E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalori vizual i trurit

Hulumtimi, i prezantuar në takimin vjetor të Shoqërisë së Neuroshkencave në Washington DC, mund të jetë i dobishëm për të kuptuar shkaqet e disleksisë. Studimi tregon se si funksionon truri me fjalët, të cilat kanë një komponent vizual bazuar tek shkrimi dhe një komponent zanor e bazuar te fonologjia.

Disa shkencëtarë besojnë se ne perceptojmë të dy komponentët e një fjale kur e lexojmë, dhe që zona apo zonat e trurit që bëjnë njërën bëjnë dhe tjetrën. Liderja e studimit Laurie Glezer thotë se ky studim tregon që nuk është kështu.

Përkundrazi Glezer thotë se truri kur lexojmë fokuson se si fjalët duken në letër.
“Ajo çka kemi gjetur është se kur ne mësojmë një fjalë, ajo vendoset në një fjalor tërësisht vizual në tru. Duke pasur një përfaqësim vizual bëhet e mundur njohja e shpejtë dhe efikase e fjalës, këtë ne e vëmë re tek lexuesit e aftë. Ky studim është demonstrimi i parë i këtij koncepti”, thotë Glezer.

Për të zbuluar strategjinë e leximit të trurit, Glezer dhe kolegët kanë marrë 12 vullnetarë që kanë lexuar ndërsa me anë të një makine i janë nënshtruar rezonancës magnetike. Kjo makinë mat fluksin e gjakut në zonat e veçanta të trurit, duke treguar se cilat janë më aktivet në një moment të caktuar.

Vullnetarët kanë lexuar fjalë të ndryshme, por që dëgjoheshin të ngjashme si p.sh. “hair” dhe “hare”. Rezultatet e makinës së rezonancës tregojnë se këto dy fjalë kanë aktivizuar neurone të ndryshëm, sikur dy fjalët të ishin ruajtur në dy faqe të ndryshme të një fjalori.

“Nëse tingujt e fjalëve do të kishin ndikim në këtë pjesë të trurit atëherë ne do të prisnim që ata të aktivizonin të njëjtët neurone apo të ngjashëm, por pamë se nuk ishte ky rasti. Fjalët hair dhe hare dukeshin po aq të ndryshme sa dhe hair e soup. Kjo tregon se ajo çka ne përdorim është informacioni vizual i një fjale dhe jo tingujt” ka thënë Glezer.

Leximi vizual dhe disleksia.
Glezer mendon se kjo gjetje mund të shpjegojë pse njerëzit që vuajnë nga disleksia kanë probleme me fjalët e shkruara. Ata nuk arrijnë dot të përfitojnë nga përpunimi i shpejtë i fjalëve duke përdorur këtë fjalor.

Nëse hipoteza e Glezer rreth disleksisë është e vërtetë, ajo hap rrugë të reja për trajtimin e këtij çrregullimi.

(a.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›