Flamuri merr udhëzime të këshillojë Aldo Bumçin
Pas dorëheqjes nga Forumi Rinor, Flamuri u ndje dje i qetë. Më në fund tani është vetëm numri 2 i partisë dhe jo edhe numri 2 i rinisë. E pengonte pak ajo puna e Forumit, pasi talleshin ato gocat, sa herë mblidhej Forumi dhe i thoshin xhaxhi Flamuri.
Madje tani së fundi për t’u tallur dhe më shumë i flisnin xhaxhi Feim. Tani përkushtimi i tij i vetëm është partia dhe punët e qeverisë që i lë ngarkim ai burri. Dje e mori në telefon nga Davosi. I tregoi gjëra të bukura shumë. Kishte takuar këshilltaren financiare të fushatës së Obamës.
- Ishte grua shumë e mirë, - i tha Flamurit. - I shpjegova gjithë suksesin tonë dhe rritjen ekonomike. U trondit shumë, - tha, - dhe filloi të mbante shënime. I thashë t’ia rekomandojë presidentit Obama sfidën tonë për taksën e sheshtë dhe më dha fjalën se do t’i thoshte. I thashë, e kemi marrë nga “Forbes”, por e kemi zbatuar në mënyrë origjinale. I tregova që kur ia shpjegova presidentit Bush këtë gjë, u mahnit. I tha stafit të vet: “Si s’u vjen zor, ky po e zbaton në Shqipëri, ne nuk e zbatojmë dot në SHBA.” U kënaq shumë ajo gruaja dhe më premtoi që do t’ia përcjellë Obamës. Takova dhe Klintonin. Ishte plakur shumë. Është më i ri se unë, po ishte plak. E përshëndeta. Me zor u kujtua se është plakur shumë Flamur, nuk mban mend, po unë ia kujtova emrin. U kujtua. “Aha, - tha. - Tani ne pensionistët këtë punë kemi, vijmë në këto forumet kot.”
- Jo, i thashë, nuk jam pensionist, jam prapë kryeministër.
U çudit shumë. “Po pse je bërë prapë vetë, - më tha, - pse s’bëre gruan ose ndonjë fëmijë.”
I thashë që më ndihmojnë fëmijët, por janë moshe e re dhe thashë që formalisht të jem vetë. Po fëmijët më ndihmojnë. Flamur, ishte plakur shumë, më erdhi keq për të. Nuk më mbante mend.
Tani Flamur, pse të mora unë. Pse të mora, pse të mora, ah, po. Dëgjo, të mora se shiko.. Flamur këtu kam pas takime të shkëlqyera. Kam taku, kë s’kam taku. Kam taku këtë të Bashkimit Evropian, ... ah po, pse të mora, shiko... tako pak Aldo Bumçin, se e ka zënë paniku dhe thotë nuk dal në garë pa mbështetje. Tregoji që punët i ka të rregulluara dhe do fitojë 76 për qind. Jo, aq do fitojë se meriton. Do lëmë dhe Lajlën në garë. Jo, duhet një grua, e kemi vendos atë. Aldo dhe një grua, si të duken ty...?
- Shumë mirë, - tha Flamuri, - një grua, një burrë...
- Po pra, atë them dhe unë. Se Aldo është njeri i mirë, shumë i butë, si grua është, dhe kjo Lajla është grua e zonja, shumë e fortë, si burrë është.
- Po pra, atë them dhe unë, - tha Flamuri, - shumë mirë janë.
- Shumë mirë Flamur, ndihmoje pak. Dëgjo, i thuaj që ka mbështetjen time të plotë për çdo veprim të tij. Të mobilizojë pak dhe njerëzit e vjehrrës. Kam pas respekt shumë për vjehrrin e tij. Ti e di sa e kam dashtë Safetin. Ma prishi më ’97, se ma trembën dhe iku... por e kam dashtë shumë. U kthye dhe ca kohë qëndroi si burrë. Po pastaj m’u tremb prapë. Më kandidoi dy herë kundër. Po ka qenë burrë i mirë. Kam pas respekt për të. U gëzova shumë që Aldo paksa kërkuar mbështetjen time për të fituar. U preka sinqerisht. Duhet me e mbështet atë patjetër.
- Patjetër do ta mbështesim, - tha Flamuri. – Ja, do ta thërras sot dhe t’i jap udhëzimet. Nuk di ç’të bëj me këtë Bojaxhiun, se më thotë kam mbështetjen e doktorit çdo ditë.
- Jo Flamur, ai është djalë i mirë, por duhet të japë prova. Ka dhënë prova, nuk është se s’ka dhënë. Është i vetmi nga këta që ka ndihmuar Fazlliçin. Ia kam çuar dhe Besnik Mustafajt, por s’e ka pritë në zyrë. Dhe përse, për një pasaportë diplomatike e zboi. Nuk ia dha, dhe nuk ia dha. Janë njerëz meskinë këta. Jo, Bojaxhiu ka treguar zemër të hapur. I thashë ndihmoje, se ka ca energji për të shitur, e ndihmoi deri në fund. Por prova duhet të japë. Jo, përballja është e nevojshme. Duhet të japë prova. Nuk është mirë ta kalojë pa dhënë prova. Aldo është mirë, e fiton vetë. S’ka nevojë për njeri. Dhe Lajla është mirë. Del vetë e dyta. Ika tani. Kam takime shumë të rëndësishme këtu. Të gjithë vijnë më kërkojnë mend mua, si t’ia bëjmë ne që gjitha bota ka rënie, ne kemi ngritje. Nuk arrijnë të na kuptojnë, interesant. I kam ditë të mençur ca prej tyre, por është dramë e madhe. Të gjithë pyesin si do kalojë kriza, nuk u mbushet mendja që ne po luftojmë për rritje dyshifrore. Të përshëndes. Natën e mirë.