Fjeti poeti i filmit shqiptar
Tre ditë më parë, mbylli sytë Viktor Gjika, një nga etërit e kinematografisë shqiptare, pjesë e pandarë e asaj plejade të shkëlqyer, që hodhën themelet e saj, që e nxorën nga faza e fëminisë dhe diletantizmit dhe e ngritën në stadin e pjekurisë dhe profesionalizmit të vërtetë.
Emri i tij shkëlqen me një dritë të veçantë në kostelacionin e artit të shtatë shqiptar, i cili, ndonëse erdhi me vonesë në jetën e kulturës sonë kombëtare, krijoi vepra të admirueshme dhe bëri histori. Në fondin e artë të kësaj historie qëndrojnë denjësisht filmat më të mirë të Viktor Gjikës.
Nuk u gjend rastësisht në kinematografi. Natyrë e lindur artistike dhe inteligjent, njeri plot dhunti dhe me mendje të hapur, energjik dhe me vullnet të hekurt, gjithnjë kërkues ndaj vetes dhe të tjerëve, punëtor i palodhur dhe me interesa të gjithanshme, ai do të formohej në kinoshkollën e madhe të Ejzejnshtejnit, për t'u realizuar si kineast i shkëlqyer në botën e imazhit filmik shqiptar.
Për më se katër dekada, Viktor Gjika do të shpaloste personalitetin e tij artistik shumëplanësh: operator, regjisor, skenarist, drejtues. Ai do të ishte i pari artist që do të drejtonte qytezën e artit filmik shqiptar, Kinostudion "Shqipëria e re", duke i hapur asaj me guxim qytetar e artistik shtigje të reja krijuese.
Por Viktori mbi të gjitha do të mbetej krijues, gjithnjë në rritje, nga një film në tjetrin. Filmat e tij më të mirë si "Rrugë të bardha", "Gjeneral gramafoni", "Nëntori i dytë", "I teti në bronz", "Përballimi" etj. do të përbënin ngaherë ngjarje në artin dhe kulturën tonë.
Ishin dhe janë edhe sot e kësaj dite, në radhë të parë, vepra artistike të një niveli të lartë, pjellë, sigurisht, e një epoke të caktuar të historisë shqiptare, por që ngrihen mbi kufijtë kohorë dhe e bëjnë jetën e tyre të pavarur estetike.
Filma që tingëllojnë të vërtetë, emocionalë, mbushur me mesazhe humane, ngritur mbi konflikte e drama realiste, që marrin jetë nga një galeri personazhesh të besueshëm, plot hetime dhe detaje të holla psikologjike.
Viktor Gjika krijoi një personalitet artistik të vetin, të dallueshëm, origjinal, mbresëlënës, nga i cili mund të veçonim poezinë e filmave të tij, atë frymë njeridashëse që i përshkon ato, dritën e bukur që zbulon aq mjeshtërisht këndet e shpirtit e zemrës njerëzore.
Gjithë magjia e filmave të Viktor Gjikës përftohet nga aftësitë e tij të mrekullueshme për t'i rrokur e njësuar në një krijim të vetëm të gjithë komponentët e artit vizual. Kur i sheh ato, s'ka se si të mos të kujtohen fjalët e regjisorit francez Rene Kler, që thotë se filmi rilind tri herë, në tavolinën e krijimit të skenarit, në sheshin e xhirimit dhe në studion e montazhit. Viktori në të tre këto fronte do të tregohej mjeshtër.
Ai do të dinte ta kthente fjalën në imazh, kamerën në një instrument çudibërës, montazhin në lëvizje të jetës njerëzore, duke vënë gjithnjë në qendër njeriun, pra aktorin, me të cilin mjeshtri dinte të punonte në mënyrë krijuese si me individin, ashtu dhe me ansamblin.
Dhe këtë do ta arrinte falë njohjes së gjithanshme, të materialit njerëzor, të aftësisë së komunikimit, të atmosferës që dinte të krijonte, të frymës së bashkëpunimit.
Me Viktor Gjikën kemi qenë miq dhe kolegë të hershëm, po sidomos këto dy dekadat e fundit.
Më shumë se sa arti, na kishin lidhur mendimet e përbashkëta, raportet me të kaluarën dhe të sotmen, interesat dhe shqetësimet për vlerat e njeriut dhe të shoqërisë, afiniteti shpirtëror.
Viktori më ka bërë gjithnjë për vete me karakterin dhe natyrën e tij të hapur, me optimizmin dhe energjitë pozitive, me kulturën e brendshme dhe kulturën artistike, me bisedat e tij të mençura e të këndshme.
Me këtë njeri, jo vetëm mund të bisedoje përzemërsisht e seriozisht, ta kishe mik të dashur, por dhe të krijoje e të bashkëpunoje.
Kjo e dyta, për fat të keq, nuk ka ndodhur në atë masë sa do të dëshironim unë dhe ai. Ndoshta të tilla kanë qenë rrethanat, por megjithatë filmi dokumentar
"Diogjen i qytetërimit shqiptar", kushtuar shkencëtarit dhe shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, është fryt i punës sonë të përbashkët. Mbi bazën e skenarit tim, Viktori si mjeshtër i dokumentarit, realizoi një film që do të mbetet në kinogalerinë e figurave kombëtare.
Për këtë unë ndjehem krenar dhe ia di për nder Viktorit që më ftoi e më nxiti të bashkëpunonim. Bashkë me të, më 2001, ndërmorëm dhe një projekt për të bërë një film dokumentar kushtuar historisë dhe jetës së bashkatdhetarëve tanë në SHBA.
Duke iu përgjigjur ftesës që na erdhi prej andej, filluam nga puna përgatitore. Shkuam në Nju Jork, Boston, Uster etj., takuam njerëz dhe shkelëm nëpër gjurmët shqiptare, mblodhëm materialet e para. Por ngjau ajo që nuk e prisnim. Puna jonë u ndërpre dhunshëm.
Ngjau 11 shtatori i kobshëm. Pikërisht mëngjesin e asaj dite, ne kishim shkuar na Manhatan për t'u takuar me një nga heronjtë e filmit tonë të ardhshëm, që punonte te kullat binjake.
Ky ishte Rrok Camaj, një shqiptar nga Malësia e Madhe, i njohur për guximin e tij të pashoq. Ai pastronte prej vitesh xhamat e dritareve të kateve më të larta të kullave.
Ai na priste në orën 9, por gjysmë ore përpara, tek po shkonim për te ai ndodhi katastrofa dhe ne u bëmë dëshmitarë të një ngjarjeje planetare. Një ngjarje që e përjetuam dhimbshëm tok me Viktorin për shumë arsye, por dhe për arsyen se në rrënojat e kullës, gjeti vdekjen dhe "heroi" ynë. Pas 11 shtatorit realizimi i projektit tonë u bë i pamundur.
Por gjithë sa ndodhi na tronditi thellë të dyve dhe atë ditë, do të ndanim së bashku dhimbje, mendime dhe opinione, por dhe mbresa nga takimet dhe inkursionet nëpër mikrobotën shqiptare të SHBA. Kjo rrethanë dhe ato çka përjetuam na lidhën më fort me njëri tjetrin. Kishim kaluar nëpër një ferr të vërtetë dhe kjo nuk ishte pak për një miqësi si e jona.
Para tre vitesh, do të isha në krah të Viktorit kur u ndanë çmimet e Festivalit XII të filmit shqiptar në sallën e Teatrit Kombëtar. Me këtë rast ai u nderua me Çmimin e karrierës.
Sapo e ftuan në skenë, u ngrit, ngjiti shkallët dhe doli përpara publikut. Salla menjëherë u çua në këmbë dhe duartrokiti fort dhe gjatë. Viktori i emocionuar, por si gjithnjë dinjitoz, shqiptoi shkurt disa fjalë falënderimi e mirënjohjeje dhe përsëri nën duartrokitjet e sallës u kthye në vend.
Dhe unë i prekur, duke i shtrënguar dorën, i pëshpërita: "Ngritja e sallës në këmbë është çmim mbi çmimet". Ai më vështroi me sytë e rrëmbushur e më tha: "Është e vërtetë. Një nder i madh vërtet".
Ishte ky një manifestim krejt spontan dhe aq shumë i merituar i publikut shqiptar, mbledhur atë mbrëmje që nderonte dhe i shprehte mirënjohjen një artisti siç është statura e Viktor Gjikës.