Flamuj, parulla dhe gënjeshtra
Ftesa e vendit në NATO është një hap në drejtimin e duhur për t'u përshëndetur dhe ndier të nderuar. Megjithatë, në këtë shkrim nuk do të merrem me këtë ndodhi, por me manipulimin e imazheve publike nga Sistemi me festa e koncerte, duke parë që në disa raste të spikatura, artificialiteti i reagimit është pasqyrim i ndërgjegjes që po na bren së brendshmi. "Gëzimi i madh" që na pushtoi nga Ftesa për në NATO më tepër se konceptim i asaj që d.m.th., kjo ftesë është shprehje e bindjes që i imponojmë vetes se kjo Demokraci është prej vërteti.
Shikoj fotografitë që qarkulluan, ku disa vetura dhe ca 4×4 vijnë vërdallë bulevardit duke valëvitur flamuj kuqezi dhe flamuj të NATO-s. Dhe them me vete: Ku i gjetëm këta flamujt e NATO-s? Sa prej nesh mbajnë në shtëpi një flamur të Aleancës së Atlantikut të Veriut? Për besë, unë nuk njoh askënd të tillë! Pastaj, si do të ndryshojë jeta e shqiptarit të zakonshëm pas ftesës që ta frymëzojë të dalë të valëvisë flamuj? Unë e kuptoj që Ftesa është një arritje, por është akoma tepër abstrakte dhe e paprekshme që të frymëzojë gëzim spontan. Ka ndodhur një tragjedi e rëndë në Shqipëri, muajin që shkoi, ku të paktën 26 vetë humbën jetën. Zija e Gërdecit ende nuk ka kaluar, gjërat duhen parë në këtë kontekst, përpara se ata që nuk po tregojnë entuziazëm të spikatur ndaj ftesës të sulmohen me fjalë boshe. Është në kontekstin e asaj që ndodhinë Gërdec, që e gjej këtë "festë spontane" të pasinqertë, të stisur e për rrjedhojë patetike.
Ndjenja e pakënaqësisë që po kaplon apo ka kapluar plotësisht pjesën më të madhe të shoqërisë shqiptare nuk është pa shkak dhe nuk është e drejtuar kuturu, ajo i detyrohet dhe i drejtohet Sistemit në të cilin shoqëria shqiptare është e nënshtruar të jetojë.
***
Kjo "Demokracia" jonë është një sistem imazhi, diçka që ekziston vetëm në lajthitjet e demagogëve dhe mendjeshkurtërve. Njësoj si në diktaturë, ky sistem ka nevojë për parullat e banderolat e veta. Sistemi post-diktatorial në Shqipëri edhe pse quhet Demokraci e votës së popullit, popullin e skllavëron, premton ndryshim dhe ndryshon për keq, premton liri individuale por individualizmi asgjësohet, rrënimi kulturor quhet zhvillim, manipulimi i fakteve shitet për informim publik, propaganda për frymëzim, korrupsioni vishet si zbatim i ligjit, farsat mediatike prezantohen si Liri e shtypit, pasurimi ekonomik mbi djersën e popullit sa i njërit apo tjetrit klan, trukohet me broçkulla për integrim. Me manovrat e Dushkut edhe Sistemi i votës, është një gënjeshtër më shumë. Ky nuk është sistem i shumicës por sistemi i pakicës që ka nënshtruar dhe droguar shumicën. I gjithë Sistemi, Pozitë dhe Opozitë është i tillë, i rremë dhe i kurdisur. Një gënjeshtër që e zbulojmë për të tillë nga pak e përditë, por që nuk kemi forcën dhe guximin ta ekspozojmë, sepse po ta kundërshtonim do të na duhet t'i pranojmë dhe vetes se jetojmë në një shoqëri të rreme fund e krye. Me pak fjalë, kjo është "Gënjeshtra e madhe", ku një grup i paskrupuj mbeturinash të Sistemit të kaluar kanë ndërtuar Sistemin e tyre parazitar, gjoja demokratik.
Po kush janë këta në foto? Unë dalloj një "Touareg" të zi. Di që "Touaregët" janë makina zyrtarësh. Kot po zgjatem, dyshoj se janë shoferë ministrash apo deputetësh. Punojnë për shtetin pra, për Sistemin. Nuk besoj për asnjë moment që i kanë zënë ethet e gëzimit të Ftesës për në NATO në këtë farë feje, sa kanë dalë me makina në bulevard. Ata thjesht po bëjnë atë që i kanë udhëzuar të bëjnë. Kanë pranuar jo se besojnë se jeta e tyre vërtetë do të bëhet më e jetueshme tani pas Ftesës, por sepse jeta e tyre është më e jetueshme kur u binden urdhrave të shefave dhe nuk krijojnë probleme. Sepse nëse ndonjëri nga shoferët do tregohej i sinqertë që nuk ia ndjente aq sa të dilte xhiro në bulevard, mund të shihej si shenjë rebelimi, e ndoshta mungesë besnikërie ndaj shefit, deputetit, apo klanit nepotik që e ka punësuar.
Megjithëse e pasinqertë, xhiroja e makinave në bulevard e ka një kuptim të rëndësishëm. Në vetvete, dalja me flamurin e NATO-s në shesh për këta nuk është shprehje e gëzimit por shprehje e nënshtrimit të tyre - dhe tonit - ndaj Sistemit. Është ilustrim i kapitullimit të individit në një sistem imazhesh, ku ajo çka mendon dhe ndjen vërtetë nuk ka rëndësi aq sa detyra ndaj Sistemit për të luajtur rolin e figurantit në këtë teatër-jetë. Ata kanë dalë për imazh, si slogane, ku sloganet janë ata vetë. Në vend të flamujve mund edhe të kishin vendosur tabela që thonin: "Unë i bindem Sistemit" - vetëm se kjo do t'ua lëndonte krenarinë personale. Dhe do të ekspozonte sesa e rrejshme është natyra e Demokracisë Shqiptare. Të gjithë ne, që i kuptojmë këto dhe heshtim, bëjmë kështu për të njëjtën arsye. Do ishte më e ndershme për secilin prej nesh ta pranonim që jetojmë një rrenë në një vend ku Sistemi post-diktatorial na shpërfytyron. Por kjo e vërtetë është tepër e dhimbshme në nivel personal. Ndaj bëjmë sikur besojmë që ndoshta një parti e re, në zgjedhjet që vijnë, në kohën e ardhshme... një Mesia do të vijë të na shpëtojë!!!
***
Pranimi i kësaj strukture gënjeshtrash përbën nënshtrimin tonë shoqëror, dhe zelli për të mbështetur Partinë "A" kundra Partisë "B" me dijeninë e plotë që si "A" ashtu edhe "B" janë i njëjti produkt post-diktatorial - ky zell për t'u bërë pjesë e lojës, është në vetvete shprehje e patetizmit tonë të përbashkët. Sepse të gjithë e pranojmë se nuk i besojmë më këta politikanë, e megjithatë i lejojmë të na nëpërkëmbin. Cilido kah politik të ishte në pushtet, dilema e shoferit të "Touaregut" mbetet e njëjtë. Nuk është PD-ja që i detyron atij të festojë me flamur të NATO-s, të njëjtën gjë do të bënte edhe nëse shefat do t'i kishte të majtë. Por çdo të ndodhte në rast se shoferi i "Touaregut" do të refuzonte të bënte xhiron e bulevardit për nder të NATO-s? Në rast se ai do kishte guximin dhe forcën që të vepronte si individ dhe jo si individ i nënshtruar a do të gjente çlirim në të vërtetën? Ndoshta jo po të bënte kështu i vetëm, ndoshta i vetëm në kundërshtim të direktivës thjesht do përjashtohej nga puna, sepse Sistemi nuk mund të lejojë që një shofer të ekspozojë natyrën e tij të gënjeshtërt.
Por në rast se secili prej nesh e gjen kurajon të mos jetojë më në gënjeshtrën dhe të mbajë një qëndrim parimor për të vërtetën gjërat do të ndryshonin shumë shpejt. Vetëm ata individë që refuzojnë të bëhen pjesë e kësaj gënjeshtre më gjatë, vetëm ata për të cilët e vërteta ka më tepër rëndësi sesa qetësia personale do të gjejnë guximin të jetojnë dhe flasin si individë të lirë. E paçka se mund të duket marrëzi, e vetmja disidencë reale është ajo që bëhet për të jetuar të Vërtetën. Dhe e vërteta është e hidhur përsa i ka ndodhur këtij vendit tonë këta 18 vjet të tranzicionit, në dhëmbët e cilëve hienave ka përfunduar Shqipëria dhe cilët psikopatë e injorantë bëjnë ligjin këtu. E vërteta është e tmerrshme kur shikon se Sistemi post-diktatorial është transformim i diktaturës politike në diktaturë ekonomike, kur shteti është i kapur deri në majë sa nga oportunistët aq dhe nga të paaftit.
E vërteta është që në Shqipëri komandojnë të fortët dhe heshtin të mençurit, gëlojnë militantët, vuajnë individët, korruptohen të rinjtë, kurvërohen të vjetrit. E vërteta është që i gjithë vendi po kthehet ngadalë në një Gërdec të madh eksploziv, ku shteti të vret natën dhe të dëmshpërblen (me paratë e tua) ditën. Shqipëria është një vend ku besimi ka humbur e ku udhëheqësit nuk të frymëzojnë, por ta pështirosin.