Gert Bogdani: Politika e shpifjes dhe përbaltjes, e vetmja rrugë e Edi Ramës për të mbuluar dështimin 11 vjeçar

"Është për të ardhur keq që edhe sot, në ditën e zisë kombëtare për shkak të ndarjes nga jeta të një udhëheqësi shpirtëror në vend, Edi Rama vijoi politikën e shpifjes e përbaltjes së kundërshtarit, duke treguar mungesë respekti për traditat më të mira të vendit.
Të gjithë në Tiranë e dinë se politika e shpifjes dhe e përbaltjes është e vetmja rrugë e Edi Ramës me të cilën ai po kërkon të mbulojë faktin se nuk ka një bilanc të punëve në Bashki, dhe faktin që vjen duarbosh në këto zgjedhje.
Lulzim Basha është ndryshe. Ai është çdo ditë në mes të qytetarëve të Tiranës duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke ndarë me ta zgjidhjen e problemeve. Ndërsa sot, Lulzim Basha anuloi të gjitha aktivitetet e fushatës në nderim të kujtimit të Baba Dede Reshat Bardhit.
Në të kundërt politika e Edi Ramës, jo vetëm nuk nderon kujtimin e një personaliteti të nderuar, por nuk sjell asgjë të re për qytetin e Tiranës. Nuk ndërton asnjë shkollë të re, asnjë rrugë të re, nuk zhvillon asnjë lagje, dhe nuk zgjidh asnjë nga problemet e shumta që ka kryeqyteti".