E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shndërrimi nga “sallam-greva” tek “diarreja” dhe sëmundja e Elisa Spiropalit

Kronika e grevës së urisë, vëzhguar sipas standardeve alla “Big Brother” (7)

- Ramiz Alia po shqyrton mundësinë t’i bashkohet grevës së urisë, si mundësia për t’iu bashkuar “shokëve të idealit”
- Nexhmije Hoxha ka nisur qepjen e trikove e çorapeve për shoqet e luftës socialiste

Prej disa ditësh, nëpër libraritë e Tiranës ka dalë në shitje një libër me kujtime i Ramiz Alisë. Që kur u mësua se ai (Ramiz Alia), kishte shkruar fjalët më të mira për Edi Ramën, por edhe për grevën e urisë, pjesëmarrësit në grevë, nën kërcënimin që libri tu shkonte edhe atyre, se për ndryshe do braktisnin grevën, detyroi Gramoz Ruçin, që të detyronte Fidel Yllin, për të “sponsorizuar”, blerjen e 200 kopjeve të librit me kujtime të Ramiz Alisë.
Me mbërritjen e librave të Ramiz Alisë në ambientet e grevës, optimizmi mbizotëron kudo.
E keni vënë re, nëpër prononcime të ndryshme të grevistëve, deputetë apo militantë qofshin, se si përsërisin vend e pa vend “se jemi të vendosur të vazhdojmë deri në fund”.
Sigurisht që gjithkush e ka vënë re këtë eksitim të grevistëve të urisë, por se vetëm dje mundi të merrte një shpjegim, shpjegim që lidhje me efektet që kishte lënë tek ata leximi i librit me kujtimet e Ramiz Alisë.
Ndër deputetët grevistë, më “në formë” ka qenë këto ditë Fatmir Xhafaj.
Duke u endur nëpër kujtimet e viteve të rinisë së tij, mësohet se për një moment Fatmir Xhafaj ishte përmalluar kur i ishte kujtuar rrokja prej qafe që i kishte bërë Enver Hoxha, dikur, diku në një tribunë aty pranë ku ai tashmë po “vetësakrifikohet” për “hapje kutish”. Pas këtij momenti “dobësie”, mësohet se Fatmir Xhafaj, menjëherë i kishte dërguar fjalë familjes ti sillnin fotografinë e vetme, që kishte bërë me Enver Hoxhën. Prej dy-tre ditësh, ajo fotografi gjendet e fiksuar mbi jastëkun që përdor Fatmir Xhafaj për të fjetur.
* * *
Grevistët e ngujuara në grevën e urisë së mbetur në tentativë, kujtojnë e tregojnë se vetëm një ditë pasi kishin mbërritur 200 kopjet e librit të Ramiz Alisë në çadrën e tyre, kishin ardhur edhe disa çorape leshi, që sikurse u mësua, i kishte punuar me duart e saj dhe i kishte dërguar Nexhmije Hoxha.
Grevistët kujtojnë e tregojnë se pasi ajo (Nexhmije Hoxha) kishte mësuar për “popullaritetin” që kishte pasur në radhët e grevistëve libri i Ramiz Alisë, për të qenë edhe ajo pranë tyre në këto momente, në pamundësi për të shkruar një libër tjetër me kujtime, kishte vendosur të bënte çorape leshi.
Fillimisht, e ishte filluar me çorapet e leshit, për femrat deputetet, për të vazhduar më pas (ende nuk ka përfunduar), me çorape leshi për të gjithë.
Pasi mbërritën çorapet e para, me dedikim nga Nexhmije Hoxha, mësohet se ndodhi një incident i vogël, i cili tregohet me të qeshur në radhët e grevistëve. Ky incident, lidhet me faktin se çorapet e leshit për Olta Xhaçkën, nuk i bënin asaj, ose më saktë, Nexhmije Hoxha, nuk kishte llogaritur shtimin e disa kileve nga ana e Oltës dhe për pasojë edhe trashjen e shputave të këmbëve të saj, deri në atë masë, sa nuk i hynin as çorapet e leshit.
* * *
Dje në orët e para të mëngjesit, u mësua se Edi Rama, ishte larguar me pushime jashtë vendit. Më saktë ishte një SMS e mbërritur në celularin e Fatmir Xhafajt, me një tekst të thjeshtë, “po iki të lyp mbështetje ndërkombëtare”...
Kaq.
Deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, ende nuk ishte mësuar asgjë e saktë për udhëtimin turistik të Edi Ramës...
Kjo është njëra anë e medaljes.
Ana tjetër, e cila nuk dihet, në se është rastësi, apo gjetje e mënyrës për ti bërë bisht grevës së pretenduara të urisë, kishte të bënte me shtimin dje të “të sëmurëve” në çadrën e grevës së urisë. Ndërsa dilema midis rastësisë nga njëra anë dhe “novacionit” për tu shtirur si i sëmurë nga ana tjetër, ende nuk ka marrë një përgjigje, ajo që dihet me siguri, që dje, pasi u mësua se Edi Rama ishte larguar me pushime jashtë vendit, ata që ishin vërtetë sëmurë u bënë trima, pse ai (Edi Rama) s’ishte dhe filluan të ankohen për sëmundjet e tyre, ndërsa ata që nuk u mban mend të rrinë ende ët izoluar, filluan me gjasme të bëjnë si të sëmurë.
Midis kësaj pleksje, një gjë që dje vihej re në masë të madhe në radhët e grevistëve të urisë, te ata që ankoheshin për sëmundje, por edhe te ata që nuk ankoheshin, se kudo kishte plasur dje diarreja.
Zërat nëpër çadër, dje flisnin me siguri të plotë, se diarreja nuk kishte lidhje me trimërimin dhe çlirimin nga “hija” e Edi Ramës, por se “indikatori” i kësaj gjendje ishte sallami, i cili i përdorur në mënyrë abuzive në ditët e grevës së urisë, i vuri dje “bujtësit” e çadrës së grevës së urisë, përballë një situate, ku atyre nuk ju mbahej... asgjë...
Në këtë situatë, ku mes sikletit dhe djersëve të ftohta, tek-tuk, ndonjë grevistë gjente momentin ta etiketonte gjendjen e re të krijuara, si “sallam-diarreja”, apo “diarre-greva”.
* * *
Radhëve të atyre që kishin zënë radhën dje të bënin të sëmurin, me gjasme apo realisht, u ishte shtuar edhe Elisa Spiropali, një “person publik” (çdo ngjashmëri e këtij togfjalëshi me “homologun” “shtëpi publike”, është e rastësishme).
Sikur një gazetare të mos kishte hyrë dje në çadër dhe të mos raportonte në çdo lidhje direkte, apo edhe në çdo ritransmetim lidhjesh, sot të gjithë ne do të ishim “injorant” dhe ende nuk do të kishim mësuar se sa e sëmurë është Elisa Spiropali.
Këtu ka nevojë për një saktësim.
Kur themi ishin të sëmurë, nënkuptohet se kishin respektivisht probleme me diabetin, apo me tensionin dhe se diarrenë e kishin të dy si “bonus” dhe “për modesti”, nuk kemi pse t’ua përmendim si “meritë”. Aq më tepër, kur mësohet se mjekët Sabit Brokaj dhe Klodiana Spahiu, po bëjnë të gjitha përpjekjet për të vënë nën kontroll gjendjen e paparashikuar as prej tyre, të “sallam-diarresë”.
E ndërsa Elisa Spiropali nuk e përmban dot të ankuarit, nga diabeti apo nga tensioni, grevistët e tjerë i inkurajonin që të dilnin nga greva dhe të riktheheshin, sipas “standardit” të vendosur nga deputetja Klodiana Spahiu, e cila u rikthye në ambientet e grevës, por jo në grevë, si mjeke.
Propozimet “origjinale” që gjallonin dje nëpër ambientet e grevës së urisë, i kërkonin Elisa Spiropalit t’i rikthehej ekonomisë, meqenëse për këtë gjë edhe thuhet se ka përfunduar studimet. Duke argumentuar propozimin për “ndryshim statusi”, grevistët sqaronin se lap-topi i Arben Malajt është trashur këto ditë dhe se ka nevojë për ndërhyrjen një inxhinieri elektronik dhe se një ekonomist, do të bënte të konsumonin ushqimet me më shumë nikoqirllëk.
Fundi-fundit, ç’të keqe ka, a nuk veproi kështu dhe Klodiana Spahiu...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›