Fjalimi antisemit, SHBA dhe OKB kritika Erdoganit

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është vendosur në shënjestër të kritikave të ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Izraeli, pasi cilësoi sionizmin si një “krim kundër njerëzimit”.
Në një forum ndërkombëtar gjatë javës, Erdogan vlerësoi se “sionizmi, anti-semitizmi dhe fashizmi, së bashku me islamofobinë, duhet të konsiderohen të gjitha si krime kundër njerëzimit”.
Në reagim të këtij komenti, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, paraqiti “protestën e tij më të fortë”, ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, që viziton Turqinë të premten, tha se do të paraqesë shqetësimin e tij gjatë vizitës zyrtare.
Aktualisht, John Kerry është në Ankara, në një takim që ka në qendër të fokusit krizën siriane.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, telefonoi zyrën e kryeministrit Erdogan dhe nëpërmjet një përkthyesi tha se “ishte e papërshtatshme dhe e pafat që komente të tilla të ndjeshme dhe përçarëse u bënë në një takim, tema e të cilit ishte lidershipi i përgjegjshëm”.
Sionizmi është një ideologji ose lëvizje që përkrah të drejtën e popullit hebre për të pasur një atdhe, një shtet për të cilin gjenden referenca edhe në Dhiatën e Vjetër, ku flitet për “Tokën e Izraelit”.
Megjithatë, palestinezët e konsiderojnë këtë ideologji si shtypëse dhe diskriminuese ndaj ambicieve të tyre për të pasur një shtet të tyrin, në toka të cilat banohen nga palestinezë prej shekujsh.