E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirimi i Haradinajt: Kthimi i Gjeneralit

 

SHTYPI KOSOVAR

 

KOHA DITORE

Afro një orë sa ka zgjatur seanca e së enjtes në Hagë, Hilmi Haradinaj rrallë e ka fikur cigaren, ndërsa bashkëshortja e tij mbante gishtërinjtë lidhur në prehrin e saj. E tërë familja priste në ethe. Nganjëherë shikimi i saj humbiste në një pikë të caktuar në dhomë. "Jemi në ethe të mëdha", thoshte Frashër Haradinaj, derisa po dilte nga dhoma diku në gjysmën e seancës. Derisa Ramush Haradinaj po ngrihej në këmbë me ftesë të gjykatësit, disa mijëra kilometra larg tij, të mbledhur në shtëpinë e tyre në Gllogjan, reaguan edhe anëtarët e familjes së ngushtë të tij. Babai, Hilmiu e kafshonte fshehurazi buzën e sipërme, ndërsa vëllai, Frashëri uli kokën, bashkoi shuplakat e duarve, i mbështeti në mjekër dhe i mbylli sytë. Kur gjykatësi One e shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn, filluan urimet...

KOSOVA SOT

Brenda një dite, shqiptarët u janë gëzuar dy lajmeve. Njëri erdhi nga Bukureshti. Tjetri nga Haga. I pari, na kumtoi se shqiptarët janë ftuar të hyjnë në Aleancën më të fuqishme ushtarake të botës. I dyti, e konfirmoi edhe një herë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare për Kosovës për liri dhe pavarësi. Drejtësia, e munguar në shekuj për shqiptarët, tani flet me një gjuhë tjetër. Me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, kombi ynë është më i sigurt dhe më i fortë. Tani jemi faktorë të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është i lirë, duke shënuar kështu edhe një triumf jo thjesht individual, por një ripërforcim të imazhit të UÇK-së në botë.

ZËRI

Më 3 prill të këtij viti mori fund një rrugëtim i gjatë i Ramush Haradinajt, i cili me 8 mars të vitit 2005 dha dorëheqje në postin e kryeministrit të Kosovës, të cilin e mbante atëherë, dhe u nis vullnetarisht për në Tribunalin e Hagës, pasi që Prokuroria bëri publike aktakuzën ndaj tij. Ishte një moment tepër dramatik në rrjedhat politike në Kosovë, e cila akoma nuk kishte hyrë në procesin e zgjidhjes së statusit të saj. Priteshin, prej shumëkujt, thyerje të mëdha në vend (të të gjitha llojeve), por të gjitha ato mbeten në sferën-fushën e spekulimeve, sepse vetë Haradinaj e mbylli çështjen, jo vetëm duke shkuar vetë në Hagë, por duke e klasifikuar atë si një tjetër detyrim të tij, për vendin e tij, dhe gjithnjë duke shprehur besimin në drejtësinë ndërkombëtare.

BOTA SOT

Faleminderit Zoti President historik Xhorxh W.Bush! Faleminderit SHBA! I falënderojmë edhe aleatët besnikë të SHBA-ve, ata që miratuan qëllimin dhe idealin e Amerikës për të përkrahur lirinë dhe pavarësinë e kombeve të vogla e të shkelura padrejtësisht nga hegjemonitë lindore. A mund të konkludojmë, se ngjarja më e madhe në historinë e Shqipërisë, pas pavarësisë së saj, është data e 3 Prillit, dita kur Shqipëria zyrtarisht mori ftesën për anëtarësim në NATO. Ishin rrethanat historike në vitin 1917 që pamundësuan dhe cunguan shtet-formimin në tërësinë e territorit etnik të shqiptarëve, por edhe gati 100 vjet me vunë anatema dhe persekutimi nacional kundër shqiptarëve vazhdoi... Vetëm Zoti lart, Perëndia vetë dhe Amerika, që është në dorë dhe në besë të Zotit, u gjet për shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›