Thellohet deficiti buxhetor, për dy muaj shkon në 64 milionë dollarë
Ulja e të ardhurave ose mosrealizimi i mbledhjes së tyre në dy muajt e parë të këtij viti me rreth 40 milionë dollarë është shoqëruar në anën tjetër edhe me tejkalim të shpenzimeve qeveritare, gjë që e ka bërë më të vështirë mbulimin e deficitit buxhetor. Thellimi i deficitit të buxhetit tej parashikimeve që në muajt e parë të vitit është kthyer në një problem më vete, i cili rrezikon të shfaqë të tjera probleme të treguesve ekonomikë të vendit. Ministria e Financave bën me dije se shpenzimet kanë qenë më të mëdha sesa parashikimi i tyre buxhetor në disa zëra. Konkretisht, të dhëna të Ministrisë së Financave saktësojnë se zërat bazë të tejkalimit të shpenzimeve gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë ato të fondit të pensioneve dhe të pagave, dhe zëri i subvencioneve shtetërore. Në dy muajt e parë shpenzimet për kontributet e sigurimeve shoqërore janë tejkaluar ndjeshëm kryesisht për shkak të mbledhjes së të ardhurave në nivel të ulët krahasuar me parashikimet. Edhe shpenzimet për pagat janë tejkaluar në dy muajt e parë me respektivisht 18 dhe 19%. Subvencionet janë tejkaluar edhe ato në këto kuota përafërsisht. I tërë hendeku buxhetor për shkak të mosmbledhjes së të ardhurave në dy muajt e parë dhe për shkak të tejkalimit të shpenzimeve kap vlerën e 64 milionë dollarëve, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Shpenzimet për investime nuk janë tejkaluar, por janë shpenzuar në përputhje me parashikimet e buxhetit të shtetit, ndonëse ato kanë shkuar në masën e mbi 85% për rrugën Durrës-Kukës. Prokurimet për rrugët për projektet e tjera të investimeve nuk kanë përfunduar dhe me sa duket kjo është arseja pse shpenzimet për investime kanë shkuar thuajse që të gjitha në një projekt të hapur, siç është ai i rrugës Durrës-Kukës. Futja e vendit në një situatë të vështirë ekonomike e ka të nevojshme shumë më tepër tani mosthellimin e deficitit të buxhetit. Ajo që mund të bëjë qeveria është të ruajë në kufijtë e parashikuar shpenzimet qeveritare në mënyrë që deficiti të mos thellohet. Shpenzimet qeveritare është e qartë se do të tejkalohen për shkak të faktit që viti i tashëm është një vit zgjedhjesh dhe qeveritë përgjithësisht për këtë shkak i rrisin shpenzimet.