E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sekti Topalli rrezikon fitoren e PD në zgjedhje”

Nga Panorama

Intervistë me Aleksandër Biberajn, Deputet i PD, Anëtar i Kryesisë së PD

Z. Biberaj, si e vlerësoni fushatën e zgjedhjeve të reja në Partinë Demokratike?

Nuk kam informacion se si po shkon kjo fushatë në nivel kombëtar, por në përgjithësi vihet re njëfarë ngadalësimi, njëfarë topitjeje. Mungon transparenca në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë degësh, pasi kryesia qendrore nuk është mbledhur për të diskutuar dhe selektuar kandidatët që vijnë nga baza, siç edhe e parashikon statuti. Edhe vetë kandidatëve për kryetarë degësh nuk po i lihet kohë e mjaftueshme për të bërë fushatë brenda partisë.

Ka një frenim të pashpjegueshëm të fushatës së zgjedhjeve në Tiranë, e cila, duke pasur 32 deputetë në parlamentin e ardhshëm, merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo, pasi Tirana përcakton edhe fituesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pra edhe qeverisjen e ardhshme. Nga përvoja 18-vjeçare e zgjedhjeve rezulton se, kush ka fituar Tiranën, ka fituar Shqipërinë. Në këto kushte do të gjykoja se fushata e zgjedhjeve në Tiranë duhet të vazhdojë pa humbur kohë, në mënyrë që PD e Tiranës të ketë një lidership të ri, që të jetë i aftë dhe me autoritet për të na çuar drejt fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit. Para 4 vitesh premtuam se zgjedhjet e këtij viti në parti do të bëheshin me parimin “Një anëtar, një votë”, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Megjithëse jemi vonë, por, përderisa rregullat e lojës për zgjedhjen e kreut të PD Tiranë nuk janë përcaktuar akoma, gjykoj se, nëse ka vullnet politik, mund të aplikohet ky parim (Një anëtar, një votë), duke u nisur, jo vetëm nga rëndësia e PD Tiranë, por edhe me qëllim që të fillojmë zbatimin e këtij parimi. Parimi “Një anëtar, një votë” është më demokratiku, i cili zbatohet, si nga Partia Republikane, dhe ajo Demokratike në SHBA, por edhe nga të gjitha Partitë Popullore Evropiane. Në të njëjtën kohë gjykoj se duhet të fillojmë përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të PD, i cili zgjedh edhe organet e reja drejtuese, shpalos platformën elektorale dhe përgatit partinë për zgjedhjet e 28 qershorit. Kongresi siguron gjithashtu edhe rinovim, dhe rotacion të elitës politike të PD, aq i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të fituar zgjedhjet e 28 qershorit, pasi një pjesë e elitës politike është konsumuar në mënyrë të pariparueshme. Në fund do të thoja se, nëse duam një fitore në zgjedhjet e 28 qershorit, duhet që strukturat e PD nga qendra në bazë, të cilat janë në një gjumë të thellë letargjik të zgjohen, dinamizohen, motivohen, dhe orientohen për fitore, pasi koha po kalon.

Si i gjykoni rezultatet e fundit të sondazheve të “Zogby International”, ku PD del parti e dytë pas PS?

Mendoj se sondazhet nuk bëhen edhe aq për t’u gjykuar se sa për t’u lexuar. Nga leximi më rezulton se ne, si PD, duhet të bëjmë korrigjime, përmirësime dhe ndryshime të thella para zgjedhjeve, më qëllim që t’i fitojmë zgjedhjet.

Është folur për ekzistencën e klaneve ose grupimeve në PD. Cila është e vërteta, sipas jush?

Në çdo parti ose organizatë, ku njerëzit anëtarësohen ose inkuadrohen, është normale që të ketë mendime, ide apo vizione të ndryshme, gjë që natyrisht mund të sjellë edhe ekzistencën e grupimeve apo lobingjeve brenda tyre. Nëse këto grupime kanë si bazë zhvillimin dhe demokratizimin e partisë dhe kanë një debat konstruktiv, mendoj se kjo është një gjë pozitive. Asnjëherë nuk duhet pretenduar që të gjithë ata që anëtarësohen në një parti ose organizatë do të jenë dakord qind për qind të kohës me vendimmarrjen dhe strategjinë e lidershipit, pasi kjo ndodh vetëm në diktaturë. Realisht, sot, në PD nuk ka grupime të bazuara në prejardhje, origjinë apo trashëgimi, të cilat mund të gjeneronin një debat konstruktiv brenda partisë, ndërkohë që ka individë potencialë, të cilët dëshirojnë të ketë një debat të shëndoshë dhe konstruktiv brenda partisë.

Sot në PD, përveç linjës zyrtare, fatkeqësisht ka edhe një linjë tjetër që përfaqësohet nga një grup i ngushtë individësh, të cilët dirigjohen nga kryetarja e parlamentit, dhe në shumë raste linja e këtij grupi etiketohet si linjë zyrtare e PD. Ky grupim ka pikëpamje, filozofi dhe qëllime të ndryshme nga pikëpamjet, filozofia dhe qëllimet e PD, lidhet në bazë të interesave personale dhe është totalisht i shkëputur nga elektorati demokrat. Po t’i referohemi fjalorit të gjuhës shqipe, një grupim i tillë quhet “Sekt”. Siç dihet, “Sekti” merr emrin e liderit të tij, kështu që në rastin konkret kemi të bëjë me “Sektin Jozefinë” ose “Sektin Topalli”. Ky “Sekt” që përfaqëson një pakicë në PD, ka si qëllim kryesor pushtetin absolut dhe pasurimin nëpërmjet tij. Për të realizuar qëllimet e veta, ky “Sekt”, jo vetëm që po keqpërdor dhe abuzon me pushtetin që i është dhënë nga demokratët më 3 korrik 2005, por po përdor edhe çdo mjet tjetër jodemokratik, joinstitucional dhe jo-etik, si dhe një makineri të tërë shpifjesh, mashtrimesh, intrigash, prapaskenash, si dhe sulmesh të paprincipta, me qëllim likuidimin apo goditjen e çdo personi që nuk është anëtar apo shërbëtor i “Sektit”. Zakonisht “Sektet” dalin më vete me ideologjinë e vet dhe shkëputen nga partia mëmë, por me “Sektin Jozefinë”, po vihet re një dukuri e paparë më parë: transformimin e sektit në partinë mëmë. Që nga viti 2005, kur PD erdhi në pushtet dhe deri sot, ky “Sekt” është përpjekur të shtrijë rrjetin e vet gjithandej dhe tani po përpiqet të finalizojë strategjinë e vet, duke synuar të komandojë gjithkënd, gjithçka dhe gjithkund. Tani që jemi në fushatën e zgjedhjeve të reja në PD, “Sekti” po përpiqet që të privatizojë partinë, duke synuar të vendosë ithtarët e vet gjithandej, gjë që do të përpiqet ta bëjë edhe me listën e deputetëve për zgjedhjet e 28 qershorit. Natyrisht që në realizimin e qëllimeve të veta, por edhe duke i dhënë një kosto shumë të lartë PD, “Sekti” në planin e jashtëm është armiqësuar me botën demokratike dhe institucionet ndërkombëtare, ndërsa në planin e brendshëm është armiqësuar me institucionet shtetformuese dhe me bazën e partisë, të cilën nuk e ka përfillur fare gjatë këtyre 4 viteve. Strategjia e tyre në këtë prag-fushate është më se e lexueshme, pasi futen në fushatën e zgjedhjeve, duke pasur barazimin në xhep.

Nëse fiton PD, do të synohet qeverisja e vendit, çfarë nënkupton vazhdimin e shfrytëzimit të pushtetit për interesat e tyre; nëse PD humbet zgjedhjet, ata nuk e kanë për gjë që të fajësojnë dhe të bëjnë përgjegjës për humbjen lidershipin e PD, dhe pastaj të përpiqen që të marrin në tavolinë lidershipin e PD. Ne, si anëtarë të kësaj partie, kemi disa ideale që na bashkojnë dhe disa ide që na ndajnë, por për asnjë moment diferencat në ide nuk duhet të përçajnë partinë, kur vjen puna për qëllimin final, fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, me qëllim vazhdimin dhe implementimin e reformave demokratike. Ne, anëtarët e PD, nuk mund të futemi në një kosh me “Sektin Topalli” dhe në asnjë mënyrë nuk duhet që “Sekti Jozefinë” të unifikohet me PD. Ky 4-vjeçar tregoi mjaftueshëm se ky “Sekt”, përveç interesave personale për pushtet dhe pasurim, nuk ka asnjë lidhje tjetër me PD dhe demokratët.

Pse është lejuar për kaq gjatë një sjellje e tillë në PD dhe pse nuk ka pasur reagime nga grupi parlamentar ose z. Berisha?

Kur diçka negative ndodh, në fillim nuk beson që po ndodh, pastaj mundohesh ta ndryshosh apo korrigjosh, dhe në fund s’të mbetet gjë tjetër veçse ta denoncosh, dënosh dhe luftosh. Në parti ka ekzistuar dhe ekziston që prej 4 vitesh një paralizë institucionale për të analizuar, debatuar, rregulluar dhe dënuar të keqen dhe përqafuar të mirën. Ky fenomen tepër negativ, fatkeqësisht është lejuar që nga maja deri te baza e partisë. Heshtja ndaj këtij fenomeni nënkupton mosdije ose mbështetje. PD tani ndodhet para një zgjedhjeje historike që do këtë efekt për vitet në vazhdim, pasi reformimi i saj dhe pastrimi i radhëve të saj nga individë që i japin asaj imazhin e keq apo tentojnë ta kthejnë atë në një parti-sekt është kusht për fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mendoj që ka ardhur koha që ne, demokratët, të bëjmë një analizë brenda vetes, tani sa nuk është vonë, përpara zgjedhjeve të 28 qershorit.

Debati i shëndoshë vetëm do të forcojë PD dhe do të krijojë kushte për të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit. PD është një forcë e madhe politike që ka bërë shumë gjëra pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk duhet në asnjë mënyrë që gabimet, emri i keq apo imazhi negativ i disa individëve të caktuar, të përcaktojnë se cila është PD. PD e vërtetë është PD e mijëra e mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve demokratë, të cilët kanë sakrifikuar gjithçka gjatë 8 viteve të vështira të qëndrimit në opozitë, me qëllim që PD të vinte në pushtet, dhe kur PD erdhi në pushtet, ata u lanë rrugëve nga këta individë. Anëtarët dhe simpatizantët e PD nuk mund të pajtohen me këta individë, nuk mund të unifikohen me ta dhe as të përfaqësohen më prej tyre. PD duhet patjetër të bëjë një vetëpastrim dhe filtrim të hollësishëm para zgjedhjeve të 28 qershorit, përndryshe këta individë me veprimet apo mosveprimet e tyre do të sjellin një bllokim dhe paralizë të partisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›