Flamuri i çuditur nga “guximi” i Lul Bashës dhe Glorit
I pandehuri kryesor për abuzimet në rrugën Durrës- Kukës, Lulzim Basha, u paraqit dje vetë për herë të parë në Gjykatë. Flamuri u bë shumë kurioz për trimërinë e Lulit dhe mbeti duke pyetur në telefona si ka ndodhur kjo. Por i vetmi që arrin t’i japë shpjegime atij së fundmi është Bogdani.
- Vij ta them aty, - tha, - se nuk flas dot në telefon.
Pas gjysmë ore u ulën në kafe. Bogdani nisi shpjegimet.
- Ai burri ka bërë një plan, - i tha. - Plani është që, para se të nisë gjykimi i Lulit në Gjykatë të Lartë, të shkojë vendimi i Apelit që lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që gjyqi të mbyllet për arsye procedurale. Për këtë ai burri ka bërë plan që të mundësojë shtyrjen e gjyqit. Tre gjyqtarë i ka kapur dhe i ka rregullu punët. Njërin, atë që mbahej si më i egri, e kanë futur në thes. Dy të tjerë janë pro tyre vetë. Problem mbetet pjesa tjetër, por po e vëzhgojnë, - tha.
Flamuri u pre nga fjalët Bogdanit.
- Ndaj qe bërë trim ai që kishte shkuar vetë në gjykatë sot, se e dinte që ishte pushim, - tha Flamuri. Se, kur ka gjyq, dërgon avokatin. Dhe unë thashë nga i plasi gjithë kjo trimëri atij. Por kur e kanë lënë gjyqin tjetër?
- Më 10 prill.
- Ou, mos bien gjë Pashkët për 10 prill apo jo? - tha Flamuri dhe zuri të numëronte me gishta. - 1 prill dita e gënjeshtrave, 4 prill futja në NATO, 7 prill Pashkët, 10 prill Lul Basha. Qenka i ngjeshur dhjetëditëshi i parë i prillit, - tha. Kemi gjithë ato ngjarje.
- Po, po, - tha Bogdani. - Ashtu është plani. Luli do iki me atë burrin në Strasburg. Do t’i japin dorën Obamës, do dalin në foto, pastaj do shpërndajnë njëmijë foto për simpatizantë të PD që do dalin para gjykatës me foto të Lulit dhe Obamës në dorë duke thënë: “Larg duart nga Luli!”
- Mirë e ke ti, - tha Flamuri, - po duhen pyetur këta të ambasadës, se mos bëjnë ndonjë deklaratë që është keqpërdorur fotoja me presidentin dhe aq do gjykata, i hodhi hekurat në vend.
- Nuk e di, - tha Bogdani. - Ne po të themi si është plani. Po meqë ra muhabeti, kam dhe unë nja dy probleme të vogla me ty.
- Çfarë problemesh? - i tha Flamuri.
- Po ja, mua ai burri më tha që do bëhesh kryetar i Forumit Rinor të PD. Sekretar do jetë ai Qukapi, si i thoni ju. Po ai më ka marrë vulën dhe ka një javë që s’ma kthen. Po vulos e firmos gjithë ditën letra, po zgjedh delegatë që s’i njoh cilët janë dhe s’po më pyet për asgjë.
- Po a të ka thënë ai burri që do jesh kryetar? - i tha Flamuri.
- Po, ai më ka thënë, po Qukapi më ka marrë vulën dhe po bën ç’të dojë.
- Po kryetar veç një është këtu o mixhë, të tjerët kështu janë pa vulë. Vulën e mban ai që do bëjë punë e kryetarit. Ti do zgjidhesh kryetar, s’ke s’i bën dhe punën e kryetarit.
- Po kush do e bëjë punën e kryetarit?
- Punën do ta bëjë ai që do caktojë ai burri. Ai ka caktuar Qukapin, d.m.th., ai do bëjë punën e kryetarit. Atij i duhet vula. ǒpunë ke ti me vulën? Ti do kesh emrin kryetar, dhe kaq. Telashe s’do kesh, njeri s’të bie më qafë. Ai përgjigjet për gjithçka. Është shok i Shkëlzenit, e njohim të gjithë, punon në Ministri të Brendshme, çfarë do më. I ka të gjitha kushtet.
- Po ja, unë thashë të afroja ca djem e vajza të rinj, se brezi i Shkëlzenit po shkon 35 vjeç.
- S’ka problem për moshën ai burri. Mos e vrit mendjen. Ti do jesh rehat. Do quhesh kryetar dhe s’do kesh asnjë punë. ǒtë bëj unë i shkreti që nuk quhem asgjë dhe bëj gjithë punët. Ti je rehat. Pastaj te ju të rinjtë s’para ka shumë besim ai burri.
- Po mua Luli më ka sjellë, - tha Bogdani.
- Eh, po, një vend ishte për figurant, atë e ka marrë Luli, ti s’mund të punosh si figurant i figurantit, se ngatërrohet puna. Ti do kesh një kryetar të vërtetë Forumi të PD që do jetë Qukapi, kurse ti do jesh kryetari figurant. Kështu dhe kryetar je, dhe përgjegjësi nuk ke. Dëgjo mua, ka për të dalë më mirë. Shiko Glori Husin sa mirë po i shkon puna me NATO-n. Merret gjithë kohës me fabrikën e ujit që po ndërton në Dhrovjan. Një ditë e thirri ai burri, ç’po bën për NATO-n, dhe Glori u kap gafil e i tha: “Kam në plan të prodhojmë një ujë me emrin NATO që ta promovojmë me rastin e hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe këtë ujë t’ia shesim ushtrisë.”
- E shkëlqyeshme, - tha ai burri dhe thirri Argitën. - Bëj pak gati një palë dokumente për koncesion se do prodhojmë një ujë me emrin NATO. S’u ndje Glori dhe është akoma këshilltar.
- Qenka punë dreqi, - tha Bogdani, - të gjitha gjërat me gjasme. Luli gjasme shkon në Gjykatë kur e ka pushim, unë gjasme do zgjidhem kryetar forumi, por punën do ta bëj Qukapi, Glori i shkretë donte të prodhonte ujë me emrin NATO me rastin e hyrjes së Shqipërisë në NATO, por letrat do t’ia bëjnë të tjerët.
- Epo ç’t’i bësh mixhë, kështu e ka partia jonë, të tjerë punojnë, të tjerë duken, të tjerë fitojnë.