E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 47 automjete të vjedhura, vlera 700 mijë euro

Për një javë antitrafiku dhe policia rrugore, sekuestruan automjete luksoze të transportuara në Shqipëri në mënyrë të paligjshme

Objekt i operacionit "Credit Car", ishte zbulimi i mjeteve të blera në vendet e BE-së nëpërmjet kredive bankare


TIRANE- "Credit Car" sekuestron 47 automjete luksoze të cilat rezultonin të vjedhura jashtë shtetit. Tri ditët e fundit, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion për verifikimin e automjeteve luksoze, ku brenda 72 orëve u zbuluan 47 makina të vjedhura në shtete të ndryshme të cilat në total kapin vlerën e 700 mijë euro.

"Operacioni për goditjen e trafikut të makinave të vjedhura zgjati tri ditë nga data 2 deri në 5 mars dhe u zhvillua në koordinim të plotë me policitë homologe anëtare të qendrës ndërkombëtare SECI me seli në Bukuresht Rumani" bëri të ditur Policia e Shtetit.

Në operacionin e koduar, "Credit Car", u angazhuan specialistët e departamentit të Hetimit të Krimit Zyra Qendrore Kombëtare Interpol TIRANA, specialistët e departamentit të Kufirit dhe Migracionit dhe specialistët e departamentit të Sigurisë Publike të cilat bashkëpunuan me prokuroritë në qarqe, shërbimet doganore, zyrat e regjistrimit të automjeteve dhe me policinë tatimore.

Burime nga policia thanë se kontrolle të rrepta janë ushtruar në të gjitha pikat e kalimit kufitar me qëllim zbulimin e formave të mashtrimit për trafikimin e makinave të blera me kredi, makinave të marra me qira, mashtrimit me siguracione etj.

Gjithashtu policia patrulloi edhe në autostradat kryesore të qyteteve për të verifikuar makinat luksoze, ndërsa u kryen kontrolle edhe në tregjet e makinave të përdorura. Sipas policisë, janë verifikuar gjithsej 2655 automjete të llojeve e tipave të ndryshme ku nga verifikimet e kryera nëpërmjet Interpolit rezultuan të vjedhura jashtë shtetit 47 prej tyre.

Burimet policore thanë se 23 makina të vjedhura janë sekuestruar në qarkun e Tiranës, ndërsa tetë makina u bllokuan në Durrës.

Më pas automjete të vjedhura janë konstatuar në Lezhë, Fier, Vlorë, Elbasan, Shkodër, Berat e Gjirokastër.

Automjetet luksoze të cilat u bllokuan rezultojnë se janë vjedhur në vende të ndryshme si Itali, Gjermani, Norvegji, Francë, Belgjikë, Zvicër, Republikën Çeke, Bullgari, Serbi dhe Rusi.

"Për të gjitha këto automjete janë kryer procedurat përkatëse ligjore dhe materialet janë referuar në prokuroritë e rretheve gjyqësore për hetime të mëtejshme" bëri të ditur dje Policia e Shtetit.

Mësohet se operacioni "Credit Car" do të riorganizohet sërish në ditët në vijim me qëllim bllokimin e makinave të trafikuara. Burimet policore shtuan se nga pikat e kalimit kufitar vazhdojnë të hyjnë në forma të ndryshme automjetet të vjedhura ndaj dhe operacionet për verifikimin dhe bllokimin e tyre do të ndërmerren sërish dhe do të ndiqen penalisht poseduesit e këtyre makinave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›