E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flaka olimpike mberrin ne Britanine e Madhe

Një aeroplan që shkruan historinë sjell simbolin e madh olimpik nga Greqia për në Britaninë e Madhe. Në të ndodhet një delegacion që e di rëndësinë e ceremonisë, ndërsa në aeroportin e Helstonit është mbledhur një turmë që kërkon të shijojë këto momente.
Princesha Ana mban në duar llampën që ka brenda flakën olimpike, atë gjë të zjarrtë që do të shoqërojë krejt Olimpiadën Verore që do të zhvillohet në Londër në muajt korrik-gusht të këtij viti.

Për të shoqëruar princeshën janë kreu i komitetit organizator të lojrave, ish-atleti i madh Sebastian Kou, si dhe futbollisti i shquar Dejvid Bekam.
Princesha Ana ia dorëzon llampën stafit organizator, ndërsa Bekam ndez pishtarin olimpik dhe më pas, nën sytë e njerëzve të shumtë e të vëmendshëm, ai ndez vazon ku flaka olimpike do të bujtë deri në përfundim të Olimpiadës.

Për Bekamin, një nga simbolet e Lojrave Olimpike të Londrës, kjo simbolikë është diçka speciale. “Mendoj se kjo flakë do t’i ndezë njerëzit në kuptimin e plotë të kësaj fjale, ndërsa shëtitja e flakës nga 8 000 njerëz do të jetë një moment i veçantë për vendin tonë”.
Londra mirëpret Lojrat Olimpike të këtij viti, në një periudhë kohore nga 27 korriku deri më 12 gusht dhe në këtë ngjarje të madhe do të jenë rreth 10 500 atletë të 204 vendeve, që do të synojnë medalje në 302 gara të 26 sporteve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›