Atentati, qëllohet katër herë me pistoletë anëtari i Gjykatës së Lartë
Sistemi i drejtësisë është tronditur rëndë, pasi një prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, është qëlluar plot katër herë me pistoletë përpara banesës së vet. Sipas burimeve të policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të dielës, përpara pallatit ku ka banesën gjyqtari Nuni, në lagjen “Komuna e Parisit” në kryeqytet. Mësohet se anëtari i Gjykatës së Lartë është qëlluar sapo ka zbritur nga automjeti i vet dhe po i drejtohej banesës. Ai është qëlluar katër herë, por fatmirësisht plumbat e kanë zënë në këmbë dhe krah. Menjëherë pas kësaj, Nuni është dërguar në ambientet e Spitalit Ushtarak dhe pas ndërhyrjes së punonjësve të këtij spitali, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Sipas burimeve të policisë, mësohet se janë shoqëruar në ambientet e policisë mbi 15 persona, shumica prej të cilëve kanë qenë dëshmitar okularë në vendin e krimit. “Janë shoqëruar e pyetur si dëshmitarë për rrethanat e ngjarjes e në lidhje me ngjarjen, një numër i konsiderueshëm personash, të cilët janë konstatuar në vendin e ngjarjes”, - bëri të ditur në një komunikatë për shtyp policia. Nga hetimet e deritanishme, burimet e policisë bënë me dije se dyshohet që autorët e atentatit të kenë qenë të paktën dy persona. Gjithsesi, deri më tani nuk asnjë të dhënë për identitetin e të dyshuarve, si dhe për motivet e atentatit ndaj gjyqtarit Ardian Nuni. “Nga grupi i posaçëm hetimor po punohet me intensitet të plotë për zbardhjen e motiveve të ngjarjes, identifikimin dhe më pas ndalimin e autorëve të kësaj ngjarjeje”, - vijon deklarata e policisë. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës 4 gëzhoja pistolete të kalibrit 7.62 mm, të cilat i kanë kaluar për ekspertim Laboratorit të Policisë Shkencore. Sakaq, tashmë hetimet për këtë ngjarje të rëndë i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Departamentit të Hetimit të Krimeve në Policinë e Tiranës.
Në orët e vona të ditës mësohet se Nuni ka dhënë dhe dëshminë e tij dhe ka theksuar se është sulmuar nga një person me kapele që e ka nxjerrë pistoletën nga një gazetë. Ai ka thënë që nuk ka pasur asnjë bisedë me agresorin.
Ngjarja e rëndë nuk ka kaluar pa debate në sallën e Kuvendit. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se ngjarja vjen pas rritjes së presionit politik mbi drejtësinë. Ai tha se Berisha ka hallin e familjes së tij biologjike, ndaj po bën të tilla presione. Ndërsa ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha se po vazhdojnë hetimet në mënyrë intensive për ngjarjen.