Struktura urbane dhe arkitektonike, një vepër arti në Maket
Artistët e rinj hapin ekspozitën e parë për këtë vit në FAP Një ekspozitë me punimet e studentëve të arteve pamore do të hapet në datën 9 shkurt në galerinë FAP në Akademinë e Arteve,e cila këtë herë vjen me një titull dhe koncept interesant. Maket titullohet koncepti kuratorial i këtij edicioni i ideuar nga bashkëkuratorët Najada Hamza dhe Ardian Isufi dhe i koordinuar nga Genc Përmeti, profesorë dhe pedagogë në Akademinë e Arteve. Kjo është eksperienca e dytë e këtij ekipi organizativ, ku vlen për tu përmendur
ekspozitën Trego një Ngjarje e realizuar një vit më parë me sukses të jashtëzakonshëm për atmosferën artistike të krijuar dhe për impaktin e drejtpërdrejtë që pati ky event për publikun artdashës dhe më gjerë. Maket ka si target studentët e Akademisë së Arteve-Atelie Grafika/ Mode e Tekstil/ Multimedia / Pikturë, që njëkohësisht janë dhe artistë të rinj për ti krijuar shanset e përpunimit artistik mbi një temë urbane dhe arkitektonike për një realitet të caktuar dhe të përcaktuar prej tyre. E gjitha kjo vjen si një dëshmi artistike, gjithashtu është një eksperiencë e re dhe e vyer për studentët, të cilët përballen dhe ballafaqohen me ide të ndryshme nëpërmjet procesit të konkurrimit. Maket do të përqendrohet në realizimin e objekteve tre dimensionale të inspiruara nga projekte arkitektonike dhe struktura urbane, ku do të shtrihen ndërhyrjet artistike për të stacionuar konstatime të një shoqërie tranzitore me kontraste dhe diferenca të jashtëzakonshme. Ky diskutim do të ketë jo vetëm karakter pamor, por edhe të debatit në formën e tryezës së rrumbullakët me individë apo grupe të interesuara për të mësuar më shumë rreth kësaj infrastrukture të rrëmujshme, ku individi e sheh veten si në një teatër të mbyllur, të cilin e kufizon një bulevard periferik Baudrillard, por edhe si arsyetim mobil se qenia humane është një objekt-subjekt i lëvizshëm si fizik po ashtu dhe i qëndrueshëm. Ekspozita do të zhvillohet në galeria FAP në Akademinë e Arteve nga data 9 deri më 20 shkurt. Maketmund të jetë modeli i një vepre arti, i një ndërtese a grupi ndërtesash, i një makine, i një vegle etj, i zvogëluar ose në madhësi natyrore. Kemi maket i ndërtesës i urës, maket i një fshati, qyteti, maketi i skenës. Koncepti Maket Aty krijohet objekti arkitekturor i pastër, ai që u shpëton arkitektëve, që e mohon prerazi qytetin dhe zakonet e tij, mohon interesin e kolektivitetit dhe të individëve, këmbëngul në delirin e vet dhe nuk ka të barazvlefshëm tjetër përveç krenarisë së qyteteve të Rilindjes...Jo nuk duhet humanizuar arkitektura. Antiarkitektura, ajo e vërteta, jo njerëzorja, ajo që kapërcen njeriun...pa respektuar vëllimin, mirëqenien ose ekologjinë ideale. Ajo ka luajtur me teknologjitë e forta, i ka tepruar të gjitha përmasat, ka vënë bast mbi qiellin dhe mbi ferrin. Qytetet nuk kanë mjaft hapësirë- apo më mirë e tëra ajo shpallet si publike, është e tejmbushur me të gjitha shenjat e skenës publike, ajo të ndalon ta përshkosh, apo të ngjitesh si një shkretëtirë, ose hapësire indiferente. Ndofta rruga, nuk i njeh çastet historike, por ajo është gjithmonë e zahamallishme, vitale, kinetike dhe kinematografike, në pajtim me imazhin e vendit të vet, ku thjesht skena historike dhe politike vihen pak në kandar, po ku rrezikshmëria e ndryshimit, të cilin e kanë mëkuar përmes teknologjisë, mediave, është i madh: është vetë dhuna e mënyrës së jetesës. Në krizën e tashme të vlerave, përmes një force teatraliteti, që të gjithë kthehen drejt kulturës, që ka guxuar t'i materializojë pa pritur gjatë këto gjëra... O ditë të bukura! Këtë mëngjes një zog ka ardhur të vdesë mbi ballkon dhe e kam fotografuar- "Jean Baudrillard". Psikofizika urbane dhe arkitektonike, si ne i përjetojmë ato, si ne situatojmë me hapësirën publike ku ndodhet shtëpia jonë e vogël dhe e madhe, që do të thotë të reagosh, pickosh publikun me reflektime artistike si libër i hartuar në dorë të parë, që qarkullon përkohësisht e i shtrohet diskutimit para se të marrë trajtën përfundimtare, pra diskutimi i maketit si projekt artistik sensibilizues.Nga Julia Vrapi