Palët ishin në sallë, Gjykata e Lartë shtyn sërish çështjen Basha
Vendimi për nisjen apo jo të procesit gjyqësor ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që akuzohet për shpërdorim detyre dhe favorizim në tenderë gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, do të jepet më 10 prill. Ka qenë ky vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila pritej që të shprehej dje për këtë çështje. Shkak për shtyrjen e marrjes së vendimit ka qenë fakti se dita e djeshme ka qenë zyrtarisht pushim.
Kur pritej që ditën e djeshme Gjykata e Lartë të jepte vendimin në lidhje me nisjen apo jo të procesit gjyqësor ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pavarësisht se në sallën e gjyqit janë paraqitur si pala e akuzës, ashtu dhe ajo e mbrojtjes, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka caktuar datën 10 prill për dhënien e vendimit. Kjo është argumentuar nga ana e gjykatës me faktin se dita e djeshme zyrtarisht ka qenë pushim. “Gjykata nuk funksionon ditën e sotme, pasi është caktuar pushim zyrtar për institucionet shtetërore”, - ka qenë argumenti zyrtar i Kolegjit Penal. Ky argument ka shkaktuar edhe reagimin e mbrojtësve të dy të pandehurve, Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, të cilët kanë replikuar me përfaqësuesit e organit të akuzës. Avokatët mbrojtës janë shprehur të irrituar me faktin e mosdhënies së vendimit nga ana e gjykatës, kur të gjitha palët kanë qenë të pranishme në sallën e gjyqit. Gjatë seancës së djeshme, e cila ka zgjatur vetëm pak minuta, në sallën e gjyqit ka qenë i pranishëm edhe ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha, si dhe ish-vartësi i tij, Andi Toma. Prokuroria e Përgjithshme, më datë 5 dhjetor të 2008 vendosi të mbyllë fazën hetimore dhe të dorëzojë dosjen penale për gjykim pranë Gjykatës së Lartë ndaj këtyre të fundit, që janë të akuzuar për abuzime gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Sipas akuzës, dy të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tender apo ankand publik”, duke i sjellë dëm shtetit shqiptar në një shifër rreth 230 milionë euro. Këto vepra penale janë konstatuar gjatë hetimit të përgatitjes së tenderimit dhe shpalljes fitues të firmës që po ndërton segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e financuar nga buxheti i shtetit.
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pretendon se prokuroria nuk i ka vënë në dispozicion dosjen me akuzat ndaj tij. Për këtë arsye, Basha ka kërkuar nga ana e gjykatës pushimin e çështjes në ngarkim të tij. Por, pretendimi i tij është hedhur poshtë nga ana e prokurorit Arben Kraja, i cili thotë se ministrit dosjet hetimore ia ka dërguar me anë të postës. Por, në të njëjtën ditë që dosjet kanë mbërritur në Ministrinë e Jashtme, vartësit e Bashës i kanë kthyer pas ato, duke i lënë në shkallët e prokurorisë. “Dosjet janë dërguar me postë, por persona nga Ministria e Jashtme i kanë hedhur sërish ato para dyerve të prokurorisë”, - bëri të ditur disa ditë më parë prokurori Kraja. Ndërkohë, Basha shprehet se këto janë fabula të prokurorisë dhe nuk ka ndërmend të merret me to, por do të presë vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin ose jo të çështjes. Sakaq, kërkesa e Bashës për pushimin e çështjes në ngarkim të tij është bazuar edhe në vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në kryeqytet, që i kanë cilësuar si të paligjshme veprimet e prokurorisë pas datës 6 nëntor, datë në të cilën përfundonin zyrtarisht hetimet për dosjen Durrës-Kukës.
Avokati i ish-ministrit të Transporteve, Zef Nikaj, thotë se, dërgimi i fletëthirrjes, komunikimi i akuzës Lulzim Bashës, kërkesa për gjykim dhe çdo akt tjetër i shpallur pas datës 6 nëntor 2008, janë të pavlefshme. Për këtë arsye, ai kërkon që klienti i tij të mos konsiderohet i pandehur, si dhe të pushohet çështja. Megjithatë, pavarësisht pretendimeve të Bashës dhe mbrojtësit të tij, vendimet e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Dytë në kryeqytet nuk mund të kenë fuqi, pasi Lulzim Basha është anëtar i Këshillit të Ministrave dhe parlamentit. Për këtë arsye, sipas prokurorisë, e cila i referohet ligjit, e vetmja gjykatë që mund të shprehet në lidhje me këtë çështje është vetëm Gjykata e Lartë. Tashmë do të jetë data 10 prill, në të cilën Kolegji Penal do të vendosë, nëse do të hapet procesi gjyqësor ndaj Lulzim Bashës apo do të pranojë kërkesën e avokatit të tij për pavlefshmëri të veprimeve të prokurorisë.