E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, fatura 723 milionë

 

BLEDAR HOTI

Me 7 vota pro KQZ-ja miraton buxhetin për përballimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Shifra e përllogaritur nga ana e KQZ-së ka një faturë prej 723.334.259 lekësh ose një kosto prej 228 lekësh për zgjedhës. Në buxhetin e detajuar pjesa më e madhe e buxhetit, 1/3 e fondit shkon për pagat e shpërblimet e komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta, si dhe për investimet. Një fond të rëndësishëm zë edhe projekti për instalimin e kamerave të reja, që do të monitorojnë procesin e numërimit të votave. Për këtë projekt shuma shkon në 203.499.054 lekë. Në këtë buxhet nuk janë përfshirë fondet që përfitojnë partitë politike për fushatën elektorale të 28 qershorit.  Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani në diskutimin e tij para anëtarëve i ftoi që ta miratojnë buxhetin, pasi administrata është munduar që të kursejë paratë e taksapaguesve. “Buxheti për zgjedhjet është më i vogël në krahasim me atë që është shpenzuar në zgjedhjet lokale të 2007 dhe ato parlamentare të vitit 2005. Ju ftoj ta votoni projektbuxhetin e paraqitur”, deklaroi Ristani. Shifra e propozuar nga ana e KQZ-së është 1.3 miliardë lekë të vjetra më shumë se sa ka parashikuar qeveria në buxhetin e vitit 2009. Këshilli i Ministrave ka parashikuar që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shpenzohen jo më shumë se 6 miliardë lekë të reja. Por në projektin e KQZ-së një pjesë të mirë të fondit e merr projekti i kamerave, i cili shkon në mbi 2 miliardë lekë të vjetra. Fondi për KZAZ-të është 32.670.000 lekë, ndërsa për KQV-të 141.600.000 lekë, ndërsa për GNV-të shkon në 16.896.000 lekë. Në total janë parashikuar të shpërblehen 41.744 anëtarë komisioneve. Ndërsa fondi për trajnuesit e komisionerëve është 10.593.00 lekë. Projekti i kamerave ka qenë më i debatueshmi në mbledhjen e KQZ-së. Shkak për këtë është bërë mungesa e një projekti të qartë të të gjithë procesit. Vetë KQZ-ja kishte parashikuar një fond shtesë në buxhet prej 203.499.054 lekësh dhe një fond rezervë prej 10%. Nëse shifra e llogaritur shkon në 1.140.190 euro, bashkë me 10% të fondit rezervë shkon në 1.505.050 euro. Kryetari i KQZ-së, Ristani u shpreh se: “Vetëm për shërbimin e procesit të kamerave ka marrë një ofertë nga firma spanjolle INDRA, që shkon në 5 milionë euro”. Pas kësaj deklarate, përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj ka reaguar duke theksuar se t’i bëhet kërkesë qeverisë, që të akordojë një fond prej 5 milionë eurosh, me qëllim që të realizohet një proces i tillë. “Ju vetë si KQZ duhet t’i kërkoni këto fonde, sepse pamundësia e realizimit do t’ju vërë përpara përgjegjësisë dhe drejt dështimit”, deklaroi Gjonçaj. Anëtari Osmanaj ka kërkuar të dijë se pse është shtuar një 10 përqindësh si fond tepër. Në lidhje me këtë eksperti i KQZ-së, Gjokutaj theksoi se “kemi shtuar një fond rezervë për të pasur sukses, pasi jemi në një terren të panjohur”. Ndërsa anëtari Osmanaj kishte rezerva për dietat e personave që do të trajnojnë komisionerët, por kjo çështje u mbyll me konsensusin e anëtarëve.

SHPENZIMET BUXHETORE PER ZGJEDHJET 2009 (në lekë)

I    PAGAT                        245.003.063
1    Pagat e punonjesve me punesim
    te perkohshem ne KQZ                16.512.143
2    Pagat e specialistëve me punesim
    te perkohshem ne KQZ                25.491.920
3    Shperblimi i anetareve te KZAZ-ve, KQV-ve,
    GNV-ve, ZR, trajnuesve te KZZ,KQV,GNV    202.999.000

II    MALLRA                     102.505.035
1    Materiale (prodhime specifike), import         72.293.579
2    Materiale  (prodhime specifike), brenda vendit     22.291.228
3    Materiale te pergjithshme zyre            7.920.228

III    SHERBIME                    147.957.000
1    Sherbime transporti                12.132.000
2    Sherbime udhetim e dieta            52.842.000
3    Sherbime per mediat elektronike
    dhe te shkruara (trajnime)            2.760.000
4    Sherbime ambiente me qira            13.950.000
5    Sherbime te tjera dhe karburanti            22.080.000
6    Sherbime per mediat elektronike dhe te
    shkruara (edukim, informim, sensibilizim)     44.193.000

IV    INVESTIME                    219.146.554
1    Orendi dhe pajisje zyre                15.647.500
2    Projekti i kamerave                203.499.054
       
TOTALI                        714.611.652

Fletët e votimit  33 milionë lekë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka parashikuar prodhimin e 3.236.212 fletëve votimi. Sipas relacionit të paraqitur në buxhet çmimi i parashikuar për një fletë votimi është 10.09 lekë, është bazuar në çmimin faktik të prodhimit të një flete votimi për zgjedhjet e Kuvendit të kryera në korrik të vitit 2005. Fondi i parashikuar për prodhimin e fletëve të votimit është afërsisht 33 milionë lekë. KQZ-ja ka parashikuar që në këtë rast të prodhojë 2 për qind fletë votimi më shumë sesa numri i zgjedhësve, duke zbatuar Kodin Zgjedhor. Sipas relacionit, numri i zgjedhësve është 3.172.757, në zbatim të Kodit, KQZ-ja do të prodhojë 63.455 fletë më shumë votimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›