhe e vendosur për të mbrojtur të
drejtat njerëzore në vend dhe kudo në
botë.
Duke u fokusuar në marrëdhëniet
ndërkombëtare, ai i bëri thirrje popullit
amerikan për të mbajtur barrën e luftës
kundër armiqve të përbashkët të njerëzimit:
tiranisë, varfërisë, sëmundjeve dhe
vetë luftës".
Në fjalimin e tij të inaugurimit, ai hodhi
këshillën e tij historike:
"Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi
yt për ty, por pyet ç‘mund të bësh ti për
vendin tënd", duke frymëzuar veçanërisht
brezin e ri amerikan. Presidenti më i
ri në moshë i zgjedhur deri atëherë, Xhon
Kenedi, i solli Amerikës idealizmin dhe
entuziazmin. Ai thoshte se gjithnjë e kishte
frymëzuar shembulli i Xhon Uinthrop,
themeluesit të Masaçusets, që kërkonte
të ngrinte "qytetin mbi kodër", ku sytë e
të gjithëve do të ishin drejtuar tek ai...".
E shoqja, Zhaklinë Kenedi, gjithashtu
e re, e bukur, inteligjente, folëse e disa
gjuhëve të huaja, fitoi shumë admirues
kudo në botë. Ajo e njihte mirë Uashingtonin
që përpara se të martohej me Kenedin
dhe qe mësuar me shoqërinë e lartë.
Presidenti Kenedi e admironte të shoqen,
veçanërisht për kontributin që ajo
dha në restaurimin e Shtëpisë së Bardhë.
Restaurim për të nuk do të thoshte zëvendësim
i objekteve të vjetra me të reja.
Sipas Zhaklinës, ky do të ishte një sakrilegj:
"Çdo objekt ka një arsye që ndodhet
aty, thoshte ajo. Në shkurt të vitit 1962,
Presidenti Kenedi, ashtu sikurse i gjithë
vendi, ndoqi me kënaqësi vizitën e kamerës
televizive në Shtëpinë e Bardhë,
të udhëhequr nga e shoqja, Zhaklina.
Pas asaj ekspozeje televizive, numri i vizitorëve
në Shtëpinë e Bardhë u shtua
shumë. Dikur, duke folur për projektin e
Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh Uashingtoni
pati thënë se do të dëshironte që "Shtëpia
e Bardhë të ishte një vend me të
dhënat e pallatit, komfortin e një shtëpie
dhe simbol i harmonisë së vendit".
Presidenti Kenedi dhe e shoqja realizuan
më së miri këtë ide. Gjatë viteve të
presidencës së tyre, Shtëpia e Bardhë u
bë më e afërt dhe më e hapur për popullin
amerikan.
Ai dhe e shoqja, Zhaklina, kishin
lidhje të ngushta me figurat e shquara të
artit e të kulturës amerikane të kohës dhe
s‘linin rast pa shprehur admirimin e tyre
për ta. Presidenti besonte se roli i artit
dhe kulturës kishte shumë rëndësi në
zhvillimin e një shoqërie vitale. Shtëpia
e Bardhë qe e hapur për artistët e mendjet
e ndritura krijuese të çdo fushe.
Presidenti emëroi si ndihmësa të tij,
intelektualë të shquar e të rinj në moshë.
Në krye të Departamentit të Drejtësisë
ai vuri vëllain e tij, 34-vjeçarin Robert
Kenedi, përfaqësues i guximshëm i gjeneratës
së re, i cili e provoi veten si një
mbrojtës i vendosur i të drejtave civile.
Amerika e së ardhmes ishte ideali i
Presidentit Kenedi. Ai kishte qenë në
luftë për vendin e tij, tani po e udhëhiqte
atë nga pozita e udhëheqësit botëror.
Mirëqenia e Amerikës brenda kufijve
të saj, si edhe mirëqenia e komunitetit
ndërkombëtar ishte nën përgjegjësinë e
tij.
Lindon Xhonsoni ka thënë: "Në më
pak se 3 vjet si President, Xhon Kenedi i
prezantoi botës portretin e një Amerike
të re, të një kombi me një vizion të gjerë,
të gatshëm për të ndihmuar në zgjidhjen
e problemeve në botë dhe ruajtjen e
paqes".
Problemet e brendshme të vendit ishin
në pikat e para të programit të tij. Lëvizja
për të drejtat civile në vitet ‘60 shënoi
një nivel të ri në SHBA, duke u shndërruar
në një lëvizje masive. Lufta civile (1861-
‘65) i kishte çliruar afrikano-amerikanët
nga skllavëria, por ende edhe pas një
shekulli ata konsideroheshin qytetarë të
dorës të dytë, jetonin e punonin të veçuar
nga të bardhët, nuk kishin të drejtën e
votës, nuk gëzonin të drejtën e arsimimit
etj.
Nën drejtimin e vëllait të Presidentit,
Robert Kenedit, Departamenti i Drejtësisë
i mori në konsideratë ankesat e afrikano-
amerikanëve për trajtim të drejtë e
të barabartë. Në përgjigje të kërkesave
më imediate, Presidenti mori masa kurajoze,
në mbrojtje të të drejtave të popullsisë
me ngjyrë, duke kërkuar një legjislacion
të ri. Në fjalimin e tij lidhur me këtë
vendim, midis të tjerash ai tha: "Kishin
kaluar 100 vjet që kur Abraham Linkolni
u dha lirinë skllevërve e ende
trashëgimtarët e tyre nuk janë plotësisht
të lirë. Ka ardhur koha për këtë komb të
plotësojë premtimin e dhënë".
Ai ia përcolli kongresit ligjin për t‘i
dhënë fund kështu diskriminimit racial.
Shumë familje afrikano-amerikane e
mbanin varur portretin e Presidentit
Kenedi në mur, krahas portretit të dr.
Martin Luter Kingut. Te Presidenti i ri,
Xhon Kenedi, ata shikonin njeriun që
mbronte të drejtat e tyre. Ai nuk lëshonte
pe në ato parime që kishte besuar që
kur ishte student, edhe pse e dinte që
bindjet e tij mund t‘i kushtonin presidencën.
Ai luftonte për të fituar.
"Demokracia është një mënyrë të qeverisuri
jo e lehtë. Kërkon cilësi të larta, vetëdisiplinë,
vullnet për të sakrifikuar për
interesin e përgjithshëm dhe gjithashtu
kërkon njohje, dituri", tha ai në një fjalim
të mbajtur në Irlandë.
Presidenti ishte i interesuar për
imazhin e Amerikës brenda dhe jashtë
vendit. Është ideja dhe merita e tij për krijimin
e "Peace Corps", në përbërje të së
cilës qytetarët amerikanë, mësues,
mjekë, inxhinierë e njerëz nga profesione
të tjera, vullnetarisht shkonin kudo
nëpër botë, për të dhënë kontributin e
tyre në ndihmë të vendeve në zhvillim.
Ishte një obligim i tij moral që ai e mbante
në ndërgjegjen e vet. Ishte një ide që
ai madje e pat hedhur në shtetin e tij,
Massachussets, ende pa u bërë President.
Me Aleancën për Progres dhe vullnetarët
e paqes ai solli idealizmin amerikan
në ndihmë të vendeve në zhvillim.
Në politikën e jashtme Kenedi mendonte
se Shtetet e Bashkuara të Amerikës
duhet të vepronin në bashkëpunim me
një Evropë të fortë perëndimore. "Ne nuk
mund të vendosim drejtësinë në të gjithë
botën, duke vepruar vetëm", theksonte
ai në 4 korrik të 1962-shit, por të bashkuar
me vende të tjera të lira ne mund të ndihmojmë
kombet në zhvillim për të
hedhur tutje zgjedhën e varfërisë".
Planet e Xhon Kenedit për një Evropë
të fortë e të bashkuar në bashkëpunim
të vazhdueshëm me SHBA-në u penguan
shpesh nga Presidenti francez, Sharl de
Gol.
Padyshim, vështirësia më e madhe që
kaloi presidenca e Kenedit, ishte kriza me
Kubën, në tetor 1962. Me zgjuarsi dhe
durim ai kapërceu një konflikt nuklear të
mundshëm me Bashkim Sovjetik që
kishte vendosur raketat në ishullin e
Kubës, vetëm 90 mile larg Amerikës. Ishte
një gjendje e tensionuar, nga e cila
SHBA nën udhëheqjen e Xhon Kenedit
doli triumfuese.
Kenedi besonte në mundësitë e
mëdha që kishte Amerika për të marrë
përsipër detyra të rëndësishme. Në vizionin
e tij, populli amerikan ishte një
komb me një mision të madh.
Në 25 maj 1961, Kenedi i kërkonte
Kongresit amerikan ta mbështeste në
qëllimet e tij: "Unë besoj që ky vend duhet
t‘i vërë vetes si qëllim zbritjen e njeriut
në Hënë pa u mbyllur kjo dekadë."
Ëndrra e tij u bë realitet më 20 korrik 1969,
pikërisht brenda asaj dekade me "Apollo
11".
Në 22 nëntor 1963, kur kishte mbushur
1000 ditët si President, Xhon Kenedi u
vra në Dallas, Teksas, teksa po përshëndeste
nga makina e hapur popullin
që kishte mbushur dy anët e rrugës për
ta parë.
Disa muaj para atentatit, në inaugurimin
e USIA, në Karolinën e Veriut,
sikur të kish parashikuar fundin e afërt,
ai kishte thënë: "Njeriu vdes, kombet
ngrihen e bien, por idetë jetojnë. Idetë
janë të pavdekshme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›