“Rama ka takuar dy javë më parë Arben Frrokun, do e bënte deputet”

Reagon Ministria e Brendshme pas akuzave të kupolës socialiste, Rama-Tahiri
Ministrisë së Brendshme nëpërmjet një deklarate për mediat akuzoi kryesocialistin Rama se e njeh personalisht të akuzuarin për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësi ministrisë së Brendshme Leonard Olli, kryetar i Partisë Socialiste Edi Rama dy javë më parë ka pirë kafe me Frrokun, ndërsa i ka premtuar se do ta bëjë deputet. “Së pari më lejoni t‘ju bëjë me dije se Ministri i Brendshëm ka urdhëruar hetimin e plotë dhe të detajuar të të gjitha lidhjeve të autorit të dyshuar për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj. E ndërsa të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit janë angazhuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike, z. Rama dhe ‘rilindësit’ e tij, të turrur si hiena për të ushqyer politikën e tyre nekrofile, bëjnë sikur qajnë, duke derdhur lotë krokodili për të ndjerin Kryekomisarin Lamaj, që në dhjetëra raste e kishin cilësuar si bandit. Z. Rama u shfaq sërish para publikut, në intimidim të plotë të Policisë së Shtetit. Por, a s’ishit ju z. Rama që dërguat kasnecin Tahiri për të organizuar protesta kundër shefit të komisariatit nr. 6, në Kombinat, në mbrojtje të të akuzuarit? A s’ishte Tahiri yt, që jepte konferenca shtypi pa fund, duke e akuzuar paturpësisht Kryekomisarin Lamaj, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si bandit dhe kriminel? Z. Rama, sqaro opinionin publik, përse vetëm dy javë më parë ju takuat të dyshuarin Frroku, dhe a i premtuat se do ta bëni deputet? Përse e fshihni faktin se të nesërmen e takimit tuaj, i dyshuari shkoi në Shkodër filloi hapjen e zyrave elektorale”, tha Olli.
Olli sqaron më tej se qëllimi i vërtetë i Ramës është të mbrojë Frrokun dhe të pengojë hetimet.