Fjalimet e 45-s lexohen nga djemtë e pacipë të 2010-s
Gjuha bolshevike dhe me ultimatume, si më 1945 është shqiptuar dje në shesh nga të pacipët e rinj që ka thirrur Edi Rama në PS. Megjithatë, ikona e imoralitetit është betimi i ministrit të Sigurimit, Gramoz Ruçi, se s’do të ndalej, pasi ai ishte i betuar “për liri dhe demokraci
Mijëra të rinj dhe studentë protestë para bashkisë së Tiranës, që Edi Rama të mos i lërë shqiptarët pa viza
Mijëra të rinj e studentë protestuan dje para bashkisë së Tiranës, lidhur me strategjitë antikombëtare të ndjekura nga Partia Socialiste, me në krye Edi Ramën dhe bllokmenët e rinj, brezin e dytë të nomenklaturës komuniste. Me thirrje kundër kryebashkiakut dhe njëherazi kryesocialistit, të rinjtë e quajtën atë si njeriun që po mban peng Shqipërinë. Aktiviteti i organizuar nga Këshilli Kombëtar Studentor, i kryesuar nga Qamil Dika, përcolli 7 mesazhe për 7 ditët e pengmarrjes për çdo të ri dhe të re që dëshiron të jetojë e lirë. “Zoti Rama, duke përfaqësuar çdo të ri dhe të re jemi mbledhur sot me mijëra studentë në këtë tubim për të transmetuar edhe njëherë në mënyrë publike, atë që çdo i ri dhe e re e këtij vendi do të donte të të thoshte, në qoftë se ti do kishe guximin për ta parë në sy qoftë edhe për një çast të vetëm për çka po i mohon secilit prej nesh “Lëvizjen e Lirë”. Nëpërmjet përdorimit çnjerëzor të militantëve tuaj, që prej 8 muajsh, ju po bëni të gjitha përpjekjet për të penguar integrimin Europian të Shqipërisë. Sot ne jemi më afër se kurrë ëndrrës tonë për të qenë pjesë e pandashme e Europës dhe vlerave që ajo përfaqëson dhe ju duhet ta dini se jeni pengesa e vetme e kësaj ëndrre. Sot ne jemi më afër se kurrë ëndrrës tonë për të qenë sa më shpejt të barabartë me moshatarët tanë Europianë dhe ju duhet ta dini se pavarësisht përpjekjeve tuaja, nuk keni asnjë mundësi ta pengoni atë. Sot ne jemi më pranë se kurrë ëndrrës tonë për të lëvizur të lirë dhe për të studiuar të lirë në të gjithë Europën dhe ju duhet ta dini se nuk keni asnjë mundësi ta prishni këtë aspiratë për interesat e vogla të karriges suaj të pushtetit. Ne kemi ardhur sot këtu me pasaportat tona. Në pak muaj me këtë pasaportë do të kemi mundësi të lëvizim pa pengesa në të gjithë hapësirën Europiane. Kjo është ëndrra jonë dhe pavarësisht përpjekjeve tuaja, ne do ta arrijmë atë sepse Shqipëria dhe të rinjtë që sot janë më të motivuar se kurrë pranë kësaj aspirate që ti se ndal dot! Zoti Rama tashmë të duhet të dëgjosh arsyet e çdo shqiptari pse lëvizja e lire dhe arteriet kryesore të rrugës drejt Europës nuk mund të mbahen peng i çadrave të paligjshme”, deklaroi kreu i Këshillit Studentor, Qamil Dika.
Në një simbolikë tallëse ndaj Edi Ramës të rinjtë ngritën një çadër dhe vendosën një lepurush pranë mjeteve të nevojave personale që mund t’i duhet Edi Ramës, i cili sipas të rinjve, mund të hyjë në grevën e urisë.
Duke ironizuar, sipas tyre burracakun Rama, të rinjtë dhe të rejat i kërkuan Edi Ramës të mos bllokojë heqjen e vizave, të cilën çdo shqiptar e pret me padurim. Ndërkaq, protesta shumë e madhe e të rinjve në orët e para të mëngjesit, vërejti edhe një incident tjetër, teksa Edi Ramën nuk doli nga zyra e tij për minuta të tëra deri në përfundimin e tubimit të të rinjve studentë.
Por menjëherë pas të rinjve, socialistët janë rreshtuar në Bulevard me një listë të gjatë fjalimesh, të cilat kanë respektuar matricën e fjalimeve bolshevike të 1945, por që janë shqiptuar nga djemtë e pacipë të politikës së majtë të 20101-s. Megjithatë, përmes fjalimeve plot ultimatume e shantazh ka bërë përshtypje thirrja e ministrit të fundit të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, Gramoz Ruçit, i cili ka britur mes një turme eksituese: “Nuk largohem prej sheshit, sepse unë jam i betuar për liri e demokraci!”. Thirrja ka qenë fort komike dhe ka shkaktuar ilaritet edhe mes socialistëve që ia dinë mirë stofin ministrit të 2 prillit dhe të vrasjeve në kufi.