Miratohet KQZ e re, Gjata: Shpresoj të bëhen për herë të parë zgjedhje të lira
Parlamenti shqiptar ka miratuar në seancën e djeshme anëtarët e rinj dhe kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjate votimit, i cili u zhvillua i fshehtë dhe në formë elektronike, u miratuan kandidaturat e Klement Zguros, Vera Shtjefnit, Dëshira Subashit, Artan Lazes, Pandeli Varfit dhe Hysen Osmanajt si anëtarë dhe Arben Ristanit si kryetar i KQZ.
Gjithashtu, u miratua edhe emërimi i Admir Thanasit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Deputetet e LSI u larguan nga salla në shenjë proteste.
Ndërsa kryetari në ikje i KQZ, Çlirim Gjata, ka deklaruar në një intervistë për Top Channel, se me formulën e re shpreson që në Shqipëri të arrihen për herë të parë zgjedhje të lira e të ndershme.
“Me formulën e re nuk është se ka diçka të re e pa eksperiencë, ajo është mbi bazën e një balancimi politik dhe shpresojmë të arrijmë zgjedhjet e para të lira e të ndershme. Të arrihen të gjitha standardet që kërkon BE. Le t’i shërbejë kjo formulë këtij qëllimi”, - ka pohuar Gjata.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Gjata ka pranuar se ka probleme, por ka nënvizuar se për zgjidhjen e tyre gjithçka varet nga vullneti politik.
“Koha nuk është në favor të KQZ së re. Asnjëherë nuk ka qenë. Problemet që janë përpara, janë të shumta, si listat, kontrolli i tyre etj. Ka një balancë politike, por nuk ka një check, nga check and balance, që duhet ta ketë çdo listë. Por kjo varet më tepër nga vullneti i partive. Nëse ato do të kenë vullnet, atëherë do të ketë edhe standarde”, - ka theksuar Gjata.