Flamujt e fushatës, incident mes LSI e Policisë Bashkiake

gjate incidentit mes policise bashkiake dhe simpatizanteve te lsi, dje ne tirane, per flamujt e fushates
Inspektorati i Ndë-rtimit të Bashkisë së Tiranës hoqi dje flamujt e fushatës së LSI-së në Njësinë Bashkiake nr.5.Ky veprim i bashkisë ka provokuar incidente mes punonjësve të bashkisë, simpatizantëve dhe mbështetësve të LSI-së, të cilët e kanë cilësuar këtë veprim të qëllimshëm politik. Heqja e flamujve të LSI-së nga shtyllat elektrike buzë rrugës, në afërsi të stadiumit Dinamo, nga Policia Bashkiake ka hasur në rezistencën e drejtuesve dhe simpatizantëve të kësaj partie. Rreth orës 14:00 në rrugën para selisë së LSI-së dhe në rotondon e Tiranës së Re janë parë punonjës të Policisë Bashkiake dhe të Inspektoratit të Ndërtimit të kësaj bashkie që kanë nisur të heqin flamujt dhe simbolet e LSI-së nga shtyllat e ndriçimit dhe pemët e rrugës. Menjëherë, mbështetës të shumtë të LSI-së janë grumbulluar dhe janë munduar ti pengojnë. Ky veprim ka ndezur tensionin, ndërsa më racionalët janë munduar të debatojnë në përpjekje për të bindur Policinë Bashkiake të ndërpresë këtë veprim. Në vendngjarje ka mbërritur dhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama, por dhe kandidatët e kësaj force, Erisa Xhixho, Ilir Kokona, Muharrem Berisha, të cilët u munduan të bindnin drejtorin e Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës dhe kreu i Policisë Bashkiake, Zyhdi Dajti. Sipas Ramës dhe Kokonës, një vendim i Këshillit të Ministrave nuk lejon vendosjen e banderolave, por jo flamujve dhe posterave. Gjithashtu ata kanë argumentuar vendosjen e flamujve me kriteret e Kodit Zgjedhor, i cili përcakton nisjen e fushatës 45 ditë para zgjedhjeve. Rama dhe Kokona kanë argumentuar faktin se tashmë dhe PS ka nisur një ditë më parë zyrtarisht fushatën, duke e cilësuar në kohë vendosjen e flamujve në rrugët e qytetit. Luan Rama, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, ka deklaruar se ky është një sulm i kryetarit të PS-së, Edi Rama ndaj LSI-së. E gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse pjesë e tensionit parazgjedhor që ka përfshirë kryetarin në ikje të Bashkisë së Tiranës, i cili natyrisht verbohet kur sheh ngjyrën e kuqe të LSI-së, që është pjesë e fushatës tonë elektorale, tha Luan Rama.
Por kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës u ka kërkuar të gjitha forcave politike të respektojnë ligjet në fuqi, duke e deklaruar vendosjen e simboleve partiake në rrugë si të jashtëligjshme. Sipas LSI-së, flamujt janë hequr vetëm pak orë pasi ishin vendosur në Njësinë Nr.5 të kryeqytetit, ku kjo forcë kandidon nënkryetaren e saj Erisa Xhixho. Por ndërkohë, flamuj të LSI-së, por dhe forcave të tjera politike, janë vendosur në shumë rrugë të kryeqytetit, madje dhe në unazën e tij. Mbështetës të LSI-së kanë denoncuar në Komisariatin Nr.2 të Tiranës Policinë Bashkiake se ka ushtruar forcë ndaj tyre, në përpjekje për të mos i lejuar të hiqnin nga shtyllat dhe pemët flamujt e fushatës. Policia Bashkiake nuk mundi të heqë të gjithë flamujt, ndërsa drejtuesit e LSI-së i kërkuan një kërkesë me shkrim zyrtar, ku të detyronte të gjitha partitë politike në garë të mos vendosin simbole në rrugët e Tiranës. Fushata elektorale për zgjedhjet e 8 majit ka nisur me disa incidente, madje të rënda. Dy kandidatë komunash të koalicionit të djathtë janë qëlluar me armë, por pa pasojë për jetën, ndërsa tensionet kanë nisur që ditën e shpalljes së kandidaturave.
Xhixho: Rama po sillet si don kishot
Kandidatja e LSI-së për Njësinë Nr.5, Erisa Xhixho, shprehu indinjatë ndaj kësaj sjelljeje të Bashkisë së Tiranës, duke e quajtur kryetarin e saj Edi Rama si një Don Kishot i cili lufton kundër simboleve të LSI-së. Nga ana tjetër, do të shprehja në emër të LSI-së gjithë indinjatën ndaj sjelljes dhe fobisë që ka z. Rama ndaj simboleve të LSI-së, duke u sjellë në këtë mënyrë si një don kishot, ku në qoftë se Don Kishoti merrej me mullinjtë e erës, z. Rama merret me simbolet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, vijoi prononcimin e saj për mediat nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho. Sipas saj, Lëvizja Socialiste për Integrim është duke respektuar Kodin Zgjedhor dhe institucionet e administrimit të zgjedhjeve.
Kaja: Nuk do lejojmë shkeljen e ligjit
Drejtor i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja, në një deklaratë për mediat dje pasdite, u bën thirrje forcave politike garuese në zgjedhjet e 8 majit të respektojnë ligjin. Ju bëj thirrje të gjithë forcave politike të zbatojnë ligjin për fushatën zgjedhore. Sot, Inspektorati i Ndërtimit filloi një aksion për heqjen e të gjithë simboleve të partive të ndryshme, të cilët në mënyrë të paligjshme, i kanë vendosur në rrugët e bulevardet e Tiranës. I bëj thirrje Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe të gjithë partive politike, pjesëmarrëse në këtë fushatë zgjedhore, të zbatojnë me përpikëri ligjin, sepse Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës, nuk do të lejojë asnjë të shkelë ligjin për vendosjen e këtyre simboleve, shprehet Kaja.
ARISTIR LUMEZI