Fjalimi i Obamës para popullit amerikan

Presidenti Obama mban fjalim para popullit amerikan me fjalët:Të dashur bashkëqytetarë: qëndroj sot këtu duke iu përulur detyrës që kemi përpara, shumë mirënjohës për besimin që më keni dhënë, i ndërgjegjshëm për sakrificat e bëra nga paraardhësit tanë. Falenderoj presidentin Bush për shërbimet që i ka bërë vendit tonë si dhe për bujarinë dhe bashkëpunimin që ka treguar gjatë tranzicionit të pushtetit. Deri tani, 44 shtetas amerikanë kanë bërë betimin presidencial. Këto fjalë janë shqiptuar në momente të rritjes dhe prosperitetit dhe në momente të qeta paqeje. Megjithëse, ndonjëherë ky betim është bërë në momente të errëta, kur ndodheshim para stuhish të fuqishme. Gjatë këtyre momenteve, Amerika ka ecur përpara, jo thjesht për shkak të aftësive të personave që ndodheshin në postet drejtuese, por sepse ne u kemi qëndruar besnikë idealeve të stërgjyshërve tanë dhe Dokumenteve tona Themeluese. Kështu ka qënë. Kështu duhet të jetë edhe me këtë brez amerikanësh. Fakti që ne jemi në mes të një krize ekonomike dihet tashmë. Kombi ynë ndodhet në luftë, kundër rrjeteve të gjera të dhunës dhe urrejtjes. Ekonomia jonë është tejet e dobësuar si pasojë e lakmisë dhe papërgjegjshmërisë së disa personave, por gjithashtu si pasojë e dështimit tonë të përbashkët në zgjidhjen e alternativave të vështira dhe në përgatitjen e kombit për një epokë të re. Shumë persona kanë humbur shtëpitë, vendet e punës janë shkurtuar; shumë biznese janë mbyllur. Kostoja e shërbimit tonë shëndetësor është shumë e lartë, shërbimi ynë arsimor nuk po jep rezultate shumë të mira dhe çdo ditë shton provat se mënyra sesi po e përdorim energjinë po forcon kundërshtarët tanë dhe rrezikon planetin tonë. Këto janë shenja krize, të kushtëzuara nga të dhëna dhe statistika. Më pak e matshme, por jo më pak e thellë është humbja e besimit në vendin tonë, një frikë e zymtë se rënia e Amerikës është e paevitueshme dhe se brezi i ardhshëm duhet të minimizojë synimet e veta. Sot po ju them se sfidat me të cila po përballemi janë reale. Janë tejet serioze dhe janë të shumta. Ato nuk mund të kapërcehen për një kohë të shkurtër apo në një mënyrë të thjeshtë. Por duhet ta dish Amerikë: ato do të kapërcehen.
Në këtë ditë, jemi mbledhur këtu sepse kemi zgjedhur të besojmë dhe jo të kemi frikë, kemi zgjedhur bashkimin rreth një qëllimi të përbashkët në vend të konfliktit dhe mosmarrëveshjeve. Në këtë ditë jemi këtu për t'u dhënë fund ankesave të papërfillshme dhe premtimeve të rreme, akuzave reciproke dhe dogmave të vjetra, që për një kohë shumë të gjatë kanë mbërthyer politikën tonë. Ne mbetemi një komb i ri, por sipas Shkrimeve të Shenjta, është koha të mënjanojmë veprimet e pamatura. Ka ardhur koha të tregojmë qartë shpirtin tonë luftarak; të zgjedhim historinë tonë më të mirë; të vazhdojmë me këtë dhuratë të çmuar, këtë ide madhështore, të transmetura nga brezi në brez për vite me radhë: premtimin qiellor se të gjithë janë të barabartë, të gjithë janë të lirë dhe se të gjithë e meritojnë një mundësi për të ndjekur dhe për të arritur lumturinë e tyre të plotë. Në rikonfirmimin e madhështisë së kombit tonë, kuptojmë se madhështia nuk dhurohet, por duhet fituar. Rruga jonë nuk ka qënë kurrë nëpër shtigje të shkurtra apo për qëllime të vogla. Nuk ka qënë kurrë një rrugë për ata me zemër të dobët apo për ata që preferojnë kohën e lirë më tepër se sa punën, as për ata që kërkojnë vetëm kënaqësitë e pasurisë dhe famës. Do të thoja se ka qënë më tepër rruga e atyre që janë të gatshëm të ndërmarrin përsipër rreziqe, të përpiqen, të realizonjë vepra, disa prej tyre të njohur, por pjesa më e madhe e tyre gra dhe burra të fshehur pas punës së tyre, të cilët na kanë drejtuar përgjatë rrugës së gjatë e të vështirë drejt prosperitit dhe lirisë. Për ne, ata mblodhën gjithçka kishin dhe kaluan përmes oqeaneve në kërkim të një jete të re më të mirë. Për ne, ata janë raskapitur dhe themeluan Perëndimin; kanë duruar rrahjen e kamzhikut në trup dhe kanë lëruar tokën e ashpër. Për ne, ata kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën e tyre, në vende si Concord dhe Gettysburg; Normandi dhe Khe Sahn. Kohë pas kohe, këta gra dhe burra luftonin fuqishëm, përpiqeshin dhe sakrifikonin, madje punonin derisa lëkura e duarve u thahej dhe plasaritej, që ne të mund të kishim një jetë më të mirë. Ata e shihnin Amerikën si më të madhe se gjithë ambiciet tona individuale të marra së bashku; më të madhe se të gjitha diferencimet e ardhura nga lindja, pasuria apo nga përkatësia e veçantë Kjo është rruga që vazhdojmë edhe sot. Mbetemi kombi më i suksesshëm, më i përparuar dhe më i fuqishëm në botë. Klasa jonë punëtore nuk është më pak prodhuese se ç'ishte në fillimet e krizës. Shkencëtarët tanë nuk janë më pak të zotë, mallrat dhe shërbimet tona nuk janë më pak të nevojshme se ç'ishin javën e kaluar, muajin e kaluar apo vitin e kaluar. Kapaciteti ynë mbetet i palëvizshëm. Por, koha e qëndrimit si duhet, e përpjekjeve për të mbrojtur interesat e vogla dhe personale dhe e krijimit të debateve të bezdisshme, ajo kohë sigurisht që ka kaluar. Duke nisur nga sot, duhet të ngrihemi më këmbë, të shkundim pluhurin dhe të fillojmë sërisht punën për rindërtimin e Amerikës sepse kudo që të hedhim shikimin ka punë për të bërë. Situata ekonomike kërkon veprim të qartë dhe të menjëhershëm dhe ne do të veprojmë, jo vetëm për hapjen e vendeve të reja të punës, por për shtrimin e themeleve për rritjen ekonomike. Ne do të ndërtojmë rrugët dhe urat, rrjetet elektrike dhe linjat dixhitale që ushqejnë sektorin tonë të tregtisë dhe na lidhin ne së bashku. Ne do të rikthejmë shkencën në vendin e saj dhe do të përdorim fjalën e fundit të teknologjisë për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor dhe për uljen e kostos. Ne do të shfrytëzojmë energjinë diellore, energjinë e erës dhe të tokës për të furnizuar me energji mjetet dhe fabrikat tona. Dhe do të transformojmë shkollat, kolegjet dhe universitetet tona për t'iu përgjigjur kërkesave të një brezi dhe epoke të re. Ne mund ta arrijmë këtë dhe ne do ta arrijmë këtë. Aktualisht, ka disa që venë në pikëpyetje nivelin e ambicieve tona - të cilët sugjerojnë se sistemi ynë nuk mund të tolerojë shumë plane të mëdha. Kujtesa e tyre është e shkurtër. Ata kanë harruar se çfarë ka bërë ky vend; se çfarë mund të arrijnë burrat dhe gratë e lira kur imagjinata bashkohet me një qëllim të përbashkët dhe nevoja me kurajon. Ajo që cinikët nuk kuptojnë është se toka u ka rrëshkitur nën këmbë - se argumentet bajate politike që na kanë konsumuar për një kohë kaq të gjatë nuk aplikohen më. Pyetja që bëjmë sot nuk është nëse qeveria jonë është e madhe apo e vogël, por nëse ajo funksionon - nëse ndihmon familjet të gjejnë punë me një rrogë të mirë, kujdesi shëndetësor që mund t'i lejojnë vetes dhe një pension që është dinjitoz. Kur përgjigjia është ''po'', atëhere ne shkojmë përpara. Kur përgjigjia është ''jo'', atëhere programet marrin fund. Dhe ata që menaxhojnë paratë e publikut do të marrin në konsideratë - shpenzimet me maturi, reformimin e prirjeve negative dhe përmbushjen e punëve tona në dritën e diellit - pasi vetëm atëhere ne mund të rivendosim besimin vital mes popullit dhe qeverisë së tij. Nuk ekziston para nesh çështja nëse tregu është një forcë për mirë apo për keq. Fuqia e tij për të gjeneruar mirëqënie dhe për të zgjeruar liritë është shumë e madhe, por kjo krizë na kujtoi se pa një sy kritik, tregu mund të dalë jashtë kontrollit - dhe një komb nuk mund të ecë përpara nëse ai do të favorizojë vetëm të pasurit. Suksesi i ekonomisë sonë është varur gjithmonë jo vetëm nga masa e Prodhimit tonë të Brendshëm Bruto, por edhe nga prosperiteti, nga aftësia jonë për zgjerimin e mundësive për çdo njeri që ka dëshirë - jo jashtë bamirësisë, por sepse ajo mbetet rruga e vetme për të mirën tonë të përbashkët. Edhe për mbrojtjen tonë të përbashkët, ne refuzojmë si false zgjidhjen mes sigurisë sonë dhe idealeve tona. Etërit tanë Themelues, të përballur me rreziqe që ne mezi mund t'i imagjinojmë, projektuan një kapitull për të siguruar sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, një kapitull i zgjeruar me gjakun e brezave. Këto ideale ende ndriçojnë botën dhe ne nuk do t'i shesim për hir të interesave. Për të gjithë popujt dhe qeveritë që po na ndjekin sot, nga kryeqytetet më të mëdhenj e deri te fshati i vogël ku lindi babai im: dijeni se Amerika është mik i çdo kombi dhe i çdo burri, gruaje dhe fëmije që kërkon një të ardhme me paqe dhe dinjitet, dhe se ne jemi gati të jemi përsëri në krye. Kujtoni që brezat e mëparshëm triumfuan mbi fashizmin dhe komunizmin jo vetëm me raketa dhe tanke, por me aleanca të guximshme dhe bindje të forta. Ata e kuptuan që vetëm forca jonë nuk mund të na mbrojë dhe as nuk na jep të drejtën të veprojmë siç dëshirojmë. Por, ata e dinin se fuqia jonë rritet përmes përdorimit të saj me maturi; siguria jonë buron nga drejtësia e kauzës, forca e modelit, cilësitë e forta të përulësisë dhe përmbajtjes. Ne jemi mbrojtësit e kësaj trashëgimie. Të udhëhequr nga këto parime, edhe një herë ne mund të përballojmë ato rreziqe që kërkojnë përpjekje, bashkëpunim dhe mirëkuptim më të madh mes kombeve. Ne do të fillojmë t'ia lëmë Irakun popullit të tij dhe arrijmë një paqe shumë të merituar në Afganistan. Me aleatët e vjetër dhe ish-kundërshtarët ne do të punojmë pa u lodhur për të zvogëluar rrezikun bërthamor dhe frenuar fantazmën e ngrohjes së planetit. Ne nuk do të kërkojmë ndjesë për mënyrën tonë të jetesës, as nuk do të lëkundemi nga mbrojtja e saj dhe atyre që kërkojnë të realizojnë qëllimet e tyre përmes nxitjes së terrorit dhe masakrimit të të pafajshmëve ne u deklarojmë tani se guximi ynë është edhe më i fortë e nuk mund të thyhet; ju nuk mund të na mposhtni dhe ne do t'u shkatërrojmë. Sepse ne jemi të vetëdijshëm se trashëgimia jonë është forcë, jo dobësi. Ne jemi komb i kristianëve, myslimanëve, hebrenjve dhe ateistëve. Ne jemi farkëtuar nga çdo gjuhë dhe kulturë nga çdo kënd i kësaj bote. Dhe pikërisht pse ne kemi ndjerë shijen e hidhur të luftës civile dhe ndarjes e jemi rishfaqur më të fortë e më të bashkuar nga ai kapitull i errët i historisë, ne besojmë se urrejtja e vjetër një ditë do të venitet, se kufijtë e dallimit së shpejti do të shpërbëhen, bota do të bëhet gjithnjë e më e vogël dhe njerëzimi do të zbulojë vetveten. E Amerika duhet të luajë rolin e saj në hapjen e një ere të re paqeje. Për botën myslimane ne kërkojmë një rrugë të re të mbështetur në interesin dhe respektin e ndërsjellë. Ata udhëheqës në mbarë globin që kërkojnë konfliktin, apo fajësojnë Perëndimin për të keqen në shoqëritë e tyre, duhet të dinë se është vetë populli juaj që do t'ju gjykojë në bazë të asaj që mund të ndërtoni dhe jo asaj që shkatërroni. Ju që vini në pushtet përmes korrupsionit dhe mashtrimit dhe duke i mbyllur gojën disidencës, ta dini se jeni në anën e gabuar të historisë. Por, historia do t'u shtrijë dorën nëse do të keni vullnetin të lironi dorën e mbledhur grusht. Për popujt e vendeve të varfëra, ne zotohemi të punojmë së bashku për të siguruar që fermat tuaja lulëzojnë dhe të bëjmë që ujërat e pastërta të rrjedhin për të mbajtur gjallë trupat e uritur dhe ushqyer mendjet e etura. Dhe atyre vendeve që si ne shijojnë bollëk, u deklarojmë se nuk mund të lejojmë më shpërfilljen ndaj vuajtjeve përtej kufijve tanë dhe as nuk mund të shpenzojmë burimet e botës pa marrë parasysh pasojat. Sepse bota ka ndryshuar dhe ne duhet të ndryshojmë bashkë me të. Ndërkohë që kemi parasysh rrugën përpara vetes, ne kujtojmë plot nderim ata amerikanë të zotë të cilët në këtë moment po patrullojnë nëpër shkretëtira të pamata dhe male të larta. Ata kanë diçka për të na thënë, njësoj si heronjtë që gjenden në Arlington. Ne i nderojmë ata jo vetëm se janë gardianë të lirisë sonë, por sepse ata mbajnë mbi vete shpirtin e detyrës; gatishmërinë për t'i gjetur kuptimin një gjëje më fisnike se vetë ata. Në këtë moment - një moment që do të përcaktojë një gjeneratë, është pikërisht ky shpirt që duhet të na përfshijë të gjithëve ne. Për sa më shumë që një qeveri mund dhe duhet të bëjë, është besimi dhe vendosmëria e popullit amerikan ku ky komb mbështetet. Eshtë mirësia për të pranuar një të njohur në kohë të vështira, gatishmëria e punonjësve për të zgjedhur shkurtimin e orëve të punës sesa të shohin një mikun e tyre të humbë vendin e punës, në këto kohë të vështira për ne. Eshtë kurajoja e zjarrfikësit për t'u ngjitur drejt shkallëve, por edhe dëshira e prindërve për të ushqyer një fëmijë, që përfundimisht përcakton fatin tonë. Sfidat tona mund të jenë të reja. Edhe instrumentet e tyre me të cilat do të përballemi mund të jenë të reja. Por, vlerat ku varet suksesi ynë - puna e vazhdueshme dhe virtyti, kurajoja dhe ndershmëria, toleranca dhe kurioziteti, besnikëria dhe patriotizmi - këto gjëra konsiderohen të vjetra. Por, ato janë të vërteta. Ato kanë qenë forca e vërtetë e progresit në të gjithë historinë tonë. Ajo që kërkohet është rikthimi i këtyre vlerave. Ajo që kërkohet nga ne tani është një epokë e re përgjegjësie - një njohje, për çdo amerikan, se ne kemi detyrime ndaj vetes, ndaj kombit dhe botës, detyrime që ne i pranojmë pa qejfmbetje dhe që i marrim me dëshirë, të bindur për faktin se nuk ka asgjë më të mirë për shpirtin dhe asgjë më përkufizuese për karakterin tonë sesa përqëndrimi i të gjitha mundësive tona në këtë detyrë të vështirë. Ky është çmimi dhe premtimi i qytetarisë. Ky është burimi i besimit tonë - fakti që Zoti na është drejtuar neve për t'i dhënë formën një fati ende të panjohur. Ky është kuptimi i lirisë dhe parimeve tona - përse gra, burra e fëmijë të racave dhe besimeve të ndryshme mund të bashkohen në festë në këtë hapësirë madhështore dhe përse njeriu babait të të cilit, më pak se 60 vjet më parë, mund të mos i shërbehej në restorantet, qëndron këtu përpara jush për bërë betimin më të shenjtë. Pra, le të kujtojmë kush jemi dhe sa përpara kemi ecur. Le ta marrë vesh bota e së ardhmes që në zemër të dimrit, kur vetëm shpresa dhe virtyti mund të mbijetonin, të alarmuar nga një rrezik i përbashkët qyteti dhe vendi u mblodhën së bashku për t'i bërë ballë. Amerikë! Përballë rreziqeve tona të përbashkëta, në këtë dimër vështirësish, le të kujtojmë këto fjalë të përjetshme. Me shpresë dhe virtyt, le të përballim edhe një herë me rrymat e akullta dhe të durojmë stuhitë që mund të vijnë. Le të thonë fëmijët e fëmijëve tanë që kur u vumë në provë ne nuk pranuan të hiqnim dorë nga udhëtimi, që nuk u kthyem pas, që nuk u lëkundëm; dhe me sytë të fiksuar në horizont dhe me bekimin e Zotit me vete, ne çuam përpara dhuratën e madhe të lirisë dhe ua përcollëm të sigurt brezave të ardhshëm