Asma al-Assad, trëndafili i shkretëtirës, Diana e Sirisë
Për revistën e famshme Paris Match, ajo ishte një element drite, në një vend të mbushur me shumë hije dhe errësirë. Nga Elle, është konsideruar si gruaja me shijet më të larta në stilin e veshjes në të gjithë botën e politikës. Edhe britanikja The Sun ka hapur një herë numrin e gazetës me titullin: Britanikja seksi që po ndryshon Sirinë. Asma al-Assad, është cilësuar edhe si trëndafili i shkretëtirës.
Ish-bankierja 35 vjeçe, e cila është rritur në Acton, në perëndim të Londrës, ka vënë kurorë që një dekadë me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, me të cilin ka tre fëmijë. Ajo është më e freskëta dhe më rrezatuesja e të gjitha zonjave të para. Tek ajo bëhen bashkë stili i hollë për një veshje shik dhe pasioni për të krijuar në një rajon problematik një bastion kulture dhe sekularizimi. Disa muaj pas Pranverës Arabe, e cila ka kapluar edhe Sirinë, ku kërkohet ndryshimi i qeverisë, kritikët e regjimit të vendit kanë nisur që ti sfidojnë të gjitha deklaratat dhe vlerësimet që revistat e modës kanë bërë për Zonjën e Parë të Sirisë. Asma është pjesë e një familjeje, e cila është përgjegjëse e një historie shtypjesh brutale dhe diktature represive. Ajo përfaqëson çdo gjë të kundërt me lëvdatat që i janë bërë gjatë gjithë kësaj kohe, vazhdojnë kritikët e Zonjës së Parë të Sirisë.
Sipas vëzhguesve, 97 për qind e votuesve që i dhanë mbështetjen e tyre Assadit në pasimin e të atit në krye të vendit, e bënë një gjë të tillë jo për të mbështetur këtë njeri, por se nuk kishin se kë tjetër të mbështesnin, pasi Assad ishte kandidati i vetëm dhe tani drejton një nga regjimet më brutalë dhe autokratikë në botë. Por një gjë është e qartë si për kritikët, ashtu edhe për adhuruesit e saj: Asma është një figurë shumë intriguese. Si vajzë e një ish-diplomati dhe kardiologu, ajo është rritur si një myslimane sekulare dhe në shtëpi ka folur arabisht, duke qenë se babai i saj ishte sirian.
Megjithatë ka shkuar në një shkollë katolike në perëndim të Londrës, ku nga shokët e klasës njihej me emrin Emma. Pas përfundimit të studimeve në Kings College në Londër, ku studioi për shkenca kompjuterike, Asma nisi punën si bankiere në JP Morgan, fillimisht në Londër dhe më pas, në New York. I ati i Asma-s, Fawaz Akhras, ka qenë një anëtar shumë i njohur i emigrantëve sirianë në mërgim në Britaninë e Madhe dhe më pas ishte një nga iniciatorët dhe themeluesit e shoqërisë siriano-britanike.
Asma, bashkë me vëllezërit dhe motrat e saj, e vizitonin shumë shpesh Sirinë dhe ishin miq të afërt të Hafez al-Assadit, sundimtarit të vjetër të vendit. Asma dhe Bashar, i cili është dhjetë vjet më i madh se ajo, nisën që të takoheshin dhe të frekuentoheshin me njëri-tjetrin, kur Asma ishte në fillim të të 20-tave. Fillimisht ishte një marrëdhënie që u zhvillua në fshehtësi të plotë dhe asnjë nga kolegët e saj në punë, apo të afërmit e saj dhe po ashtu edhe të Assadit, nuk ishin në dijeni të lidhjes së tyre të ngushtë.
Dhe kjo zgjati jo pak. Gjithçka mori pamje zyrtare vetëm pas shpalljes së martesës së tyre shumë private, në dhjetor të vitit 2000. Gruaja e re e presidentit, e cila di shumë gjuhë të huaja dhe është një person me një kulturë të madhe të oratorisë, edhe pse me një aksent të lehtë londinez në të folurën e gjuhëve të huaja, arriti që shumë shpejt të mrekullonte dhe të bënte për vete intervistuesit e saj dhe jo vetëm ata, por edhe shtetarët e ndryshëm në të gjithë botën. Opinioni publik sirian u josh menjëherë nga kjo zonjë, e cila nuk i ngjante zonjave të tjera të vendit as për nga pamja dhe as për nga mënyra e sjelljes.
Opinioni u josh edhe nga historia sipas së cilës ajo, para se të martohej, fshehurazi i ra vendit rreth e qark për tre muaj, për ta njohur mirë në çdo pëllëmbë të tij dhe më pas krijoi edhe një organizatë, qëllimi i së cilës ishte inkurajimi i grave në një shoqëri të re. Ajo ka bërë vazhdimisht shfaqje të ndryshme në publik vetëm, ose edhe përkrah të shoqit në ngjarje shtetërore, por edhe shoqërore dhe ka mënyra shumë të mira për tu shkrirë me njerëzit dhe madje shpesh i jep makinës vetëm kur i duhet që të kryejë lëvizje.
Pamja e saj e bukur dhe veshja e stilit të Dianës, Princeshës së Wellsit, me të cilën sirianët e krahasojnë shpesh Zonjën e Parë të vendit, duket se i pëlqen Asma. Kur Bashar, një mjek okulist, erdhi në pushtet dhjetë vjet më parë, të gjithë ushqyen shpresa shumë të mëdha për një të ardhme ndryshe dhe më të lirë të vendit të tyre. Pjesë e shpresave ishte edhe gruaja e Basharit, me gjithë pamjen dhe synimet e saj fillestare për të ndryshuar vendin dhe për ta çuar atë në një stad të ri lirie dhe demokracie, që nuk ishte i njohur më parë. Suveniret më të përhapur në tregjet e Damaskut dhe të qyteteve të tjera të rëndësishme të vendit u bënë portretet e çiftit të parë të vendit dhe më pas edhe fëmijëve të tyre, që kishin të gjithë atributet e një familjeje mbretërore për nga mënyra se si shiheshin dhe se si e trajtonin veten dhe si trajtoheshin nga populli.
Por tashmë ka kaluar më shumë se një dhjetëvjeçar nga ardhja e Bashar në pushtet dhe shpresat e dikurshme janë shuar dhe shndërruar në makthe që kanë sjellë revoltë. Siria është në mesin e një krize që sa vjen e po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe gjithnjë e më konfliktuoze. Dhjetëra protestues pro demokracisë janë vrarë në sheshet e protestës në javët e fundit të revoltave dhe ajo çka ka bërë deri më tani presidenti janë vetëm disa lëshime dhe koncesione, në përpjekje për të qetësuar valën e revoltës që ka përfshirë të gjitha vendet arabe dhe Sirinë gjithashtu. Megjithatë, javën së kaluar, ai refuzoi që të hiqte ligjin e emergjencës dhe ndalim-qarkullimit që i kanë dhënë mundësi shtypësve dhe agresorëve sirianë prej më se gjysmë shekulli që të shtypin çdo lloj përpjekje për opozitë apo për ndryshim me dhunë të pushtetit.
Disa këmbëngulin se për këtë situatë nuk është faji i bashkëshortes së Assad dhe madje as i Assad-it, që garda e vjetër e konservatorëve, të cilët kërkojnë të ruajnë pushtetin, është duke bërë atë që po bën në sheshet e Sirisë dhe se çifti është në vetvete pro reformave. Por një pjesë e madhe janë skeptikë në lidhje me vlerësime të tilla, duke argumentuar se, nëse ata do të ishin me të vërtetë të betuar për të bërë reforma, atëherë ato duhet që të kishin nisur në Siri në njëfarë mënyre, ndërkohë që në të vërtetë për dhjetë vitet e fundit nuk ka pasur shenjë të tyre. Shumë njerëz mendojnë se i kanë dhënë shanse në mënyrë të vazhdueshme Assad-it dhe se ai asnjëherë nuk e ka justifikuar besimin, por në të kundërt e ka çuar dëm, bashkë me shpresat dhe kohën e njerëzve.
Ndërsa për sa i përket bashkëshortes së Assad-it, Asma-s në vend, sipas disave, ka një ndjesi të përzierë. Së pari është një lloj ndjenje krenarie për një Zonjë të Parë të pashme, elegante, të shkolluar që e përfaqëson denjësisht vendin, por njëherazi ata e ndiejnë se ajo është duke luajtur një rol jo të drejtë, atë të dhënies së regjimit të një imazhi shumë më të butë dhe tolerant nga sa është në të vërtetë dhe kjo sigurisht që për sa i përket atyre që janë jashtë vendit.
Pavarësisht krizës së madhe politike, shumë gra të reja, veçanërisht ato që i përkasin elitës urbane, ende vazhdojnë që të shprehin admirim për Zonjën e Parë. Sipas tyre, Asma është duke kryer shumë vepra të mira, si rritjen e ndërgjegjes për mjedisin për njerëzit me probleme fizike dhe të rinjtë. Por në mesin e grave aktiviste që kërkojnë ndryshime të mëdha në vendin e tyre ylli i Asmas është duke u zbehur, sepse për to, ajo është bashkëshortja e diktatorit dhe nuk mund të jetë reformatore gruaja e një njeriu që jep urdhër të vriten njerëz. (Vogue/Express)