E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treni heq zvarrë furgonin e mësuesve

FIER/ Treni i pasagjerëve është përplasur me një furgon, ndërsa tre mësuese kanë mbetur të plagosura

FIER - Një përplasje mes trenit të pasagjerëve të linjës Fier-Tiranë dhe një furgoni në të cilën ndodheshin mësues të një shkolle 9-vjeçare për pak sa nuk u kthye në një tragjedi, që fatmirësisht u "mbyll" vetëm me katër të plagosur lehtë. Ngjarja ndodhi dje paradite, në një kalim në nivel, të paligjshëm, i cili përdorej si një rrugë shkurt nga drejtuesit e automjeteve.


Burime zyrtare bëjnë të ditur se brenda furgonit ndodheshin tetë mësues të cilët japin mësin në një shkollë 9-vjeçare në komunën e Semanit në Fier, si dhe dy fëmijë. Banorët e zonës përreth u shprehën se në mëngjes ata dëgjuan një përplasje dhe më pas kanë parë trenin që tërhiqte zvarrë mbi shina furgonin, zvarritje e cila ka vazhduar për rreth 20 metra.


Të thirrurat nga brenda furgonit kanë bërë që kalimtarë të rastit të vraponin për t'u ardhur në ndihmë personave që ishin brend amjetit. Katër prej tyre janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Fierit. Mësohet se të plagosur ishin mësueset Nexhi Alibeaj, Jeta Begaj, Enkeleda Mema, si dhe drejtuesi i furgonit Gëzim Shabanaj, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.


Të dëmtuarit kanë qëndruar rreth pesë orë në spital nën vëzhgimin e mjekëve e më pas u janë drejtuar banesave të tyre. Të mbërritur në vendngjarje, ekspertë të policisë nisën hetimin për zbardhjen e ngjarjes. Në pyetje është marrë drejtuesi i automjetit, si dhe banorë që jetonin rrotull vendngjarjes. Bëhet e ditur se kalimi ishte i paligjshëm dhe drejtuesit e mjeteve e përdorin si një rrugë shkurt. Ndërkohë, pritet që nën akuzë të vihet pikërisht shoferi i furgonit.


Mbërrijnë trupat e familjes që u shua në Itali


SHKODËR - Prefektura dhe Këshilli i qarkut Shkodër kanë marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të transportit dhe varrimit për tre pjesëtarët e familjes Gonaj që humbën jetën aksidentalisht nga shpërthimi i gazit në Firence të Italisë.

Tre trupat e pajetë të viktimave të kësaj tragjedie arritën pasditen e së enjtes në Rinas dhe mësohet se shpenzimet për sjelljen e tyre në Shqipëri janë mbuluar nga qeveria italiane .

Ndërsa sipas sekretarit të Këshillit të Qarkut Shkodër, Rudolf Rasha, ky institucion së bashku me prefekturën, me qëllim ndihmën për familjen Gonaj që ka humbur tre pjesëtarë të saj, ka marrë masa për pritjen në Rinas të trupave të tre viktimave, transportin e tyre për në Gril të Vrakës dhe shpenzimet e varrimit.

Komuna Gruemirë në rrethin e Malësisë së Madhe, ku banon familja Gonaj, ka akorduar një shumë prej 150 000 lekësh të reja si ndihmë për këtë familje dhe ka marrë masa për akomodimin e shtetasve italianë, të cilët do të vijnë në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Angjelina, Dorian e Dorina Gonajt.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›