Bano: Jam takuar me bandën e Lushnjës
BURREL/ HASAN PASHA
“Nuk kam lidhje me bandën e Lushnjës. Ata më kanë vrarë njerëz të afërm dhe nuk mund të mbaja kontakte me ta”. Ilir Bano, deputeti i PD-së i zgjedhur në Lushnjë ka shpjeguar nga Burreli arsyet pse emri i tij u përmend nga një dëshmitar i bandës famëkeqe në seancën gjyqësore dy ditë më parë. Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat ka reaguar një ditë me vonesë pas interesimit për rrethanat e njohjes dhe kontaktet me anëtarë të bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti. Nëse një ditë më parë Bano nuk pranoi të fliste për gazetën “Panorama” rreth thënieve të një dëshmitari në gjyqin e bandës së Lushnjës, ai dje u njoh po nëpërmjet kësaj gazete me pohimet e Pëllumb Meçes dhe foli rreth pozitës së tij dhe kontakteve, që ai ka pasur me përfaqësues të bandës kriminale. Gjatë fjalës së mbajtur më parë me rastin e 18-vjetorit të krijimit të PD-së në Burrel, ai në një farë mënyre u tregoi të pranishmëve se nuk kishte lidhje me bandat, kur deklaroi se “kjo qeveri shpartalloi disa banda kriminale në vend”. Pas tubimit që zgjati pak në Pallatin e Sportit të qytetit, Bano pranoi të fliste rreth kërkesës së Gjykatës së Krimeve të Rënda për ta thirrur atë në një nga seancat, që do të zhvillohen rreth aktivitetit të Bandës së Lushnjës. “Nëpërmjet gazetës tuaj po njihem me thëniet e një dëshmitari në gjyqin e bandës së Lushnjës dhe me kërkesën e gjykatës për t’u paraqitur në gjyq si dëshmitar. Sapo të marr njoftimin nga Gjykata e Krimeve të Rënda do të paraqitem në seancën gjyqësore dhe do të qartësoj pozitën time në ato ditë të vështira për banorët e Lushnjës”. Deputeti demokrat nuk iu referua gjatë dëshmitarit Pëllumb Meço, por deklaroi se: “Nuk kam pasur kurrfarë lidhje me Bandën e Lushnjës. Kjo bandë, ka saktësuar Bano, i ka vrarë atij njerëz të afërm e për pasojë nuk kishte se si të mbante lidhje apo kontakte me të. Pjesëtarë të bandës janë parë në rrugët e qytetit duke shëtitur me koka të prera të qytetarëve të Lushnjës”. Ligjvënësi Bano nuk mohoi të kishte pasur replika me pjesëtarë të “Bandës së Lushnjës”. “Megjithëse nuk i përkisja krahut politik të bandës unë jam takuar me përfaqësues të saj, por jo në mjediset ku shprehen dëshmitarët. Në afërsi të godinës ku thuhet se ishte qendra e bandës unë jam takuar fare shkurt me pjesëtarë të bandës dhe u kam thënë atë që thuhet mjaft qartë në gazetën tuaj: “Unë jam deputet i Partisë Demokratike dhe jo deputeti juaj”. Deklaroj publikisht, - vijoi deputeti i PD-së, - se nuk kam pasur asnjë lidhje me bandën vrastare. Së pari, sepse kjo bandë më ka vrarë njerëz të afërm të familjes dhe së dyti ne si parti nuk kishim lidhje me të”.
Bano ripërsëriti në prononcimin e tij se nuk e kishte aspak problem të paraqitej në gjykatë dhe të qartësonte pozitën e tij në “marrëdhëniet me bandën e Lushnjës”. “Nuk e kam fare problem të paraqitem në gjykatë. Do të deklaroj këto që ju thashë edhe juve, nuk kam pasur asnjë lidhje me bandën dhe pjesëtarët e saj, por njëkohësisht nuk u jam bindur dhe nuk kam mbajtur asnjë lidhje me të”. Sipas Banos janë individë të caktuar që kërkojnë të ngrenë akuza të pasakta rreth qëndrimit të tij ndaj “Bandës së Lushnjës”, pa përmendur emra apo arsyet që mund t’i kenë shtyrë ata sipas deputetit.
Emri i deputetit të PD-së, Ilir Bano, u përmend në seancën e së premtes për të akuzuarit e bandës së Lushnjës, nga një prej dëshmitarëve në seancë. Ai pohoi se Bano kishte qenë prezent 10 vjet më parë në të njëjtën godinë ku qëndronte dhe miku i Aldo Bares, Arben Boriçi. Mes tyre, sipas dëshmitarit u bë debat, pasi Boriçi kërkonte pasqyrimin në gazetë të bandës, si mbrojtëse e qytetarëve lushnjarë.
Katuçi i kërkon ndihmë Banos për Del Ponten
BURREL - Kishte zbritur nga Gurra në qytetin e Burrelit për të takuar drejtuesit e lartë të PD-së, 74-vjeçari Abdulla Katuci. “Kam ardhur të takoj ndonjë zyrtar të Partisë Demokratike”, tha para tubimit Katuçi. - Kam dërguar shumë letra dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Më thanë se do të vinte kryetarja e Kuvendit dhe erdha ta takoj, t’i kërkoj ndihmë pasi ende nuk kam gjetur mbështetje nga qeveria dhe institucionet e shtetit rreth akuzave të pabaza të Del Pontes”, tha plaku nga Gurra. Sapo mbaroi ceremonia zyrtare dhe nisi kokteji me rastin e përvjetorit, Katuçi gjeti momentin dhe u takua me Ilir Banon. I la në dorë një zarf dhe i kërkoi shkurt e prerë: “Kam qenë prej vitesh mbështetës i kësaj partie, por prej kohësh nuk kam gjetur mbështetje për hallin që më ka gjetur. I kam dërguar letra Presidentit, Kryeministrit, Prokurores së Përgjithshme dhe Avokatit të Popullit, por asnjëri nuk më ka dhënë një përgjigje. Të lutem dërgoja këtë letër Sali Berishës, të njihet me shqetësimin që kam”. Bano mori letrën e Katuçit dhe premtoi se ajo do të mbërrinte në destinacion. h.p
Kapoja i bandës
Procesi gjyqësor kundër Aldo Bares, i akuzuar si drejtues i bandës së Lushnjës, ka mbetur i ngrirë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për shkak se i pandehuri është arrestuar tre vjet më parë në Turqi, ndërsa autoritetet e këtij vendi nuk kanë marrë një vendim lidhur me ekstradimin. Procedurat e ekstradimit dhe konfirmimet për pëlqimin apo refuzimin e pjesëmarrjes në gjyq, janë bërë shkak, që gjykata të ndajë pjesën e fashikullit që akuzon Aldo Baren dhe të presë që gjykimi i saj të fillojë, pasi çështja e ekstradimit të marrë një zgjidhje ligjore. Megjithatë, nga burime zyrtare konfirmohet se procesi të rifillojë në gjysmën e dytë të muajit shkurt me shqyrtimin e kërkesave të palëve në proces.
“Ushtari i Bares kërkoi mbështetje nga deputeti”
TIRANE – Pëllumb Meço, dëshmitari i thirrur në gjykatë nga prokuroria tha tri ditë më parë, se kur ishte rrëmbyer nën kërcënimin e armëve nga “ushtarët” e Aldo Bares dhe ishte dërguar në ambientet e komisariatit nr.2 të krijuar nga banda e Lushnjës, ka dëgjuar aty një debat mes të pandehurit Arben Boriçi dhe deputetit Ilir Bano. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk u paraqitën të dhëna të tjera nga dëshmitari Pëllumb Meço, i cili gjithsesi sqaroi se kishte përfunduar aty për shkak se vëllai i tij kishte konflikt me bandën e Aldo Bares, ngaqë kishte fituar tenderin për pastrimin e qytetit. Më poshtë, ribotohet e plotë dëshmia e Pëllumb Meços siç është paraqitur në Gjykatën e Krimeve të Rënda tri ditë më parë.
DËSHMIA E MEÇOS
Viti 1999 e ka zënë atë si punonjës bashkiak për mbledhjen e taksave të tregut të lirë, ndërsa vëllai i tij Zyber Meço ishte drejtuesi i ndërmarrjes, që merrej me pastrimin e qytetit. Duke pohuar herë pas here dje, se deklarimet e tij i kishte dhënë 2 vjet më parë ai rrëfeu përpara togave të Krimeve të Rënda se: “Zyber Meço është vëllai im. Në maj të vitit 1999 kam qenë në Lushnje. Ka ardhur Arben Boriçi, Arjan Aliço dhe Maksim Çela tek banesa ime. Na kanë marrë mua dhe vëllanë me një makinë të bardhë të blinduar. Na morën nën kërcënimin e armëve dhe na çuan tek Komisariati Nr.2 i Lushnjës. Me “Komisariati Nr.2” në Lushnje njihej një godinë ngjitur me Komisariatin e policisë së qytetit që përdorej nga banda e Lushnjës. Kur jemi futur aty kam parë deputetin Ilir Bano dhe Ylli Sefën, kryetarin e Partisë Demokratike të Rrethit Lushnje. Unë aty kam dëgjuar një debat midis Ilir Banos dhe Arben Boriçit. Boriçi i thoshte Banos “Përse nuk shkruan në gazetë për ne? Përse nuk shkruan që ne kemi ndihmuar dhe mbrojtur vajzat e Lushnjës, që ne kemi ndaluar vjedhjet në Lushnje”. Ndërsa Bano i përgjigjej duke i thënë se “Unë jam deputet i Partisë Demokratike dhe jo deputet i juaji”. Unë personalisht nuk e kam kuptuar ndonjëherë se pse na morën atje. Gjatë kohës që na mbajtën aty brenda Ben (Arben) Boriçi foli disa herë në telefon nga një telefon fiks dhe thoshte “shef, shef”, si edhe përmendte emrin “Fredi, Fredi”. Unë nuk e di se për kë shef, apo për kë Fredi e kishte fjalën. Nuk munda të kuptoj asgjë nga ato që i thoshte shefit. Gjatë kohës që ndenjëm në ato ambiente ndaj nesh nuk u ushtrua dhunë fizike, por jemi kërcënuar disa herë me fjalë. Arjan Aliço i thoshte vëllait tim “Do të kënaqen krimbat me barkun tënd”. Unë nuk dija të kisha ndonjë problem me ta. Në atë kohë vëllai im ishte biznesmen. Kishte një ndërmarrje që merrej me pastrimin e qytetit të Lushnjës. Vëllai im është plagosur në vitin 2001, në formë presioni për të hequr dorë nga biznesi”.
Deputeti në birucat e Aldo Bares, Ilir Bano s‘denoncoi
Rrethanat në të cilat deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Bano, u ndodh tetë vjet më parë në komisariatin paralel të Aldo Bares në Lushnjë, duket se për shumë kohë do të mbeten të paqarta. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, thanë dje se në dosjen penale që ndodhet në këtë institucion, nuk ka asnjë dëshmi apo raport tjetër, që hedh dritë mbi momentet kur deputeti i Partisë Demokratike Ilir Bano, është parë në Komisariatin nr.2 të Aldo Bares, aty ku kapoja i bandës shantazhonte njerëzit, që rrëmbenin ushtarët e tij në qytetin e sunduar për vite me radhë. Një konfirmim i tillë nga Prokuroria e Përgjithshme vjen vetëm një ditë pasi në Gjykatën e Krimeve të rënda, dëshmitari Pëllumb Meço bëri publik faktin se në vitin 1999, pasi ishte çuar forcërisht në atë që njihej si “komisariati nr.2”, kishte parë aty deputetin e PD-së Ilir Bano, së bashku me kryetarin e degës lokale të Partisë Demokratike Ylli Sefa. Implikimi shkoi më tej për shkak se dëshmitari i thirrur në gjyq, tregoi para togave të zeza, se një anëtar i bandës së Lushnjës, po i kërkonte llogari njeriut me imunitet, përse ai nuk po raportonte mbi nivelin e sigurisë në Lushnje pas ngritjes së komisariatit paralel nga Aldo Bare dhe grupi i njerëzve të tij. Të gjitha këto fakte, u paraqitën në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nga Pëllumb Meço, dëshmitari i thirrur aty për të treguar episodin kur ai dhe i vëllai, për shkak të konflikteve që kishin me Aldo Baren si pasojë e konkurrencës në tenderin e pastrimit të qytetit, “u rrëmbyen” dhe u çuan në komisariatin nr.2. “Përveç dëshmisë së shtetasit Pëllumb Meço deri më tani nga dëshmitë e administruara në dosje apo raportet e provave, nuk ka asnjë person apo të dhënë që hedh dritë mbi rrethanat në të cilat deputeti Bano është ndodhur në ambientin e konsideruar si komisariat nga i pandehuri Aldo Bare”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Ato nuk përjashtojnë mundësinë që dëshmitarë të tjerë gjatë vazhdimit të procesit në gjykatë, të paraqesin të dhëna për këtë episod, por thanë se “në dosje nuk ka asnjë dëshmi apo informacion për këtë çështje”. Madje sipas prokurorisë, edhe vetë dëshmitari Pëllumb Meço, i cili bëri publik faktin gjatë rrëfimit në gjyq, nuk ka dhënë shpjegime nëse deputeti Ilir Bano po qëndronte i detyruar në komisariatin paralel të drejtuar nga Aldo Bare apo ndodhej aty me dëshirën e tij.
Misteri i deputetit
“Shtetasi Pëllumb Meço, i cili është thirrur në cilësinë e deklaruesit, në vitin 2006 kur është marrë në pyetje gjatë hetimeve paraprake, por edhe gjatë paraqitjes në Gjykatë, nuk ka arritur të konfirmojë të dhëna që tregojnë rrethanat në të cilat deputeti Bano është ndodhur në komisariatin nr.2”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, nga të dhënat e deritanishme, i vetmi person që mund të zbardhë këtë mister, është vetë deputeti i PD-së apo edhe ish-kryetari i degës lokale të kësaj partie në Lushnje, Ylli Sefa. Prokuroria konfirmon se qenia e deputetit të PD-së në ambientin ku Aldo Bare shantazhonte apo keqtrajtonte qytetarët e Lushnjës, nuk ka qenë më parë objekt hetimi. “Nuk ka të dhëna, megjithatë konfirmohet se deputeti Bano apo persona të tjerë, në asnjë rast nuk kanë denoncuar në polici marrjen e tyre me dhunë apo mbajtjen forcërisht në ambientin që ndodhet pranë komisariatit të Lushnjës, të konsideruar si një strukturë paralele, që u krijua dhe funksionoi nën drejtimin e të pandehurit Aldo Bare”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, deputeti nuk ka bërë ndonjë ankesë në polici apo në Prokurori dhe nuk ka pasur asnjë pretendim lidhur me marrjen apo mbajtjen me forcë apo kundër dëshirës së tij. Në mungesë të një denoncimi lidhur me këtë fakt, ngjarja bëhet edhe më e paqartë, për shkak se nga dëshmitari Pëllumb Meço pohoi qartë se deputeti ishte shprehur, se nuk i përkiste mbështetësve politikë të Bandës së Lushnjës. Megjithatë tri ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të thërrasë deputetin Bano në cilësinë e dëshmitarit në gjyqin që po zhvillohet kundër shtatë të pandehurve. Duket se seanca kur deputeti të paraqitet në gjykatë, do të jetë edhe momenti kur mund të sqarohen shumë momente të ngjarjes së ndodhur në maj 1999 në komisariatin paralel të Aldo Bares. Një strukturë paralele policore, e cila si për të formalizuar plotësisht dualitetin dhe sfidën, ishte ngritur fare pranë godinës së komisariatit të policisë së Lushnjës, që varej nga ekzekutivi shqiptar, por që në atë kohë ishte thuajse inekzistent.